Ivi Kaso: Dy gënjeshtrat e djeshme të Ramës, 13 ha tokë janë...

Ivi Kaso: Dy gënjeshtrat e djeshme të Ramës, 13 ha tokë janë afër detit, ligji që pretendon u bë në 2006

180
0
Shares

Sekretari ligjor i PD Ivi Kaso ka evodentuar disa të pavërteta nga shpjegimi i djeshëm i Edi Ramës në lidhje me të qënit papritur pronar i mijëra metrave në Vuno e Gjipe.

Kaso thotë se Rama fsheh faktin se më shumë se gjysma e tokës së pretenduar dhe për të cilën nuk ka asnjë dokument që vërteton pronësinë është pranë detit, ndërsa ligji i pronave që nuk njeh vendimin e gjykatave si dokument për origjinën e pronës është miratuar në 2006.

DETAJET E IVI KASOS/ Kryeplakut të Surrelit dhe piratit të Gjipesë i ka djegur shumë denoncimi i medias dhe Partisë Demokratike për vjedhjen e radhës, kësaj here si ‘kryeministër strategjik’.

Në zbatim të porosisë së ‘kolegut’ të tij në SPAK, ai ka bërë një punë të paqme ‘intelektuale’ për të fshehur krimin, por në vjedhje gjithmonë ngelet një këmbë jashtë. Sidomos kur hajdutët janë mbi 2 metra.

Në një deklaratë që zgjatej shumë, Edi Rama mundohej të mbulonte diellin me shoshë, por ne fakt binte brenda me të dy këmbët. Siç bën zakonisht ai citonte veten, por asnjë dokument kadastre të vjetër apo të ri, dhe aq më pak ndonjë dokument shpronësimi nuk nxori dot si dëshmi se 224 mijë metër katror tokë në zonën me turistike dhe me panoramike të bregut ishin të klanit Rama.

Në këtë mënyrë ai pranon se nuk ekziston asnjë akt regjistrimi kadastral që të faktojë se toka prej 224 mijë metër katror tokë në zonën me panoramike dhe më turistike të bregut është e gjysh Petros dhe barba Pilos. Po kështu ai pranon se nuk ekziston asnjë akt shpronësimi te 224 mijë metër katror toke të Petro dhe Spiro Kolekës që të provojë se kjo tokë ka qenë ndonjëherë e tyre.

Rama lodhet shumë për t’i mbushur mendjen vetes se edhe familjarët po ‘i hanë kumbulla pas shpine’, por nuk lodhet fare duke dezinformuar.

Aty ku thotë se qeveria e tij ka miratuar ligjin e pronave, i cili nuk e njeh vendimin e gjykatës si dokument orgjinë, mashtron. Ky parashikim ligjor është futur qysh në vitin 2006, me një amendim të ‘qeverisë Berisha’.

Ai tregon në Google Maps se ku është ‘Maja e Kolekajve’, për të dhënë përshtypjen se është larg nga deti, por nuk tregon asnjë nga hartat që kanë përdorur kushërinjtë e vet, dhe e ndjera nëna e tij palë në gjyq madje as Gjykata e Apelit për të pozicionuar pronën.

Vetëkuptohet Rama fsheh hartat se i del ne shesh maja e mashtrimit.

Ai thekson me forcë faktin që është pyll dhe kullotë, ndërkohë që zëri kadastral i të gjitha pronave aty, sipër dhe poshtë rrugës deri në det, është pyll dhe kullotë.

Edhe këtu devijon dhe gënjen sepse, edhe nëse janë pyll dhe kullotë, nuk do të thotë se janë larg bregut. Shumë prej resorteve në bregdetin e Jugut janë ndërtuar pikërisht aty ku më parë kanë qenë pyje dhe kullota.

Në 224 mije metër katror tokë të marrë nga Rama, nëpërmjet nënës së tij të ndjerë apo Endrit, mbi 13 hektarë sipas VKM janë poshtë rrugës kombëtare, pra afër detit. Ajo që dihet është se në të gjithë shtrirjen e bregut 13 hektarë poshtë rrugës nacionale Vlorë-Himarë, të kategorizuar si kullota e pyje, kanë mbetur te kanioni i Gjipesë.

Edi Rama mund të angazhohet me fjalor ordineri për të mbuluar vjedhjet si kryeministër. Me sa duket, ashtu siç u fut, nëpërmjet sharjeve dhe mashtrimeve, edhe do të dalë nga politika. Me ndryshimin e vetëm se u fut duke sulmuar pushtetin e të tjerëve dhe do të dalë duke mbrojtur korrupsionin e vet dhe të familjes biologjike e politike.

