3 persona të tjerë u arrestuan në kuadër të operacionit ‘Flakë në det’ pasi akuzohen për “trafikim narkotikësh” dhe pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Alket Deda, Ksenofon Bodo dhe Selami Lushkaj janë pjesë e grupit të Gëzim Çelës i cili ra në pranga Dhjetorin e shkuar në Ferizaj të Kosovës.
55 vjeçari doli në përgjimet për “Flakë në det” dhe u shpall në kërkim nga SPAK Tetorin e 2023-it për “trafik kokaine në mes të detit”. Personi që kishte dijeni për vendndodhjen e tij e madje e shoqëronte me makinë, ishte shefi i komisariatit të Kurbinit Dritan Metaj, i cili po ashtu u vu në pranga në kuadër të këtij operacioni antidrogë.
Alket Deda, Ksenofon Bodo dhe Selami Lushkajt u zbuluan nga bisedat e ish-policit Arlind Ismailukaj i cili u arrestua gushtin e kaluar në kuadër të “Flakë në det”. Nga zbardhja e telefonit të tij u zbuluan edhe bisedat me Arben Dalipajn i cili në dosjen e SPAK cilësohej “kapelja” dhe që dyshohet si personi që drejtonte gomonen. Dalipaj arriti të shpëtonte dhe prej shumë muajsh është i shpallur në kërkim.
Operacioni çoi në zbulimin e një vend baze për grumbullimin e lëndës narkotike që lidhej me lokalin luksoz pronë e familjes Çela. Policia e Shtetit në bashkëpunim me Guardia di Finanza arriti të godasë grupin e 6 trafikantëve në zonën e Fushë-Kuqes, të cilët u kapën në flagrancë pasi shkëmbyen kanabisin për kokainë me anë të mjeteve lundruese gomone e velierë në mes të detit Adriatik.
Më 15 Gusht të vitit të shkuar u arrestuan 4 shqiptarë dhe dy ukrainas: Arlind Ismailukaj, 47 vjeç, banues në Tiranë; Armando Mema, 37 vjeç, banues në Tiranë; Nerim Çela, 40 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Laç; Besnik Brokeri, 51 vjeç, banues në Vlorë dhe dy shtetas ukrainas: Kyrylo Ponomarenko, 39 vjeç, banues në Ukrainë; Kostiantyn Biellon, 44 vjeç, banues në Ukrainë. a.b
Detajet e SPAK:
Në vijim të veprimeve proceduriale, në lidhje me procedimin penal nr. 185, të vitit 2023, në kuadër të të cilit, është zhvilluar operacioni policor i datës 15.08.2023, i emërtuar “Flakë në det”, ku nëpërmjet detit është tentuar të trafikohet një sasi e konsiderueshme lëndësh narkotike, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 46, datë 29.04.2024, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, për caktimin e masës së sigurimit për personat nën hetim A. D., S. L. dhe K. B., si persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a, 333/a dhe 334 të Kodit Penal. Masat e sigurimit ndaj personave nën hetim A.D. S.L. dhe K.B., janë ekzekutuar nga Oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në datën 30.04.2024”, njofton SPAK.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/