Nga Genc Pollo*
1-Operacioni “Shtypi i Lirë” në vitin 2000
Në fillim të vitit 2000 Ministri i Kulturës Edi Rama pati një ide të veçantë; Kryeministri i tij e pëlqeu idenë dhe udhëzoi Ministrin e Financave të gjente fondet e nevojshme për realizimin e saj. Kështu ideja u shndërrua në operacionin ironikisht të emërtuar “Shtypi i Lirë”. Ai konsistonte në dhurimin e shumave të mëdha financiare gazetave të përditshme. Në fakt më shumë se një përkrahje për median private ishte një kapje e “ëmbël” por e sigurt e saj. Të gjitha detajet procedurale të fondit për “Shtypin e Lirë” ishin konceptuar për këtë kapje që në llojin e vet do të ishte e para periudhën e demokracisë post-komuniste. Përgjithësisht pronarët e mediave u turrën të përfitonin. Rilindja Demokratike, Gazeta 55 dhe Tema, të rreshtuara me opozitën, i rezistuan tundimit dhe refuzuan fondin.
2-Operacioni “Shtypi i Lirë Bis” në ditët tona
20 vjet më vonë me Edi Ramën tashmë kryeministër, kemi rimarrjen e idesë “Shtypi i Lirë” në rrethana e të tjera dhe të zbatuar me ndryshime që lipset të analizohen. Në çështjen “inceneratorët” ka marrë vëmendje publike përfitimi direkt nga ofiqarët e përfshirë përmes faturave fiktive e punësimit të majmë të familjarëve; siç është zbuluar deri tashti nga përndjekja penale.
Por një aspekt më pak i diskutuar është ai i shumave të konsiderueshme e sistematike që “inceneratorët” kanë paguar e paguajnë në favor të shumë mediave vendase. Meqë kompanitë koncesionare nuk operojnë në tregun me konkurrencë dhe nuk përfaqësojnë ndonjë markë të njohur, nevoja për reklamë mediatike ishte zero. Meqë çdo kompani nuk fal para kot dhe meqë mediat përfituese e përmbytën audiencën e lexuesit me emisione e lajme mbi pastërtinë e bukurinë që kishte pllakosur në tre qytetet pas “ndërtimit” të inceneratorëve atëhere është afërmendsh që kjo “bamirësi” nuk mund të ishte nismë e menaxherëve të këtyre tre kompanive koncesionare. Me parimin “cui bono” ideatorët e porositësit e “Shtypit të Lirë bis” janë dy qendrat e pushtetit në Tiranë po ta themi me fjalët e kandidatit për “pentito” Arben Ahmetaj. KM Rama e KB Veliaj si dy përgjegjësit kryesorë institucionalë për aferën incineratorët, dhe dy të dyshuarit madhorë për një prokurori funksionale, kishin interesin e madh të krijonin këtë sendërgji për publikun si dhe kishin pushtetin për t’a realizuar atë.
3-Nga shteti tek mafia
Dallimet mes dy operacioneve janë domethënëse: në v2000 nisma mori një bazë e procedurë ligjore dhe formalisht dukej në rregull pavarësisht nga qëllimi i mbrapshtë. Me Shtypin e Lirë Bis dy dekada më vonë jo vetëm që nuk kemi ligjshmëri e transparencë por skema e pagesës se mediave është një hallkë mafioze në një zinxhir kriminal. Kontrasti i mësipërm është një metaforë e gjetur për përshkrimin e transformimit të partisë nga socialiste në rilindiste.
Edhe pasojat e ketij operacioni janë në thelb më të rrezikshme se sa vjedhja e afro 100 Milionë Euro nga Thesari i Shtetit me skemën e inceneratorëve. Gojëmbyllja e medias nuk është vetëm një mjet të për të siguruar pandëshkueshmërinë e megahajdutëve të inceneratorëve. Ajo fatkeqsisht është një mjet për të siguruar recidivizmin e pashqetësuar në të ardhmen. Pra me fjalë të thjeshta që t’a përsërisin megavjedhjen sa herë të duan e pa u hyrë gjemb në këmbë. Siç edhe e bënë me laboratoret spitalore dhe po e bëjnë në Portin Durrës për shembull.
4-Omertá e pajustifikuar
Është interesante që për këtë aspekt të inceneratorëve flitet pak ose aspak publiksht; në kontrast me fokusimin tek përgjegjësit politikë të aferës. Kjo omertá dominon fatkeqësisht edhe tek shoqatat e medias. Këto aktivizohen kur shfaqet në horizont ndonjë ligj qeveritar antifjalë dhe bëjnë një kundërshtim të arsyeshëm dhe efektiv. Por këto muaj ka dalë sheshit abuzimi i anëtarëve të shoqatës duke pranuar para të pista dhe shefave të shoqatave nuk ua trazon letargjinë e seminareve e trajnimeve në projekte me financime ndërkombëtare. Të paktën shefi i PS kur i kapen hajdutët e vet nuk rri pa thënë se ata kanë faj vetëm se rreket t’a heqë nga vetja. Shefat e shoqatave, si p.sh. Këshilli Shqiptar i Medias, normalisht janë jashtë dyshimit të përzierjes e përgjegjësisë në këtë aferë. Reagimi i duhur i tyre nuk pritet se do i bëjë mediat e inceneratorëve qe të kthejnë mbrapsht shumat e marra; as të kërkojnë falje e të zotohen të mos e bëjnë më. Por prapë se prapë distancimi e kritika ka vlerën e vet.
Amá heshtja e tyre është vështirë të shpjegohet e aq më pak të justifikohet. Sepse nuk mund të pretendojnë gjithmonë që përgjegjësitë e parehatshme t’i transferojnë tek të tjerët; si gjyqësori e politika (opozita këto ditë po e bën pjesën e vet). Parimi se gjithkush pastron para shtëpisë se vet mbetet i vlefshëm.
*Ish ministër e deputet, 12 shkurt 2024
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/