Maturë? Studime për shkenca juridike? Të gjitha të shpikura. Deputetja socialdemokrate e Bundestagut Gjerman, Petra Hinz mashtroi me biografinë e saj për shumë vjet shumë njerëz. Tani ajo largohet nga Bundestagu.
Ajo konsiderohej si përfaqësuese energjike e popullit dhe puna me të thuhej se qe e mundimshme. Bashkëpunëtorët në zyrën e saj ndërroheshin shpesh. Petra Hinz pra konsiderohej e vështirë. Por këtë që doli në pah tani nuk e kishte menduar askush: përfaqësuesja 54 vjeçare socialdemokrate e popullit nga Esseni nuk është as juriste, as ka mbaruar maturën. Por pikërisht këto ajo i kishte deklaruar gjithmonë, edhe në faqen e internetit të Bundestagut Gjerman. Kur u bë e ditur kjo, nuk zgjati shumë kur edhe politikania e pranoi edhe vetë, se kështu puna nuk mund të ecë më tej: të mërkurën pasdite Petra Hinz e dorëzoi mandatin e saj.
Që prej 11 vjetësh i përfaqësonte ajo socialdemokratët në Bundestag. Para pak kohësh ajo pati deklaruar se vitin e ardhshëm nuk do të kandidojë më për zgjedhjet në Bundestag – kjo pati shkaktuar habi.
Deklaratë e avokatit në vend të biografisë
Në faqen e saj të internetit, në vend të biografisë së saj të falsifikuar gjendet një deklaratë e avokatëve të saj, në të cilën ndër të tjera thuhet…
“Duke e hedhur vështrimin pas, Frau Hinz nuk është në gjendje të dallojë, se cilat qenë shkaqet atëherë që e shtynë, që me të dhënat bazë të gabuara për përfundimin e shkollës prej saj të vërë gurin e themelit për pohime të tjera që nuk qëndrojnë për formimin e saj juridik dhe veprimtarinë e saj”.
Por kjo deklaratë nuk bëri më dobi.
Në fillim ishte qarku i SPD në Essen që i kërkoi Hinzit ta dorëzojë mandatin.
Kryetari i grupit të SPD, Thomas Kutschaty tha, “Të gjithë ne jemi të shokuar, që Petra Hinz për 30 vjet me radhë na ka vënë në tryezë një biografi të falsifikuar”.
Megjithëse ajo ka qenë një deputete shumë e angazhuar dhe e afërt me popullin në Essen, ajo shkatërroi besimin.
“Lutem nga zemra për falje”
Në faqen e saj të internetit, avokatët e saj shkruajnë edhe gjëra të tjera.
“Angazhimi politik i Frau Hinz ka qenë karakterizuar dhe karakterizohet nga sinqeriteti dhe ndershmëria. Prandaj ajo është shumë e tronditur që nuk ka pasur kurajën që të mbajë përgjegjësi për sjelljen e saj të gabuar. Atyre që e kanë shoqëruar në rrugën e saj, bashkëpunëtorëve të saj, miqve dhe familjes së saj dhe opinionit të përgjithshëm publik ajo u kërkon me gjithë zemër falje”.
Kurse në shënimin për të në Wikipedia, tani lexon…
“Petra Hinz u rrit në Hessen dhe përfundoi shkollën në vitin 1983 në Kolegjin Profesional Erich-Brost të qytetit të Hessenit me Çertifikatë Profesionale të Avancuar”.
Nuk tingëllon kaq spektakulare sa matura dhe studimi i shkencave juridike, por është e vërteta.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/