Shqipëria është pezulluar nga Bordi i EITI që prej tetorit 2023, për shkak të mosdorëzimit të raporteve të transparencës mbi industrinë nxjerrëse prej disa vitesh, ka raportuar revista mobitor.
Banka Botërore, e cila po mbështet një projekt që lidhet me rritjen e transparencës dhe mbështetjen e pjesës shqiptare të EITI, ka dhënë detaje mbi ecurinë e deritanishme të projektit që synon plotësimin e raporteve të munguara të disa viteve.
“Projekti u kërkua nga qeveria për të mbështetur zbatimin e Iniciativës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI). Shqipëria është aktualisht e pezulluar nga Bordi i EITI që nga tetori 2023, për shkak se dështoi që të arrinte afatet e raportimit me raportet EITI. Projekti po financon përgatitjen e raporteve EITI 2019, 2020, 2021.
Një konsorcum firmash është në terren që nga tetori 2023 për të përgatitur raportet.
Sapo ato të publikohen dhe vlerësohen si të plota, Bordi i EITI do të vendosë në heqjen e pezullimit” thuhet në përmbledhjen e Bankës Botërore sa i takon projektit “Mbështetja për procesin e Nismës për Transparencë në. Industrinë Nxjerrëse në Shqipëri”.
Bëhet fjalë për një projekt të dytë të këtij sektori që po mbështetet tani me 700 mijë dollarë pas një projekti të mëparshëm me një fond 600 mijë dollar. Vlerësimi aktual i projektit nga ana e Bankës është “i pakënaqshëm në mënyrë të moderuar”.
EITI është Iniciativa për Transparencën e Industrive Nxjerrëse është një standard global për qeverisjen e mirë të naftës, gazit dhe burimeve minerale. Ai kërkon të adresojë çështjet kryesore të qeverisjes në sektorët nxjerrës.
Bordi i EITI është organi kryesor vendimmarrës i EITI. Ai vendos për prioritetet e organizatës dhe vlerëson progresin e vendeve në përmbushjen e standardit EITI.
Ky bord përbëhet nga një grup shumëpalësh i përbërë nga 20 përfaqësues nga vendet zbatuese, vendet mbështetëse, organizatat e shoqërisë civile, industria dhe investitorët institucionalë.
Qeveria e Shqipërisë u angazhua të vinte në zbatim EITI-n me 27 dhjetor 2008, duke miratuar Urdhrin Nr. 156 për ngritjen e një Grupi Pune Ndërinstitucional, i cili do të përgatiste aplikimin për kandidaturën e Shqipërisë për në EITI.
Vendi u pranua si kandidat në maj 2009 në takimin e Bordit të EITI në Uashington DC në Shtetet e Bashkuara. Më 25 tetor 2016, Bordi ra dakord se vlerësimi i Shqipërisë sipas Standardeve EITI 2016 do të fillonte më 1 prill 2017./N.Maho
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/