ARTAN FUGA/ Miti i 10 milionë turistëve!

ARTAN FUGA/ Miti i 10 milionë turistëve!

253
0
Shares

Nga Artan Fuga

1. Mos janë qenie të padukshme ose zombi!

Prej ndofta disa muajsh flitet se në Shqipëri kanë hyrë në sezonin e kaluar rreth 10 milionë turistë. Do të kishte qenë një fakt interesant nëse do të ishte i vërtetë. Këtë shifër e jep dikasteri përkatës pa treguar se si e mat këtë numër. Si duket e marrin me të lehtë, nuk u duket një çështje serioze. Sikurse numërohet një turmë tifozësh në stadium apo pjesëmarrësish në një miting. Mund të thuash se janë njëmijë, dhjetëmijë, po deshe edhe një milion. Apo si maten delegatët e një kongresi nëpër salla. Nga realiteti kalojmë në propagandë, por administrimi i ekonomisë nuk është propagandë.

Kjo shifër të le me sy hapur sepse thua si nuk kam parë unë 10 milionë tipa që të vërdallosen nëpër Shqipëri. Se me këtë shifër i bie që në 10 veta që kam ndesh rrugës në këto muaj nja tetë të kenë qenë turistë të huaj dhe vetëm dy të kenë qenë shqiptarë. Mos kanë qenë të padukshëm si bariu i mitit të të Platoni që pasi vuri në gisht një unazë që e gjeti në kullotë u bë i padukshëm.

Ka ekonomistë ose që hiqen si ekonomistë që thonë ku janë këta 10 milionë sepse të ardhurat nga kjo prurje në konsum, hotele etj. nuk tregojnë këtë. Disa duke qenë opozitarë thonë se nga ky turizëm nuk i ka hyrë në xhep asgjë shqiptarëve. Edhe ata e kanë gabim. Nuk shohin se çfarë ndodh në vend.

2. Si t’i numërosh turistët dhe t’i dallosh se nuk janë gjë tjetër?

Në një statistikë që dikasteri i turizmit botoi në kohën e verës kishte arritur të ndante, nuk di të qash apo të qeshësh, edhe sa turistë të huaj apo shqiptarë vendas kishin vizituar ta zemë Apolloninë, Karavastanë, etj. Atëhere kam shkruajtur: Si i kanë dalluar nëse kanë qenë të huaj apo shqiptarë? Ose u kanë kërkuar letër njoftimet, çka as nuk i shkon mendja njeriut ta ketë bërë, ose i dallojnë nga pamja e jashtme dhe si duket kanë punësuar antropologë fizikë për t’i njohur dhe dalluar nga kafka e kokës!!!

Të bësh metrikë sociale, pra të masësh njerëzit, klientët, konsumatorët sot nuk është propagandë, nuk është lojë, por është një shkencë ekzakte. E njejta gjë në kufi: Si të dallosh nga shifrat se i ardhuri është turist, ka ardhur për pushime, apo ka ardhur të shohë gjyshen e sëmurë në shtëpinë e babait? Ka ardhur për të shkuar për pushime në Jug apo ka hyrë e ka dalë sepse duke pasur të drejtën e lëvizjes tremujore pa vizë ka shkuar e ardhur për të punuar në Greqi, Itali, po deshët edhe në Maqedoni apo Bullgari? etj.

Këtu nuk pretendoj ta bëjë unë sepse nuk më jep njeri as mjetet dhe as buxhetet për ta ndërmarrë këtë studim sepse përndryshe mund të bëhet saktë pa ndonjë problem, sigurisht me gabimet dhe përafërsitë e pranueshme. Por gjithsesi qoftë edhe me disa metoda shumë empirike del se të pretendosh se kanë hyrë dhe ardhur 7 ose 10 milionë turistë është të shohësh ëndërra me sy hapur. Do të mendosh kështu deri sa dikasteri i turizmit të tregojë saktësisht se si i ka matur dhe pse janë 10 milionë, jo 8 milionë ose njëqind milionë!

