Ministri i Brendshëm cakton Sokol Bizhgën në krye të policisë, javët në...

Ministri i Brendshëm cakton Sokol Bizhgën në krye të policisë, javët në vijim ndryshim në të gjithë piramidën

80
0
Shares

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, informon trupën e Policisë së Shtetit dhe opinionin publik, për një ristrukturim të thellë të Policisë së Shtetit në të gjitha nivelet.

”Në zbatim të ligjit të ri për Policinë e Shtetit, hapet konkursi për drejtuesin më të lartë të policisë, që do të pasohet menjëherë nga procesi ligjor dhe meritokratik i ripërtëritjes së të gjithë skuadrës së drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit”, thuhet në urdhërin e Ministrit të Brendshëm.

Ministri mbajti një fjalë sot para trupës drejtuese policore ku ndr të tjera tha se strukturimi do të bazohet tek merita ndërsa përgëzoj drejtuesin Muhamet Rrumbullaku.

”Dua të përgëzoj sinqerisht punën e deritanishme të drejtuesve të Policisë së Shtetit, me në krye dikur eprorin dhe sot mikun tim, Drejtorin e Përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku. Mirënjohje për të dhe për të gjithë ata që e sollën stafetën deri këtu me profesionalizëm dhe përkushtim ndaj uniformës, duke e thelluar më tej transformimin e Policisë së Shtetit.

Sot, është dita për ta kaluar stafetën tek një tjetër gjeneratë drejtuesish, të cilët falë punës kolosale të bërë deri këtu, nuk do ta fillojnë rrugën e tyre nga gremina e vitit 2013, por nga një lartësi e arritur me mundin e me kohën e një dekade dhe nuk do të kenë asnjë justifikim për të mos e ngjitur Policinë e Shtetit në rangun e trupave më të mira të Bashkimit Europian.

Kam bindjen se ata që do të dorëzojnë stafetën udhëheqëse të kësaj trupe, që nga Drejtori i Përgjithshëm dhe të gjithë të tjerët, nuk do ta kursejnë dijen dhe përvojën e jashtëzakonshme të fituar në gjithë këto vite në vijën e parë, për të mbështetur ngjitjen e mëtejshme të trupës së policisë drejt majës së Shqipërisë 2030”, tha ministri Hoxha.

Në vijim ai tha se e ndjen fort përgjegjësinë e detyrës dhe se do i përkushtohet fort.

“Vënia e dorës mbi Kushtetutë kur bëra betimin përpara Presidentit Begaj ishte momenti më emocionues i jetës time profesionale.

Votimi i emrit tim në Kuvendin e Shqipërisë për të marrë këtë detyrë kaq të lartë ishte nderi më i madh që mund të më bëhej si qytetar i kësaj Republike dhe shpërblimi i gjithë këtij betimi është borxhi më i madh ku mund të futesha në jetën time si një njeri i këtij vendi.

As nuk e dyshoj se plot të tjerë mund të kishin kredenciale më të forta për të qenë në vendin tim, që nga ato politike dhe deri tek kredencialet e lidhjeve miqësore. Ky fakt ma bën edhe më të rëndë peshën e përgjegjësisë për ta merituar vlerësimin që mu bë, duke ma besuar këtë detyrë.

Uroj që kështu ta shohin promovimin në karrierë edhe Drejtori i ri i Përgjithshëm dhe drejtuesit e rinj të qarqeve e të strukturave kyçe të Policisë së Shtetit, në këtë kohë historike të Shqipërisë që negocion anëtarësimin në Bashkimin Europian”, tha Hoxha.

Në vijim ai tha se ndryshimet do të ndodhin në javët e ardhshme.

“Ata do të zgjidhen në javët në vijim me të njëjtën frymë dhe kredenciale, të njëjta të profilit të tyre profesional dhe meritës në punë.

Ligji i ri i sapomiratuar i Policisë së Shtetit, merita kryesore për përmbajtjen shumë të mirë që i takon paraardhësit tim të nderuar Taulant Balla dhe drejtuesve aktual të Policisë së Shtetit, është një platformë e shkëlqyer për reformimin dhe modernizimin e mëtejshëm të trupës sonë policore.

Në bazë të këtij ligji kam nxjerrë Udhëzimin për fillimin e procedurave të përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe në zbatim të tij, në detyrën e përkohshme të drejtuesit të lartë të Policisë, do të komandohet Zv.drejtori i Përgjithshëm, Sokol Bizhga.

I ftoj të gjithë drejtuesit të Policisë, të cilët janë sipas rangjeve të parashikuara nga ligji të kandidojnë për Drejtor të Përgjithshëm. Nëse e kanë këtë ambicie të mos ngurrojnë. Procesi është i hapur dhe zgjedhja do të jetë e pandikuar nga asgjë tjetër, përveç vlerave individuale të çdo kandidature”, tha ministri Ervin Hoxha. a.b

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY