GENC POLLO/ Tre vjet më pas: Profetë të rremë, idiotë të dobishëm...

GENC POLLO/ Tre vjet më pas: Profetë të rremë, idiotë të dobishëm dhe listat e hapura

88
0
Shares

Nga Genc Pollo

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike javën e shkuar një anëtar pyeti me tone disi dyshuese-qortuese se cili kishte qenë qëndrimi i partisë për “listat e hapura” (më tej LH) në negociatat me Partinë Socialiste në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Përgjigja nga presidiumi ishte plot detaje teknike jo fort të kuptueshme por nënteksti tingëlloi sikur “ne ishim pro hapjes së listave por PS vuri veton e s’kishim ç’ti bënim”. Dyshoj që shpjegimi të jetë i vërtetë mbasi kam përshtypjen se të dyja partitë me konsensus korrigjuan deri diku një poshtërsi e një marrëzi që mazhoranca soc-rilindiste në tetor 2020 e futi në Kodin Zgjedhor me ndihmën e opozitës jeniçere. Për këtë duhen përgëzuar !

Në maj 2021 në shënimin tim “Profetë të rremë, idiotë të dobishëm, listat e hapura dhe marrëzia kolektive në v2019-2021” konstatoja me habi një quasi histeri publike nga personazhe budallenj e jo budallenj, të ndershem e të ndërgjegjshëm por edhe propagandistë shërbëtore të cilët pretendonin se me LH kishin gjetur gurin filozofik me të cilin do të shëroheshin të tëra të metat e sistemit politik postkomunist në Shqipëri. Refreni përbashkues i kësaj turme diverse ishte “deputetët të mos emërohen nga kryetari por të zgjidhen nga populli”.

Në atë shënim argumentoja se LH  dëshmuan se nuk zgjidhën asnjë nga problemet që supozohej se do të zgjidhnin. Përkundrazi ato  shërbyen për spostimin e debatit publik nga problemet reale tek formulat fantazmagorike dhe për zbutjen e presionit publik për zgjidhje realiste.

Së pari teza e dashnorëve të LH se përmes preferencës së elektoratit shkërmoqet monopoli i kryetarëve të partive politike për të përcaktuar faktikisht deputetët e ardhshëm u rrëzua nga rezultati i zgjedhjeve parlamentare të v2021. Vetëm tre kandidatë e thyen herësin dhe u bënë kështu deputetë. Por edhe me herës më të vogël pak gjë do të ndryshonte.

Së dyti ideja fikse se vota popullore pastron pisllëkun e kryetarëve në lista rrëzohet nga ato shumë pak raste në Elbasan e Tiranë të ndryshimit të listës me votë parapëlqyese. Madje bazuar në ato raste mund të thuhet se ramë nga shiu në breshër.

Së treti rastet e rralla të përdorimit të LH në Europë e botë dhe përvoja shpesh jo pozitive që raportohet prej tyre heq edhe argumentin “le t’a bëjmë dhe në si Europa/bota” (që në fakt është pseudoargument po nuk u shoqërua me arsyetim konkret në kontekstin tonë). Këtu mund të shtohet edhe përvoja e prishjes së harmonisë brendapartiake të fushatës që ndodhi në PD e PS në zgjedhjet e v 2021.

Tre vjet më vonë kjo analizë i ka qendruar kohës dhe fatmirësisht problemi i krijuar në tetor 2020 ka gjetur një zgjidhje në masën më të madhe përmes reformës zgjedhore të kësaj vere (kjo u bë e mundur edhe pse PS nuk ka qenë ndonjëherë parimisht e interesuar për LH; deri në momentin kur kuptoi se mund t’i përdorte si truk për të abroguar koalicionin e përbërë që i leverdiste opozitës reale; duke përdorur opozitën jeniçere në Kuvend).

Tre vjet më vonë e bazuar në debatin publik që shoqëroi amendimet verore te Kodit Zgjedhor mund të thuhet se numri i idiotëve të dobishëm që insistojnë për LH është reduktuar ndjeshëm; ndërsa numri i profetëve të rremë, për arsye të kuptueshme, mbetet në nivelet e para katër viteve.

Megjithatë, duke folur edhe me partiakë të ndryshëm, të duket se sidomos ndër mëtonjësit për deputet idea LH mbetet popullore. Shpjegimi duket se është sa besimi tek mrekullia e thyerjes së herësit aq edhe ambicia personale e ekzagjeruar që të shtyn tek short-cuts që anashkalojnë karrierën e rregullt.

Por një shpjegim i përgjithshëm dhe legjitim është imazhi i partive politike si organizata pa transparencë e meritokraci dhe me kontroll personal të shefit titullar, ku edhe listat bëhen sipas qejfit të këtij të fundit. Shembull konkret ishin edhe miratimi i listave të kandidatëve për deputet në v2021 në dy partitë kryesore. Tek njëra syresh mbledhja miratuese e Këshillit Kombëtar u bë në zoom ku anëtarët ishin pa mikrofon (muted) përveç kryetarit;  ky i fundit lexonte listën e kandidatëve dhe në fund thoshte vetë votohet-miratohet. Në partinë tjetër kur mblidhej kryesia mikrofonët ishin ndezur dhe një ish ministër vërente me surprizë se disa emra në listën e kandidatëve (segmenti fitues) kishin bërë “hemoragji të financave publike” (sot deputetët në fjalë vuajnë dënimin me burg për inceneratorët). 