Partia Demokratike i ka bërë publike dokumentet dhe i mbetet SPAK që t’i marrë ato dhe të nisë hetimet. Nëse përtojnë, nuk ua mban, apo e konsiderojnë krim intelektual të vështirë për tu hetuar, apo siç pretendojnë ‘nuk kanë staf’, ua bëjmë ne gati siç kemi bërë me qindra dosje të tjera.

Nëse shpresojnë se do jua çojë Taulanti edhe këtë denoncim, është tjetër punë…

 

Pamje nga Gjipe

REAGIMI, NJË DITË MË PARË I EDO RAMËS/ HISTORIA E NJË PRONE TË PARË NGA DY BOTË TË NDRYSHME

Në ndërkohën që Himara mblidhej për të bërë zgjedhjen e qartë dhe të padiskutueshme që bëri dje, kuzhina e qarqeve ekstremiste greke, ku është gatuar çorba e madhe e gënjeshtrave për pronat në Himarë dhe qenefët e atyre në Tiranë pa din, iman, fe e as atdhe, vijuan të jashtënxjerrin rrena me bisht mbi historinë e pronave të familjes së nënës time në fshatin Vuno të Himarës.

Ata andej, poshtë nga Athina, nuk duan ta pranojnë se në Shqipëri ka vdekur koha kur mund të fusnin hundë e duar, për të bërë çorap punët tona përmes shërbëtorësh dhe eunukësh me pushtet në Tiranë. Ndërsa këta këtej, lart nga Tirana, pasi vdiq koha kur mund ta shkelnin me të dyja këmbët çdo ligj e zakon, për të grabitur ç’të mundeshin me hijen e pushtetit dhe me ligje e vendime qeverie të kopsitura për interesat e tyre, të familjarëve e të tarafeve të tyre, duan medoemos të më fusin edhe mua në kategorinë e mjerë të të korruptuarve, të cilës i përkasin përgjithmonë në mënyrën më të palavdishme.

Siç e thashë publikisht para disa ditësh, padia e rradhës për shpifjet e këtyre lehaqenve tanë do të shkojë në gjykatë sapo të jetë gati. Por duke qenë ky i pronës së grabitur nga unë në Vuno me vendime qeverie, një fabrikim i hatashëm në tërë ndytësinë e vet, po ndaj publikisht disa fakte që e tregojnë shumë kokëfortësisht, se jo vetëm s’jemi të gjithë njësoj në këto llogoret e politikës, po jetojmë në dy botë krejt të ndryshme dhe kemi për politikën dhe pushtetin botëkuptime që dallojnë si dita me natën.

  • Më 12.05.2003 me kërkesë të Edrin dhe Eno Kolekës si trashegimtarë (me prokurë të posaçme) të Petro dhe Spiro Kolekës, Gjykata e Vlorës njeh pronësinë e Petro dhe Spiro Kolekes mbi 22.4 ha pyll dhe kullota në fshatin Vuno, të Bashkisë Himarë (diku lart në rripa malesh shumë larg vijës bregdetare meqë flasin edhe për vlera dhjetra milionëshe të truallit të “grabitur”).
  • Më 06.05.2016 me hyrjen në fuqi të ligjit 133/2015 që u shqyrtua deri në Strasburg , Edrin Koleka paraqet kërkesë në Agjencinë e Trajtimit të Pronave (ATP) për njohjen dhe kthimin e pronës në kufijtë ekzistues, sepse është sipërfaqe e lirë (pra në kohën kur unë isha në krye të qeverisë dhe në krye të agjencisë ishte një drejtues i emëruar nga qeveria ime, me firmën time).
  • Me vendimin nr.504, dt.30.03.2017, ATP-ja e rrëzon kërkesën e Edrin Kolekës dhe e argumenton kundërshtinë mbi bazën e VKM nr. 222 date 23.03. 2016 “ Për trajtimin e kërkesave për njohje të pronës dhe kompensimin e saj “ (e cila mban firmën time, e jo që nuk i favorizon, siç bërtasin kllounët e ekstremizmit grek në Athinë dhe të paudhët pa atdhe të ujrave e të listave të zeza të Shteteve të Bashkuara në Tiranë, po përkundrazi, i pengon drejtëpërdrejtë të 11 trashëgimtarët e familjes Koleka të përfitojnë pronën e gjyshërve të tyre).
  • Dokumentacioni konsiderohet jo i plotë, jo vetëm në bazë të VKM-së së mësipërme, po edhe sipas ligjit nr.133/2015 për “ Trajtimin e pronës dhe përfundimim e procesit të kompensimit të pronave“. (E thënë ndryshe, ky ligj i kaluar me propozimin e qeverisë sime të mandatit të parë dhe me votat e shumicës socialiste, nuk e njeh vendimin e gjykatës si dokument origjine).
  • Edrin Koleka e ankimon këtë vendim të ATP-së në Gjykatën e Apelit Vlorë dhe kjo gjykatë me vendimin nr.40 datë.19.03.2019 e bën nul vendimin nr.504 date 30.03.2017 të ATP-së, duke njohur kompensimin fizik në kufijtë e pronës së Petro dhe Spiro Kolekës, për një sipërfaqe 22.4 ha pyje dhe kullotë në Vuno, Qarku Vlorë.

