Pas letrës publike drjtuar kryeministrit Rama, ku deputeti Vladimir Kosta, deklaronte se do të largohet nga grupi i Partisë Socialiste, ai ka edhe një tjetër reagim të fort për deputeti socialist Erjon Braçe.
Vldaimir Kosta, e ka quajtur Braçen “enverist” dhe akuzat ndaj tij i konsideron shpifje. “Erion, thirri mendjes, lëri sloganet, apo bindjet e tua (!?) komuniste, mundoju të transformohesh sa më shpejt, në fjalë e vepra, në një socialist evropian”, shkruan deputeti. Vladimir Kosta më tej e akuzon Braçen si përfitues favoresh nga Kryeministri Rama. “Krenohet Arben Ahmetaj, “Braçen e kam mik”, dhe nxirr fonde për Divjakën, 10 milion $ për ty, se e bën mirë rolin e papagallit zotëria jote, Erion!!! Ndërsa unë s’marr dot 200 mijë dollarë për një urë në një fshat”, shkruan Kosta.
Kthim përgjigje “Mao-Enveristit” Erion Braçe.
Kryetari komisionit të ekonomisë : bëju socialist evropian
Siç premtova, Erion Braçe, po të jap përgjigje sot, pas votimit të Reformës së Drejtësisë. Tani që ne të PS-së ia dolëm votimit unanim të saj, gjë që ishte shumë e vështirë për shkak të opozitës destruktive që kemi, e ndjej veten të çliruar të merrem dhe me gjëra shumë më të vogla, të të përgjigjem ty.
Zoti Braçe, keni shkruar në shtyp kundër deklaratave të mia publike, bile me titujt e nëntitujt tuaj pompozë: “Erjon Braçe reagon për 110 mijë eurot që pagoi Vladimir Kosta në Berat”, “Sqarim në facebook më datë 12.07.2016” etj. Nga ky reagimi që keni bërë kundër meje, por edhe nga shumë “ide” që keni hedhur lart e poshtë, ju z. Erion propagandoni ide politike akoma të papastruara nga e majta ekstreme e kohës së komunizmit, enverizmit, maoizmit etj. Duket sikur ju nuk keni arritur akoma të shndërroheni në një socialist evropian, siç është pjesa më e madhe e PS-së së sotme, e në radhë të parë kryetari i saj Edi Rama. Në vijim më konkretisht.
Ju bëni sikur nuk e dini, se jo vetëm në Berat, por edhe kudo në Shqipëri, dhe kudo në botë, fushata elektorale kushton shumë. Nuk qëndron siç thoni ju, se “as edhe një qindarkë nuk është përdorur për këtë!”. Nuk marr përsipër të nxjerr të gjithë koston reale të shpenzimeve të bëra gjatë viteve, për fushatat zgjedhore, për përhapjen e ideve të PS në Berat, por ama jua them edhe një herë, se vetëm unë, nga pasuria ime, kam dhënë për fushatën në Berat dhe Poliçanin, mbi 110 mijë euro, kjo si vlerë e pajisjeve të televizionit tim (të Gjeli Vizionit) që ia kam dhënë televizionin lokal në Berat, ekranin e të cilit kush e di sa e sa herë që do ta kesh përdorur edhe ti vetë. Duhen përfshirë këtu edhe punimet e gipsit e gjëra të ndryshme që janë kryer atje po me paratë e mia. I pata dhënë fjalën Edi Ramës dhe pata nisur menjëherë ekipin tim të kryej punën! E ti tani, në vend që të më falënderosh publikisht për kontributin tim, e mohon paturpësisht këtë, e indirekt bën sikur nuk e ditke këtë fakt, pra del bukëshkalë.
Ti, si enveristët, shkruan se “vetëm të varfrit duhen përmendur e falënderuar”, se kontributi i të pasurve, për fitoren e PS-së, për përmirësimin e jetës së të varfërve, qenka i turpshëm, se ne të pasurit qenkemi “me interesin banal të pasurimit te shpejtë“ e të tjera dokrra të tilla maoiste. Jo shoku Erion, unë si i pasur jam krenar për zotësinë që kam pasur për të krijuar pasuri, me mend, me guxim e me punë të ndershme. Unë jam një nga ata që me gjithë qejf e kam shkrirë një pjesë të madhe të pasurisë që kam krijuar, për të mirën e elektoratit tim, për përparimin e vendit tim, ku duhet të jetojnë në harmoni të varfër e të pasur, sepse kështu është bota e lirë, këtë shoqëri ku prona është e shenjtë, duam të ndërtojmë ne socialistët evropianë të PS-së; ne që kemi hequr dorë përfundimisht tash 25 vjet, nga eksperimenti i dështuar i mbajtjes në këmbë të shkretëtirës barazitiste enveriste me ndarjen e popullit në klasa etj. Ne jemi të bindur, dhe këtë e themi me zë të lartë, se pa të pasurit shoqëria nuk ka tempin e zhvillimit të domosdoshëm, nuk ka garën mes subjekteve, nuk ka përgjegjësinë individuale të pakufishme të pronarit, nuk ka pra të gjitha këto që janë të domosdoshme që shoqëria njerëzore të zhvillohet me shpejtësi drejt mirëqenies për të gjithë, ku të varfrit jetojnë shumë më mirë, paçka se jo aq mirë sa të pasurit. Ne socialistët nuk jemi për të ndërtuar shoqërinë e varfërisë e mjerimit “njësoj për të gjithë”, ku secili mbijeton në kushtet e mjerimit enverist të tollonave e mungesës së çdo gjëje, gjë që ne shqiptarët e provuam praktikisht mbi kurrizin tonë për pothuaj gjysmë shekulli.
