Hidhet shorti për gjykimin e Berishës. Kjo është gjyqtarja qe do gjykojë...

Hidhet shorti për gjykimin e Berishës. Kjo është gjyqtarja qe do gjykojë kren e opozitës

243
0
Shares

Flojera Davidhi ështe zgjedhur sot me short për të drejtuar procesin gjyqësor ndaj kreut të opozitës, Sali Berisha.

Flojera Davidhi ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2014 ndërsa pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Tiranës, u emërua gjyqtare në Gjykatën e Korçës.

Në tetor 2019, Davidhi u komandua për një periudhë 2-vjeçare si këshilltare ligjore pranë Njësisë Mbështetëse të komisioneve në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Në majin e vitit 2021 Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të konfirmojë në detyrë gjyqtaren e Korçës Flojera Davidhi.

Lidhur me pasurinë, Komisioni nuk ka gjetur probleme në pjesët takuese të gjyqtares Flojera Davidhi në dy sipërfaqe toke bujqësore të përfituara nga familja e oirigjinës në vitin 1993 në bazë të “Ligjit për tokën” në fshatin Goricaj të Lushnjës.

Po ashtu, kanë rezultuar pa probleme edhe rezultatet e hetimit administrativ për pjesët takuese në shtëpinë e ndërtuar nga prindërit në vitin 1986 dhe të një njësie shërbimi në vitin 2001, në proces legalizimi, që janë përfituar nëpërmjet trashëgimisë nga babai i ndjerë.

KPK tha se subjektit të rivlerësimit nuk i është kaluar barra e provës për këto pasuri dhe për dy prona të prindërve të bashkëshortit, të cilat ishin krijuar përpara lidhjes së martesës dhe emërimit të Davidhit si gjyqtare

Lidhur me figurën si gjyqtare, u debatua mbi një vendim pafajësie të dhënë nga Davidhi për një zyrtare lokale të akuzuar se kishte marrë 20 mijë lekë (200 mijë të vjetra) ryshfet. Rasti u zbulua nga kamerat e fshehta të një emisioni investigativ. Davidhi e shpalli zyrtaren e Hipotekës, të pafajshme.

E pandehura kërkoi të dënohej, por gjyqtarja vendosi për jo. Kur u pyet nga komisionerët e Vetingut, pse veproi kështu, Davidhi u përgjigj:

Gjykata duhet të bazohet në atë që provohet në procesin gjyqësor, pra bazuar në prova. E kuptoj që ka një konfondim, pse vetë e pandehura ka kërkuar dënim. Ajo kishte kryer veprime jo konform detyrës, por jo konform veprës penale për të cilën akuzohej. Nuk do të kishte qenë ligjore të dënohej dikush, pse e pranonte akuzën, pavarësisht se nuk ka kryer elementë të veprës penale”.

Vendimi i saj më pas, është gjetur i drejtë edhe nga Apeli.

AKUZAT/ Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, pasi ka përfunduar hetimet në kuadër të procedimit penal nr. 287, të vitit 2020, ka dërguar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (në datë 15.10.2024), kërkesën për dërgimin e çështjes për gjykim, në ngarkim të të pandehurve si vijon:

Sali Berisha, akuzuar: Për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal;

Jamarbër Malltezi, akuzuar për kryerjen e veprave “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal;

Fatmir Bektashi, akuzuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe “Pastrimi të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal;

Xhimi Begeja, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal;

Andia Pustina, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal;

Subjekti juridik, shoqëria tregtare, Studio Pustina sh.p.k. akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal;

Subjekti juridik, shoqëria tregtare, Homeplan sh.p.k., akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i parë i Kodit Penal;
Subjekti juridik, shoqëria tregtare, Kontakt sh.p.k., akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i parë i Kodit Penal.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY