Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka publikuar sot një deklaratë përmes së cilës thotë se sheh me shqetësim reagimet dhe deklaratat e fundit që janë bërë kundrejt sistemit të prokurorisë.
“Përpjekjet për të ndikuar ose frikësuar institucionet e drejtësisë, sidomos ato në vijën e parë të luftës kundër krimit dhe korrupsionit, janë sulme ndaj parimeve themelore të integritetit dhe drejtësisë, që mbështesin zbatimin e ligjit në vend. Reforma në drejtësi dhe zbatimi i ligjit janë kriteret kryesore që Bashkimi Evropian kërkon nga Shqipëria për krijimin e një drejtësie të pavarur. Ndaj KLP fton median që, me punën e tyre, të mbështesin veprimtarinë e institucioneve të pavarura në rrugëtimin e tyre institucional.
KLP dënon çdo formë presioni apo intimidimi të drejtuar ndaj SPAK apo drejtuesit të tij, duke i konsideruar kërcënime serioze për integritetin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri dhe qëndron me vendosmëri pranë të gjithë Strukturës së Posaçme, në përkrahje të punës së prokurorëve kundër çdo sulmi apo ndërhyrjeje denigruese”, thuhet në deklaratën e KLP.
Në lidhje me deklaratën e KLP ka reaguar kreu i PD, Sali Berisha.
Ai thotë se kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani, e cila është kryetare e KLP-së, kandidatura e Arben Rakipit, e mafiozit, e kryemafiozit të Shkollës së Magjistraturës dhe xhelatit të Sigurimit të Shtetit, sot ka bërë një komunikatë pas sulmeve të ligjshme që unë me fakte, me dokumente kam bërë kundër Altin Dumanit.
“Marrin rrogat më të larta në Ballkan dhe si gjakpirës tregtojnë me dosje krimi gjithë natën dhe ditën me vrasësit dhe trafikantët për t’u marrë ryshfete dhe gjoba.
Për të falsifikuar dokumente dhe për t’i fshehur ato. Për të prishur provat dhe lehtësuar krimet e tyre.
Zonja Bogdani, nuk të njoh dhe nuk e kam për mbarë që për njerëz që nuk i njoh, të flas.
Por për deklaratën tënde, së pari duhet të siguroj çdo punonjës të institucioneve të Shqipërisë, që bëjnë punën me nder, që bëjnë punën me përkushtim, unë kam vetëm respekt dhe vetëm respekt.
Por ti zonjë, që reagove sot, ti je skllave e Vath Stakës dhe Altin Dumanit”, thotë Berisha ndër të tjera. m.k





