Anëtari i kryesisë së PD, Belind Këlliçi denoncoi sot arrestime dhe kontrolle të policisë në mesnatë në shtëpitë e aktivistëve të PD.
”Mbrëmë pas mesnate, si në epokën e terrorit të Koçi Xoxes dhe të Bedri Spahiut, policia e Taulantit dhe Edit ka arrestuar në mënyrë të paligjshme dhe burracake, rreth orës 1 të mëngjesit, në shkelje flagrante të ligjit, Anëtarin e Kryesisë së Degës 2, të Partisë Demokratike të Tiranës, z. Alfred Pllumbi.
Të veshur me maska, e kanë marrë me forcë me bukë në gojë, si antishqiptarë të vërtetë, sepse kodi i shqiptarit e thotë qartë se njeriu nuk preket në bukë.
Këta janë patronazho-policët e narkoshtetit Rama-Balla. Të tërbuar nga rezistenca qytetare dhe protestat opozitare, për të mbrojtur hajdutin dhe kreun e Grupit të Strukturuar Kriminal 5D, Erion Veliajn dhe frikësuar opozitarët, ata kanë dalë prej dy ditësh në operacione kërkimi kundër protestuesve sikur të ishin terroristë”, denoncoi Këlliçi.
Këlliçi tha se janë të njëjtët policë që figurojnë në listëpagesat e grupeve kriminale, që u japin atyre informacione, që punojnë për ta. Të shitur dhe frikacakë me kriminelët, trima të çartur me protestuesit e opozitës, me qytetarët e thjeshtë, që dalin para bashkisë, jo për krimin por kundër tij.
“Edi Rama, Taulant Balla dhe Erion Veliaj, duhet të ndalin menjëherë operacionet kundër protestuesve të opozitës. Duhet të ndalojnë përndjekjen dhe kontrollet nëpër shtëpitë e tyre gjatë ditës dhe orëve të vona të natës. Përndryshe, hapi tjetër, ndalesa jonë e radhës, nuk është më bashkia, por vilat e tyre të bëra me gjakun dhe djersën e shqiptarëve, me paratë e narkotrafikut dhe krimit ekonomik”, tha Këlliçi.
Policia ka arrestuar deri tani Alfred Pllumbi, Franc Kaloshi, Kevin Vidrica dhe Bernard Metaliaj. Disa protestues të tjerë janë në kërkim.
Pas protestës te bashkia të premten e kaluar disa ambasada reaguan për dhunën sipas tyre të përdorur nga prorestuesit. Këlliçi u bëri thirrje ndërkombëtarëve që të reagojnë për dhunën policore.
“Ftojmë të gjithë faktorët kombëtarë dhe ndërkombëtarë, që të ngrenë zërin në mbrojtje të qytetarëve të thjeshtë, të cilët janë përditë në luftë më korrupsionin dhe keqqeverisjen e Erion Veliajt.
Të dënojnë një herë të vetme dhunën e ushtruar ndaj protestuesve paqësorë, nga paramilitarë dhe patronazhistë pa mjete identifikimi apo simbole të Policisë së Shtetit, një pjesë e të cilëve janë të evidentuar tashmë si kultivues e përdorues të lëndëve narkotike, e si rrjedhojë janë pranuar në polici tërësisht jashtë kritereve që kërkon ligji për Policinë e Shtetit dhe të vetmin kriter që plotësojnë është të qënurit anëtar i PS dhe përdorimi i tyre si kamikazë kundër protestuesve të opozitës”, tha Këlliçi. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/