Fitorja e PS-së në Berat, si dhe në gjithë Shqipërinë, u arrit me kontributin të gjithëve, edhe të të pasurve, pra edhe tonin të socialistëve “jo të zakonshëm” sipas teje. Ishte një fitore e ndershme, bile shumë më e ndershme se përrallat e “luftës së proletariatit enverist pa asnjë qindarkë të xhep” që bën sikur i ëndërron e i beson ti. Turp për ty, që megjithëse pretendon se “betejën në vitin 2009 në Berat e ke drejtuar ti”, mohon kontributin tim e të të pasurve të tjerë në këtë fitore, duke thënë me paturpësi “kurrë” kontributit të të pasurve.
Këtu po bëj një parantezë. Kam qenë rreshtuar me PD-në në vitin 1990-91, kundër diktaturës komuniste enveriste që duhej rrëzuar. Të sqaroj se vija nga një rreth familjar komunist— mbase dhe më komunist se rrethi yt, or Erion— ku të afërm të mi, motra etj., kishin arritur në nivele të larta të strukturës së partisë-shtet komuniste, deri sekretarë partie rajoni apo anëtarë të komitetit qendror të rinisë komuniste (PPSh). Në ato fillime . PD-ja ishte forca politike që bashkonte të gjithë popullin pa dallim, të varfër e të pasur, ish-të përndjekur e ish-komunistë, të gjithë të bashkuar kundër partisë komunist shqiptare që po vazhdonte ta shtypte popullin shqiptar. Por kur pashë se PD-ja, po shndërrohej në një parti neokomuniste berishiste, kalova tek PS-ja, që e shoh si një parti evropiane që po e udhëheq politikisht shoqërinë shqiptare në drejtimin e duhur, sepse dëgjoj Edi Ramën e të tjerë socialistë evropianë, që dënojnë të dy të këqijat e shoqërisë sonë, si të kaluarën me komunistët enveristë, si dhe të tashmen me neokomunistët berishistë.
Tani po i jap përgjigje dhe ca fjalëve që ti i lëshon poshtë e lart, duke sqaruar pak nga qëndrimet e mia në fushën e biznesit. Jam një ndër taksapaguesit më të rregullt të këtij vendi. Jam shqiptari i parë privat që hapa tregtinë e lirë me Kinën, që me 23 gusht 1992! Tani kam një pasuri mjaft të madhe, që më lejon të ndihmoj jo vetëm familjen time, por dhe shumë familje të tjera.
Sa për shpifjet që më bëri një person tjetër, njëkohësisht me ty e në unison me ty, për atë person do të kaloj kallëzimin përkatës në Prokurorinë së Rrethit Tiranë, që sot!
Erion, thirri mendjes, lëri sloganet, apo bindjet e tua (!?) komuniste, mundoju të transformohesh sa më shpejt, në fjalë e vepra, në një socialist evropian! E nëse vërtetë do të kontribuosh për mbarëvajtjen e qeverisjes sonë, të PS-së, merr nën vëzhgim disa drejtori rajonale ku tenderat janë bërë pothuajse të gjithë me 100 % fitim në favor të subjektit, dhe shumica klienteliste. Unë kam fakte, të ftoj që t’i shohim ato bashkë, dhe t’ i çojmë po bashkë për hetim. Por ama ky veprim do guxim e ndershmëri edhe nga ti, sepse mbase humbë favoret tek kryeministri, dhe nuk i merr dot më ato fonde të padrejta të shproporcjonalizuara që të dha ty kryeministri Rama për Divjakën etj. Pra, Erion të ftoj për punë konkretet, dhe jo vetëm për llafe koti.
E fundit, që ta dinë lexuesit edhe këtë: Krenohet Arben Ahmetaj, “Braçen e kam mik”, dhe nxirr fonde për Divjakën, 10 milion $ për ty, se e bën mirë rolin e papagallit zotëria jote, Erion!!! Ndërsa unë s’marr dot 200 mijë dollarë për një urë në një fshat, që është shumë më e rëndësishme dhe më urgjente se ato investimet e tua në Divjakë. Sa i padrejtë që është ky diferencim nga kryeministri Rama!
Vladimir Kosta
Deputet socialist
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/