Por odiseja e trashëgimtarëve të kësaj prone, ku përfshihem edhe unë vetë (pavarësisht se e kam bërë me dije në familje qysh në kohëra tanimë të vjetra, kur isha thjesht “një piktor me thonj të paprerë që flija nën urat e Parisit” siç më quanin politikanët e Tiranës në librat e sharjeve të tyre, se nuk kam asnjë interes të bëhem pronar i asgjëje të trashëguar, përveç studios së tim eti) nuk mbyllet me kaq.

  • Agjencia e Trajtimit të Pronave, me shkresën nr.6175/1 datë 26.06.2019, ushtron rekurs kundër trashëgimtarëve të familjes Koleka në Gjykatën e Lartë ndaj vendimit nr.40 datë 19.03.2019 të Gjykatës së Apelit Vlorë.
  • Si përfundim sot e kësaj dite nuk ka ende një datë gjyqi në Gjykatën e Lartë për trajtimin e kësaj çështje, nga e cila një ndër përfituesit potencialë është edhe im vëlla, ashtu siç nuk ka në kadastër sot e gjithë ditën asnjë pronë të regjistruar në emër të trashëgimtarëve Petro dhe Spiro Kolekës.

Tani, unë e di që sapo ta postoj këtë shpjegim faktik mbi maskarallëkun e njëmijtë të kundërshtarëve të mi të padenjë në adresën time, nuk do të mungojnë ata që nuk do ta besojnë e që do të luftojnë me faktet si zakonisht, apo ata që do të gjejnë mënyrën për ta përqeshur këtë qasje timen ndaj interesave pronësore të familjarëve e të afërmve të mi, të cilëve u shpreh keqardhjen që për shkak të detyrës sime duhet edhe të dëgjojnë ballkoneve të dëshpërimit politik dhe të shohin e lexojnë kanaleve të llumit mediatik, një histori maskarenjsh nga Athina e nga Tirana, për një pronë që e kërkojnë shkallë më shkallë që prej viteve ‘90.

Por jam mësuar me ata që “nuk mbushin” dhe që e shohin botën me sytë e verbër të anësisë politike apo të urrejtjes analitiko-mediatike. Ky shpjegim nuk është për ta, po vetëm për atë shumicë shqiptarësh që prej 11 vjetësh, më kanë bërë nderin e jashtëzakonshëm të besimit të tyre për të udhëhequr Shqipërinë, të cilëve besoj se u vlen historia e kësaj prone, si një provë e besnikërisë sime ndaj tyre në kryerjen e një detyre kaq të lartë, ku kurrë, në asnjë rast, nuk kam marrë e nuk do të marr asnjë përfitim material përmes pushtetit që ushtroj, e prej ku familjarët e të afërmit e mi nuk kanë marrë kurrë, në asnjë rast, as edhe një trajtim të veçantë falë pushtetit që ushtroj.

Mbase edhe pse jam informuar që i vogël, se vdekja nuk është thashethem dhe kam mësuar më pas se në botën tjetër nuk pijnë ujë as paraja e as titujt e pronësisë, më kanë interesuar gjithnjë të tjera gjëra të kësaj bote, ku për mua nuk ka gjë më të madhe se sa të lësh gjurmët e një kujtimi të mirë tek ata që ke përreth dhe ku privilegjin e epërm për të ndryshuar për mirë vendin ku je lindur, duke justifikuar besimin e atyre që ta kanë dhënë, nuk ka para, prona e pasuri materiale që mund ta konkurojnë.

Jo 22.4 ha pyll dhe kullotë, po sikur detin e tërë të ma bënin kos, nuk do ta pranoja në këmbim të kënaqësisë së një dite të vetme si kjo në detyrë, kur Himara u gdhi e çliruar nga mjegulla e gjatë e një historie për t’u shkruar njëherë tjetër.

Ky jam unë, djali i Anetës dhe nipi i Petro Kolekës nga Vunoi, dhe tekefundit duhet t’u them faleminderit të paudhëve që me pahirin e një maskarade të radhës ndaj meje e krejt familjes time, më detyruan të tregoj një histori konkrete të dallimit tim të madh me ta dhe me këdo u bën duva a mendon si ata për mua, sepse vetë pa shkak, nuk do ta tregoja ndonjëherë këtë histori.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY