“Këto pamje nuk janë shatërvan argëtues por uji i pijshëm i ujësjellësit të qytetit të Burrelit që duhet të ishte në rubinetat e qytetarëve, jo rrugëve”, tha sot anëtari i këshillit kombëtar të PD, Çlirim Gjata gjatë një konference për shtyp ndërsa transmetoi një video me pamje të dëmtimeve të ujësjellësit.
“Ky është i njëjti Ujësjellës, hapja e punimeve të të cilit u inaugurua me të madhe rreth dy vite më parë nga Edi Rama dhe Belinda Balluku. I njëjti ujësjellës që u kushtoi taksapaguesve 10 milionë euro plus disa milion ekstra për të mbuluar ‘gabimet’, siç ndodh me çdo punë publike që bëhet shkel e shko, sa për publicitet dhe për të vjedhur.
Tenderi u fitua nga kompania ‘LA-OR’ me 99.8% të fondit limit. Kontrata u lidh në shkurt të vitit 2021 më afat përfundimi të punimeve 30 muaj.
Që do të thotë punimet duhej të kishin përfunduar në gusht të vitit 2023, që do të thotë se jemi në përfundim të afatit të kontratës.
Ujësjellësi i Burrelit ka probleme në zbatim, nuk ka as parametrat minimalë të sigurisë dhe cilësisë. Ai është ndërtuar me tuba plastikë. 14 milionë euro të shpenzuara por punë.
Mijëra banorë të Burrelit dhe rrethinave pa ujë të pijshëm, me 14 milion euro të nisura për ujësjellës e të shndërruara në shatërvan.
Kujtojmë se kur Bashkia Mat drejtohej nga Partia Demokratike, në vitin 2014 pushteti lokal kërkoi një investim prej 5 milionë eurosh për këtë Ujësjellës. 8 vite më vonë investimi shkoi nga 12 milionë deri në 14 milionë euro. Trefish më shumë dhe ende pa ujësjellës”, theksoi Gjata. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/