Policia italiane lokalizoi dhe vuri në pranga me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë, shtetasin Sebastian Varaku alias Ervin Varaku, 38 vjeç, banues në Shijak. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Drejtoria e Interpolit, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës e ka dënuar me 6 vjet e 8 ditë burgim, njoftoi Policia e Shtetit.
Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit Durrës, këtij shtetasi i kanë mbetur për të vuajtur 1 vit e 7 ditë burgim, për veprën penale “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, kryer në bashkëpunim.
Në vitin 2015, në Shijak, Durrës, një shtetas i maskuar dhe i armatosur ka hyrë brenda në filialin e një banke të nivelit të dytë dhe ka marrë një sasi parash. Nga hetimet rezultoi se autor i kësaj vepre penale ka qenë shtetasi Sebastian (Ervin) Varaku.
Gjithashtu, falë bashkëpunimit, u ekstradua nga Italia drejt vendit tonë, shtetasi Elmir Dashi, 40 vjeç, pasi në vitin 2018, Gjykata e Apelit Vlorë e ka dënuar me 4 vjet burgim, për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose formulareve”, kryer bashkëpunim.
Po ashtu u arrestua me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë, shtetasi italian S. C., 52 vjeç, banues në Itali. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Drejtoria e Interpolit, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, kryer në bashkëpunim, “Dhënia e informacioneve të rreme”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Shtetasit S. C., A. D. dhe S. C., në bashkëpunim me shtetasit shqiptarë I. Q. dhe E. B., kishin krijuar një sistem kompanish fiktive për qarkullimin e shumave monetare. r.k
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/