3. Disa përqasje të përafërta dashamirëse

Ta zemë se sidomos turistët evropianë perëndimorë etj. kanë ardhur me avionë. Po bëj këtë llogari dhe më del se qielli i Shqipërisë do të ishte errësuar pa lënë një rreze dielli të kalonte nga mijëra e mijëra avionë. Ta zemë se në Rinas hyjnë e dalin 50 avionë në ditë. Kur të kem kohë shifrën mund ta gjej të saktë. Në një muaj paskan hyrë ta zemë 1500 avionë dhe ulur në pistë. Ja po marr se çdo avion ka në barkun e vet 100 turistë. Del se me aviona kanë hyrë probabilisht 150000 turistë në muaj. Nëse e mas për tre muaj atëhere më del se gjithsejt janë 450.000 turistë për sezonin e verës. Por, duhet të jemi të drejtë. Ka turistë që vijnë edhe në dimër. Ja po shtoj edhe gjysmën e numrit të turistëve verorë dhe nuk më del me rrumbullakosje më shumë se nja 700.000 mijë turistë të hyrë nga ajri. Ja po e çoj për mirëdashje te 1 milionë. Po ku janë të tjerët? Veçse kanë hyrë me bicikleta, me këmbë, a ku e di me çfarë metode tjetër.

Por dikush mund të thotë : Ore është mizë lisi në Rinas, ka pafund të huaj!!! Po sigurisht që ky iluzion krijohet sepse nga mëngjez në darkë hyjnë pa fund të huaj. Por puna është se edhe 1 milion të huaj të vijnë vërdallë në Rinas, krijojnë idenë e njëqindmilionëve. Por, edhe 450.000 mund të ushqejnë në Rinas dhe përreth një ekonomi të tërë të makinave me qira, të lavazheve, kafeneve, taksive që lëvizin lart e poshtë.

Por jo 10 milionë. Se do të ishin dashur, po ta pjesëtojmë me katër të ishin bërë 2 milionë vajtje dhe 2 milionë ardhje me taksi, pra katërmilionë vajtje ardhje në rrugën Tiranë – Rinas e kthim. Nëse një taksi ta zemë bën dhjetë rrugë Rinasi në ditë, do të na ishin dashur për 100 ditë në vit të kishim pasur vetëm në Tiranë një park prej 20 mijë taksish!! Gati gati një në pesë burra të aftë për punë do të kishte qenë taksixhi ! A e kemi këtë park? Dhe rruga Tiranë – Rinas a e mban këtë trafik?

Të marrim një përllogaritje tjetër që edhe ajo është empirike, por mund të matet edhe shumë saktësisht, nëse krijohen mundësitë.

Sa të huaj në ditë mund të mbajë ta zemë plazhi i Durrësit? Ja po marr 20 mijë duke qenë shumë dashamirës me përllogaritjet e dikasterit të turizmit. Ta zemë se secili prej tyre qendron dhjetë ditë në plazh. I bie që në muaj të kemi 60.000 turistë që kridhen në det. Për tre muaj del se mund të mbahen 180.000 turistë. Po e shtoj shifrën që të jemi brenda me dy herë për ta bërë gjithëvjetore, pra maksimumiu ideal nuk mund të kalojë në vit 400.000 mijë turistë. E di që është një shifër e fryrë. Sipas saj deti Adriatik do të ishte fryrë dhe do të kiishte përmbytur Durrësin nga futja në det e këtyre trupave turistësh!

Ja po marr edhe 200 mijë në Vlorë, po aq në Sarandë, po aq në Shëngjin (???) dhe nuk më del dot më shumë se 1.000.000 turistë sikur dhëmbin kaq ta bëj!

4. Ku janë të ardhurat? A i hyn në xhep gjë shqiptarëve?

Nuk mund të pretendosh gabimisht se edhe sikur një milion turistë të jenë, shqiptarëve nga shifrat e buxheteve del se nuk u hyn gjë në xhep apo u hyn vetëm oligarkëve të turizmit!!!

Jo nuk e besoj këtë. Problemi është se ka mijëra shqiptarë që jetojnë sidomos në zonën bregdetare duke lënë apartemente me qera. Ata nuk janë budallenj të deklarojnë të ardhurat e tyre që vijnë këndej. Edhe shteti bën një sy qorr, sepse përndryshe do të ndeshej me këtë masë njerëzish që nuk kanë asnjë mundësi tjetër jetese veç të lënë banesën e tyre në treg! Nxjerrin, po ta shpërndash në gjithë vitin të ardhurën e përftuar, një krodhe bukë që andej. Gjithë ditën me celësa apartamentesh duke i vërtitur në dorë.

Përse nuk ndihet në konsum? Duhet ditur se kemi edhe një artefakt ekonomik. Në verë shqiptarët konsumojnë produkte më të lira në çmim. Përse ndodh kështu është histori e gjatë, që unë e kam studjuar. Pra, shtimi i konsumit nga turistët kompenson uljen e konsumit nga ne shqiptarët.

Pastaj përse budalla është qoftexhiu a byrekxhiu që të deklarojë të ardhurat e tij të rritura? Kush do ta detyronte. Do të duhej nga një taksambledhës për cdo dyqan ose një taksambledhës për cdo turist. Po a i kemi 10 milionë taksambledhës?!

Mos harrojmë se poqese kemi një një e milionë e gjysëm shqiptarë jashtë territorit si emigrantë prej tridhjet vjetësh, ata hyjnë e dalin në kufi. Le t’i quajmë turistë, dakord. Por, ata nuk shkojnë në hotele, por te shtëpia e “plakut” dhe e “plakës”, e shumta te Nonëdaja! Po i quajte edhe këta turistë atëhere mos kërko që këta të shfaqen nëpër statistika hotelesh që edhe ato nuk dihen si bëhen.

Hotelxhinjtë pranojnë shifrën e disa milionë turistëve me kusht që shteti t’i lejë t’i bëjnë statistikat si duan ata. Më jep të jap është kjo botë!

Ja ta zemë se gjysma e tyre vijnë njëherë në vit në atdhe. Pra i bie 750 mijë që hyjnë. Por ata janë martuar, kanë minimumi edhe një fëmijë, pra i bie të jenë nja 2 milionë që hyjnë e dalin. Por, ndofta dikstari i numuron edhe këta si turistë. Por, ata përgjithësisht nuk nxisin statistikat e hoteleve dhe restoranteve.

Aq më shumë se duhen llogaritur edhe shqiptarët e Kosovës. Hyjnë nga pesë gjashtë herë vetëm gjatë verës në Shqipëri. Mund të ndodhë që një fëmijë kosovar, vogëlush kokorroç, të numërohet statistikisht pesër herë në kufi. Të numërohet ta zemë sa pesë turistë gjermanë. Pra të pritet që të harxhojë birra, sallam, bukë,sa pesë gjermanë nga Bavaria, por ai kosovari i vogël në fakt mundet që ushqehet vetëm me qumështin e nënës. Prandaj llogaritë nuk dalin.

Aq më shumë që kur janë turistë ditorë kosovarët nuk janë budallenj të mos vijnë me ushqime me vete.

Se edhe shumica e turistëve perëndimorë ose nga Evropa qendrore përgjithësisht janë gjyhnaqarë të varfër që thonë: Po vete në Shqipëri se është lirë! Cfarë konsumojnë më shumë? Byrekë, sufllaqe, qofte, që thamë se nuk ka budalla të raportojë si të rritura.

5. Ka mënyra të tjera matjeje

Sigurisht që ka mënyra të tjera matjeje.

Por kërkojnë mbështetje nga buxheti sepse janë studime me shpenzime.

Gjithsesi të masësh ekonominë e turizmit me hyrjen daljet në kufi, kjo do të ishte katastrofë menaxheriale dhe mendore.

Ka të tjera matje që në rradhë të parë lidhen me vlerën financiare të cdo turisti dhe kjo gjendet ndryshe.

Aq më shumë numri nuk mund ta fshehë krizën e turizmit në Shqipëri, ku nga njera anë sheh 4 turistë që ndajnë një dhomë e banjo për njëmijë lekë të reja në ditë, cka e shkatërron hotelerinë, rërën, detin, natyrën, po deshët ju edhe cilësinë e diellit në plazhe!

Por, kjo është histori tjetër!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY