Rama refuzon interpelancën për akuzat e RAI3: Të mbarojmë me italianët një...

Rama refuzon interpelancën për akuzat e RAI3: Të mbarojmë me italianët një herë

215
0
Shares

Kryeministri Edi Rama refuzoi sot përmes një postimi interpelancën e kërkuar nga opozita në lidhje me akuzat e RAI3 ndaj Ramës, vëllait të tij Olsit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të qeverisë, Engjell Agaçi.

”Shkurt llafi, s’ka asnjë urgjencë për një poshtërim të radhës të parlamentit të Shqipërisë me një interpelancë të kërkuar nga autorët e prapaskenës së asaj shfaqjeje të shëmtuar në dëm të krenarisë legjitime të çdo shqiptari për Shqipërinë, e në radhë të parë të shqiptarëve që jetojnë me nder e krenari sot në Itali, pasi kanë kaluar një kalvar të tërë poshtërimesh nga artikuj, emisione e gjasme investigime të tilla në të shkuarën e errët të shtypit italian e sidomos të RAI-t ndaj Shqipërisë”, shkruan Rama në X.

Rama është përfshirë në një debat të tensionuar me RAI3 në Itali ndërkojë parlamenti italian e konsideroi përmes komisonit për transmetuesin publik një sjellje me synim ndikimin në media të telefonatës së Ramës me drejtues të tv publik italian. m.k

Çfarë thotë Rama:
Çfarë t’u thuash këtyre që i gatuajnë shpifjet në shtëpi të tyre, pastaj i hedhin nga dritarja si akuza, pastaj u fryjnë si era plehrave që shpërndaheshin larteposhtë rrugë më rrugë kur këta, mos o Zot, qeverisnin vendin, pastaj vënë kujën pse u ndotën rrugët e bëra pis prej tyre e i thonë miletit çohu se u qelb kjo punë, pastaj i fusin në thasë plehrat më të bukura e ia hedhin në kurriz çdo të huaji që u del përpara dhe kur ndonjë i huaj (si ata të RAI3-shit) që ka mbetur pa e marrë vesh çfarë malli janë këta vulëhumbur, i nxjerr në rrugë andej si thagma të ububushme, këta i riimportojnë në Shqipëri! E pasi i rinxjerrin rrugëve si prova të ardhura nga jashtë, të thërrasin edhe me urgjencë në parlament, se obobo qenkan shqetësuar në Senatin italian pse unë nuk kam mbyllur gojën, po kam guxuar të ngre zërin andej matanë për t’u vënë emrin që kanë plehrave të shitura në Itali si zbulime investigative, ndërkohë që mua jo që as nuk më shqetëson fare se kush shqetësohet nga ata që kujtojnë se në emër të lirisë së medias në vendin e tyre, Shqipëria e shqiptarët mund të denigrohen pa bërë as gëk as mëk me plehra të nxjerra nga kuzhina e shtëpisë së xhahilëve e çingijeve të vendit tonë, po më vlon gjaku nga revolta për cënimin e imazhit të Shqipërisë e të dinjitetit të shqiptarëve! Prandaj as që nuk më shkon ndërmend të mbyll gojën deri kur e vërteta shqiptare të thuhet e plotë në italisht, pa asnjë censurë, mu aty ku publikut italian iu thanë ato gënjeshtra e shpifje të paketuara në Tiranë.

Po nëse nuk fliska dot kryeministri i Shqipërisë me një drejtor të RAI-t se cënoka lirinë e atyre që cënuan dinjitetin e vendit dhe institucioneve tona, duke censuruar komplet fjalët e të akuzuarve pa asnjë provë e asnjë fre, e pastaj duke i akuzuar se nuk kishin thënë asnjë fjalë, kush do të flasë në emër të dinjitetit të këtij vendi e të së drejtës elementare të çdo shqiptari (qoftë edhe të shqiptarit më të keq, që nuk është fare rasti), për të mos u denigruar publikisht nëpër botë pa i dhënë as mundësinë të mbrohet? Apo do flasin xhahilët e çingijet e Shqipërisë dhe ahengxhinjtë e tyre të klubeve televizive të natës, të cilët kur Shqipëria goditet në një media të huaj e kanë festë e shtrojnë gosti me tava plehrash përpara shqiptarëve, se edhe i gënjen mendja gjynahqarët e paudhë që do ta çojnë miletin në këmbë për muhabetet që qelbin vetë!

Shkurt llafi, s’ka asnjë urgjencë për një poshtërim të radhës të parlamentit të Shqipërisë me një interpelancë të kërkuar nga autorët e prapaskenës së asaj shfaqjeje të shëmtuar në dëm të krenarisë legjitime të çdo shqiptari për Shqipërinë, e në radhë të parë të shqiptarëve që jetojnë me nder e krenari sot në Itali, pasi kanë kaluar një kalvar të tërë poshtërimesh nga artikuj, emisione e gjasme investigime të tilla në të shkuarën e errët të shtypit italian e sidomos të RAI-t ndaj Shqipërisë.

Të mbarojmë njëherë punë me ata andej dhe të thuhet e gjithë vërteta në italisht, pastaj patjetër do t’u vijë radha edhe këtyre këtej, se kjo histori nuk është fare aq e thjeshtë sa duket dhe shqiptarët padiskutim meritojnë ta dinë të gjithën, sapo të tëra petët e këtij lakrori me plehra të jenë hapur deri në fund. Kështu që xhahilët, çingijet e ahengxhinjtë e tyre, le të vazhdojnë tallavanë e tyre me dollitë e gëzimit për denigrimin e Shqipërisë në atë emision skandaloz dhe le të mbrojnë Italinë e lirinë e RAI-it nga ndërhyrjet e mia, se helbete si njerëz pa atdhe që janë, punojnë për çdo të huaj që me qëllim apo nga padija është gati ta denigrojë Shqipërinë, duke nxjerrë në mexhelise jashtë kufijve tanë plehrat e shtëpisë së këtyre këtu.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY