Prof.dr Artan Boriçi, shqiptari i CERN që shtroi rrugën e integrimit të...

Prof.dr Artan Boriçi, shqiptari i CERN që shtroi rrugën e integrimit të shkencës shqiptare në eksperimentin e madh

724
0
Shares

Në 3 vjetorin e ndarjes nga jeta të fizikantit të shquar shqiptar, Akademikut, prof.dr. Artan Boriçi, po sjellim për lexuesit një intervistë që ai bëri para 14 vitesh, ndërkohë që zhytej në botën e ‘Grimcës së Zotit’, eksperimentit më të madh të shkencës, ai i CERN-it. Boriçi ishte edhe shqiptari i aplikimit më të madh në fizikë, bashkëpunëtor në eksperimentin që mbledh kokat më të mëdha të shkencës së fizikës në botë. Aty ishte edhe Boriçi. Gjatë rrëfimit ai flet edhe për përpjekjet e tij për ta bërë Shqipërinë anëtare të CERN-it, përpjekje që nuk reshti asnjëherë duke patur në mendje përfitimin e madh jo vetëm të shkencës shqiptare në tërësi por të rinjve që studiojnë fizikë dhe aspirojnë drejt thellësisë së pashtershme të shkencës.
Ndërsa sot po shkohet drejt një marrëveshje me CERN, kontributi i Prof. Artan Boriçit është aty si një shteg që e la hapur për të tjerët kur Shqipëria të kishte interesin dhe vlerësimin për shkencën dhe partneritetin në shkencë. Dhe duhet kujtuar e po aq vlerësuar si pioneri i shkencës dhe kërkimit në fushën e energjive të larta, përvojën që la pas dhe përpjekjet e tij për ta kthyer në frymëzim edhe për shkencëtarët e rinj shqiptarë lavdinë e CERN ku ai ishte kontributor herë nga Tirana e herë nga Zvicra.

Më poshtë biseda me Prof. Dr. Artan Boriçin publikuar nga gazeta Standart në 2010 me gazetarin Ardit Bido.

Artan Boriçi, Bashkëpunëtori shqiptar i CERN-i: Çfarë presim nga Përshpejtuesi i Madh

Prof. Dr. Artan Boriçi është një ndër shkencëtarët e pakët shqiptarë që bashkëpunojnë në eksperimentin më të madh të fizikës. Ai shpjegon për “standard” se çfarë po bëhet në Zvicër, çfarë përfiton njerëzimi prej tij, “misteret” që rrethojnë eksperimentin, vrimat e zeza që mund të krijohen dhe se si Shqipëria nuk u bë anëtare e CERN-it, sepse nuk kishte… 1 mijë dollarë

Pasi jep mësim për studentët e Fizikës të Universitetit të Tiranës, Artan Boriçi hyn në laboratorin e tij për të marrë pjesë në eksperimentin më të madh të shkencës, deri më sot. Mijëra kilometra larg, me superkompjuterët e pakët të Departamentit ku punon, ai jep kontributin e tij për eksperimentin e CERN-it, që po zhvillohet në tunelin 27-kilometërsh nën Zvicër dhe Francë. Prof. Dr. Artan Boriçin e takojmë në ditën kur eksperimenti mori sërish jetë, pas avarisë disamujore që kishte pësuar. I pasionuar me punën e tij, e kishte ndjekur drejtpërdrejt konferencën për shtyp, të organizuar nga fizikanët e CERN-it dhe ishte përgatitur për të bashkëpunuar me kolegët e tij. “Unë CERN-in e vizitoj herë pas here. Kam kohë pa e vizituar, por ne bëjmë këtu punime komplementare për eksperimentin, vetëm superllogaritje në superkompjuter, që i bëjmë në Departamentin e Fizikës në Universitetin e Tiranës. Kemi bashkëpunim me fizikanët të CERN-it”, – na thotë.

Shqipëria dhe CERN-i

Në fakt, shumë lehtë ai mund të ishte sot në Gjenevë, si një ndër fizikanët e paktë shqiptarë që studion energjitë e larta, por kjo është e pamundur. Jo për shkak të pamundësisë së tij, e as për nivelin e punës që bën; krejt e kundërta, kolegët e tij në CERN janë të kënaqur me bashkëpunimin. Disa mijëra euro e ndajnë shkencëtarin shqiptarë, që nga bashkëpunëtor i jashtëm të jetë pjesë e brendshme e këtij eksperimenti. “Shqipëria nuk është anëtare e CERN-it dhe ky është handikap i madh. Unë mendoj pa frikë se në bashkëpunimet e mëdha që ka CERN-i, shumica janë të rinj e të reja”, – thotë Prof. Boriçi, teksa na tregon se CERN është një institucion me anëtarë nga dhjetëra shtete evropiane, e ku edhe Shqipëria shumë lehtë mund të bëhet anëtare; jo vetëm për të lejuar shkencëtarët shqiptarë që të punojnë aty, por edhe për të ndihmuar të rinjtë dhe të rejat që mbarojnë studimet për fizikë. 

E në fakt, ofertat për këtë pjesëmarrje kanë ekzistuar; përgjigjja nga Shqipëria ishte negative! Bëhet fjalë për vitin 1991, vitin kur kishte “edhe gjashtë ditë bukë” dhe ku 1 mijë dollarët e kërkuara nga CERN-i ishin një luks për vendin tonë. “Në 1991 i është ofruar Shqipërisë të jetë anëtar i CERN-it dhe oferta është refuzuar, sepse shteti shqiptar nuk kishte 1 mijë dollarë që nevojiteshin për kuotizacionin. Përfaqësues të CERN-it erdhën në atë kohë dhe u takuan me Kryeministrin e atëhershëm të vendit, z. Ylli Bufi dhe i ofruan që të bëheshim anëtar të CERN-it, por nuk kishim vetëm 1 mijë dollarë. Ishte periudha që vendi ynë ishte pa buxhet”, – na thotë Prof. Boriçi. Por sot, kur 1 mijë dollarët janë të përballueshme akoma edhe për mijëra buxhete familjare, problemi qëndron tjetërkund. “Mungon vullneti politik nga ne, ose nuk ka pasur lobing të fortë. Ne nuk kemi ende një grup lobingu fizikanësh. Ne mund të jemi gjithsej në gjithë botën 4-5 fizikanë shqiptarë, që punojmë në mënyrë direkte ose indirekte me energjitë e larta që punon CERN-i. Pra është numër i vogël dhe lobingu është i vështirë. Por, qeverisë duhet t’i shkoj vetë në mendje, sepse është e mirë për të gjithë”, – thotë ai. Një shkencëtar nga vendet që nuk janë pjesë e CERN-it nuk mund të punojë brenda CERN-it, por vetëm si bashkëpunëtor i jashtëm. Por nga ana tjetër, të sapodiplomuarit nga vendet anëtare mund shumë thjesht të marrin eksperiencë të vyer në institucionin më të madh shkencor në botë. “Jo vetëm, për ne pak fizikantët e pakët të kësaj fushe që do të mund të aplikonim dijet tona dhe të ishim pjesë e saj; por, mbi të gjitha për studentët e rinj, të cilët shumë thjesht mund të punonin pranë CERN-it, të merrnin dije e të mund të çonin hapa më përpara shkencën në Shqipëri”, – thotë Prof. Boriçi. 

Eksperimenti

Eksperimenti i CERN-it për Prof. Boriçin është një ndër më të rëndësishmit në historinë e shkencës. “Ajo që po ndodh sot në CERN është një eksperiment i ri me energji të lartë, 7 mijë miliardë elektron volt. Është trefish më i madh fuqia energjetike sesa tematroni që bëhet në Amerikë dhe është një energji, e cila është mjaftueshmërisht e madhe për të zbuluar ligje të reja të natyrës dhe kjo filloi të mërkurën. Ky eksperiment do të vazhdojë për 10-20 vjet”, – shpjegon ai. Madje, rezultatet nisën të dalin shumë shpejt nga ky eksperiment, edhe pse jo surpriza për ta. “Prej minutave të para, shkencëtarët nisën të tregojnë disa rezultate. Por jo rezultate të rëndësishme, sepse duan muaj të dhëna për të nxjerrë rezultate të paditura më parë. Për shembull, kemi të bëjmë me një pjesë të pazbuluar të universit, 90 për qind e universit është energji e errët; lëndë e errët”, – thotë Prof. Boriçi, duke na treguar se ky eksperiment rimodelon atë që ka ndodhur në sekondën e parë pas Big Bang-ut. “Sepse energjitë janë të atilla që na çojnë një sekondë larg krijimit të universit. Ky eksperiment e çon gjendjen e forcave në sekondën e parë të Big Bang-ut. Aty pritet të kapen grimca të reja që pritet të zbulojë me çfarë lënde përbëhet galaktika”, – tregon ai. Eksperimenti në vetvete duket shumë “i lehtë”, për aq sa “e lehtë” është fizika. Shkenca duket se ka arritur në atë nivel sa të mund të përshpejtojë protonet në atë masë sa të mund të imitojë hapësirën në sekondën e parë të krijimit të vetë. “Janë përshpejtuar dy tufa protonike. Njëra është 3.5 mijë miliardë elektronvolt secila tufë. Këto tufa përplasen dhe lëshojnë grimca. Dedektorët kapin grimcat e lëshuara, i analizojnë dhe për ato që nuk i njohin thonë se çfarë mund të jenë, në bazë të teorive aktuale”, – thotë Prof. Boriçi, duke shtuar se “lënda e errët ka shumë kandidatë, por një nga kandidatët kryesor është grimca super-e-lehtë supersimetrike. Këtu kemi të bëjmë me simetrinë mes lëndës dhe forcës. Në sekondën e parë pas Big Bang-ut energjia dhe forca ishin e njëjta gjë, nuk dalloheshin me njëra-tjetrën. Më e lehta prej këtyre grimcave është kandidati kryesor për të qenë përbërësja e grimcës së errët”.

High-Tech

Ajo çka është e sigurt se do të sjellë ky eksperiment është teknologjia e lartë. CERN-i njihet si një ndër shpikësit kryesor të “high-tech”-ut në Botë. Edhe pse qëllimi i vetë është fizika, shkencëtarët përgatisin një sërë shpikjesh teknologjike për të arritur qëllimin e tyre final. Uebi, është vetëm njëri prej këtyre! Ajo çka dihet, sipas profesor Boriçit, është se pas këtij eksperimenti qindra gjetje të reja do të hidhen në treg dhe do të na çojnë në një nivel tjetër të teknologjisë. “Nga pikëpamja teknologjike, po bëhet një eksperiment që ka kaluar çdo lloj pritshmërie. Nëse marrin zhvillimin më të madh teknologjik sot, eksperimenti i CERN-it është minimalisht 1 mijë herë më i zhvilluar se ai. Prodhohen sot që ne flasim, me miliarda fotografi në sekondë dhe në superkompjuter të lidhur në CERN, hiperneti po lidh fuqitë llogaritëse, jo thjesht transmetim të dhënash”, – thotë ai. Për profesor Boriçin, askush nuk mund të krahasohet me CERN-in dhe shumë shpejt, sipas tij, do të shohim shpikje teknologjike, në kompjutera e gjetkë që do të na rimodelojnë mënyrën se si kemi mësuar deri më sot. “Nga pikëpamja llogaritëse është teknologji që as Bill Gejts as Stiv Xhobs nuk mund ta konkurrojnë. CERN-i shpiku uebin, është vendi i zhvillimeve të mëdha teknologjike. Edhe sikur zbulimet në fizikë të jenë të ulëta, nga pikëpamja teknologjike janë arritur zhvillime gjigante”, – thotë profesor Boriçi. E krahas kësaj, qëllimi përfundimtar mbetet fizika. Për të bëhen zbulimet teknologjike e në shërbim të saj vihet e gjithë puna e shkencëtarëve. Kjo, duket se do të përbëjë edhe përfitimin më të madh të njerëzimit. “Të zbulosh gjëra të reja është një përfitim i madh i njerëzimit. Të arrish të zbulosh se çfarë është natyra, misteret e natyrës është një arritje e madhe”, – thotë profesori. Por nga pikëpamja sociale, qëllimi është arritur, “siç tha edhe drejtuesi i eksperimentit, të shohësh shkencëtarë nga e gjithë bota, të të gjitha racave e etnive është një arritje më vete për këtë eksperiment”.

A rrezikojmë?

Në çdo rast, pak hapa shkencorë kanë bërë njerëzit të imagjinojnë aq sa ky. Teori konspiracioni, apokalipse të paralajmëruara, zhvillime të papritura, e habi e ndërthurur me frikën e kanë shoqëruar këtë eksperiment prej çastit të nisjes së tij. Por rreziku për profesor Boriçin është zero. Për të, vrimat e zeza që do të mund të shkatërrojnë botën nuk mund të krijohen prej këtij eksperimenti. “Janë 10 mijë miliardë eksperimente si këto që po zhvillohen në CERN, që bën natyra në sekondë nga rrezatimi kozmik. Vrimat e zeza nuk përbëjnë asnjë lloj problemi”, – na thotë ai, por duke shtuar se “nga ana tjetër mundësia e krijimit të vrimave të vogla të zeza nuk është e pamundur nëse janë të vërteta disa teori spekulative të fizikës së sotme”. Për të, edhe në rast se këto vrima krijohen, ato do të jenë aq të vogla sa do të shpërbëhen vetiu dhe shumë shpejt. E nëse krijohen “dy vrima të zeza kurriz më kurriz bëjnë që të kemi udhëtimin në kohë”, por një teori e tillë ka probabilitet drejt zeros, për profesor Boriçin. “Ne shpresojmë që këto teori spekulative të ndodhin vërtet, sepse bëhen zbulime të mëdha”, – thotë profesor Boriçi, duke treguar të papriturat që sjell fizika, që ende nuk e njohim aq sa ajo njeh ne. Eksperimenti i CERN-it është një ndër kryesorët në fushën e shkencës dhe më i madhi i fizikës. “Nëse prej tij do të arrijmë të zbulojmë të vërtetat që na rrethojnë, do të kemi arritur shumë pranë zhvillimit të gjithçkasë që na rrethon!”

Intervistoi Ardit Bido, Gazeta Standard, E hene 05 Prill 2010

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY