Një numër i madh shqiptarësh nga Lugina e Preshevës në Serbi protestuan soz për “identitet dhe dinjitet”, duke e akuzuar Qeverinë serbe për diskriminim ndaj tyre.
Ata protestuan në Bujanoc duke mbajtur në duar flamuj kombëtarë shqiptarë dhe amerikanë, si dhe pankarta me mbishkrime si: “Stop pasivizmit selektiv”, “Të shtypur po, të nënshtruar jo” dhe “kthema adresën”, si dhe të veshur me fanella me mbishkrimin “Për identitet dhe dinjitet”.
“Përfaqësuesi i komunitetit shqiptar në jug të Serbisë, Shaip Kamberi, e akuzoi Qeverinë serbe për mohimin e të drejtave të pakicës shqiptare, duke thënë se ajo “nuk dëshiron integrimin e tyre në organet shtetërore në mënyrë të drejtë dhe të barabartë”.
Protesta u thirr të shtunën nga kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, nëpërmjet një postimi në Facebook, nën sloganin “Për identitet dhe dinjitet”, raportoi radio Evropa e Lirë.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, shqiptarët janë pakica e katërt më e madhe në Serbi, me përkatësisht 61.687 banorë. Kamberi, i cili e fitoi edhe një mandat në Parlamentin e Serbisë në zgjedhjet serbe të 17 dhjetorit, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare t’i bëjë trysni Serbisë për, siç tha, ndaljen e diskriminimit ndaj shqiptarëve në Luginë, raporton A2CNN.
“Ftoj Qeverinë që të fillojë në mënyrë urgjente dhe të pakushtëzuar realizimin e obligimeve të marra nga marrëveshjet e nënshkruara, mbi të gjitha ftoj bashkësinë ndërkombëtare të reagojë sa më shpejt për ta ndërprerë aparteidin dhe diskriminim klasik, sepse që nga Marrëveshja e Konçulit 2001 e deri te plani 7-pikësh 2013, ne kemi pasur besim jo në Beogradin, por në vlerat demokratike perëndimore”, tha Kamberi.
Marrëveshja e Konçulit u arrit në vitin 2001 për çmilitarizim e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB) dhe për integrimin e pakicës shqiptare përmes një procesi demokratik.
Në korrik 2013, Qeveria e presidentit Aleksandar Vuçiq e miratoi planin shtatë pikësh, i cili ishte pothuajse i njëjtë si marrëveshjet e mëparshme.
Kamberi e la të hapur mundësinë për protesta të tjera pas kësaj.
Në sheshin ku u mbajt protesta, të hënën, u pa një numër i madh i policëve me uniforma dhe veshje civile. Nuk u raportua për ndonjë incident gjatë protestës.
Përfaqësuesit e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit – komuna që njihen edhe me termin Lugina e Preshevës – shpesh janë ankuar se diskriminohen nga autoritetet në Serbi.
Një problem me të cilin përballet shqiptarët e Luginës së Preshevës është edhe mosnjohja e diplomave universitare të fituara në Kosovë, pavarësisht se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për këtë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. r.r
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/