Idea e “listave totalisht të hapura” në fakt është një refuzim naiv i partive politike të perceptuara si të kapura e të korruptuara. Si shumë ide naive në histori ajo ofron një zgjidhje të rreme për një problem real. Kështu p.sh. anarkistët rusë të shek. 19, të indinjuar nga bujkrobëria e absolutizmi carist, propozonin një sistem shoqëror pa autoritet e pa hierarki. Por ideja e tyre të çonte ose në kaos shoqëror ku e pësonte më i dobëti ose, në versionin kolektivist të saj i cili do të ushqente bolshevizmin, do të sillte regjimin më opresiv e totalitar të shek. 20. Po kështu forca politike në Europën aktuale pretendojnë reduktimin e Bashkimit Europian në një ligë të shteteve-komb sovrane mbasi politikat BE po adoptonin gradualisht elemente të planifikimit socialist në zbatim të ideologjive të ditës; me pasojë ndrydhjen e tregut e asfiksimin e bizneseve dhe fermerëve e më tej rënien e konkurrueshmërisë e uljen e rolit të Europës në ekonominë globale. Kjo kritikë mund të jetë e bazuar por propozimi mund të jetë kundërproduktiv. Në fakt zgjedhjet e sivjetshme për Parlamentin Europian shënuan një spostim djathtas të elektoratit duke validuar shumë kritika ndaj politikave të deritanishme të Brukselit. Si pasojë fjalimi programatik i Presidentes së Komisionit para Parlamentit Europian para dy muajsh përmbante korrigjime thelbësore duke reflektuar kritikat.

Pra mund të biem dakord se korrigjimi i politikave të gabuara dhe reformimi i institucioneve përgjegjës është më i volitshëm se abrogimi i këtyre institucioneve në favor të alternativave historikisht të dështuara ose aktualisht kundraproduktive.

Idea LH është de facto për një parlament me deputetë të pavarur e pa lidhje me partitë politike. Në kontekstin shqiptar e më gjerë kjo do të thotë një legjislaturë rumpallë ku s’njeh i pari të dytin. Kjo nuk është e dëshirueshme edhe pse publiku me të drejtë mund të jetë mërzitur me deputetët “bagëti votuese” që miratojnë me disiplinë e pa ndërgjegje kontratat korruptive të PPP-ve.  

Në një sistem politik pluralist e demokratik siç e ka zhvilluar Europa në dy shekujt e fundit, partitë politike janë elemente qëndrore që garantojnë lidhjen organike të popullit me shtetin. Kjo realizohet edhe përmes kandidateve për ofiq që partitë i propozojnë elektoratit. Keqfunksionimi i tyre nuk justifikon abrogimin e tyre; ai lipset të nxisë përmirësimin e tyre.

Keqfunksionimet tona nuk zgjidhen me eliminimin e rolit të kryetarit të partisë apo të organeve drejtuese të saj. Kjo gjë do të ishte jodemokratike  dhe e papërgjegjshme. Por si mund të arrihet që kandidatët e partive të jenë jo vetëm njerëz normalë e të panjollosur por edhe të mishërojnë idetë politike të partisë që do të përfaqësojnë e të jenë të njohur e të gëzojnë besimin e antarësisë, elekoratit partiak e më gjerë? Është më pak sempliste dhe populiste por qartazi më e dobishme të insistosh e të realizosh proçedura demokratike brenda partive duke marrë si model primaret amerikane ose të paktën konsultimet edhe me votë të fshehtë a të hapur me bazën e strukturat partiake siç praktikohet gjerësisht në Europë.

Edhe aty nuk mohohet roli i kryetarit apo i kryesisë qendrore por me rregull e traditë ky rol kufizohet në veto individuale e ndryshime të vogla e përherë të arsyetuara. Por kjo kërkon vullnet në krye të partisë e praktikim të gjatë. Por më mirë të identifikosh drejt e saktë problemin e pazgjidhur sesa të japësh formula kryekëput të gabuara.

P. S. Ndërsa shkruaja këto radhë hasa lajmin se Edi Rama do të vinte kandidatë rishtarë në segmentin fitues të listave të Partisë Socialiste. Në segmentin më poshtë ku funksionon formula LH do të renditen të tjerët që kanë një senioritet në parti. Me një gurë vrau dy zogj. Së pari me persona no name siguron bagëti votuese absolute që as nuk e çon ndërmend të komentojë e kritikojë e jo me te mos votojë  projekt/ ligjet e mbrapshta që kryeministri i propozon Kuvendit. Së dyti po jep vetes kënaqësinë perverse të kundrojë se si shokët veteranë të partisë e të qeverisë brenda qarkut do sherrosen me njeri tjetrin për një grusht votash, siç ndodhi në v2021.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY