DITMIR BUSHATI/ Me mendjen akull, me zemrën zjarr!

DITMIR BUSHATI/ Me mendjen akull, me zemrën zjarr!

147
0
Shares

Nga Ditmir Bushati (marrë nga faqja e tij në Facebook)

Talat Xhaferri, dikur komandant “Forina”, sot hyn në histori si kryeministri i parë shqiptar që merr drejtimin e qeverisë në Maqedoninë e Veriut. Një zhvillim i jashtëzakonshëm për shqiptarët, për rënien e kështjellave të monopolit etnik dhe bashkëpunimin me vështrim nga e ardhmja e përbashkët.

Transformimi demokratik i Maqedonisë së Veriut është i lidhur ngushtë me rolin dhe kontributin e shqiptarëve si komunitet shtetformues, të cilët për një kohë të gjatë kanë qenë të margjinalizuar. Megjithëse Marrëveshja e Ohrit shënoi fundin e konfliktit ndëretnik, duke e zhvendosur Maqedoninë e Veriut në shinat stabilitetit, zbatimi i saj hasi në kundërshtimin e eksponentëve të nacionalizmit maqedonas që mbizotëruan për një kohë jetën politike.

Për Shqipërinë, zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit ka qenë një çështje parësore e sigurisë, mirëkuptimit ndëretnik dhe stabilitetit demokratik me ndikim në të gjithë rajonin. Për këtë arsye, falë insistimit tonë, zbatimi i saj i plotë u përfshi si kriter për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, në dokumentin e Samitit të Uellsit, në vitin 2014. Edhe pse u kritikuam së brendshmi, për gjoja pengesë ndaj fqinjëve në rrugën euroatlantike, dhe nuk u mirëkuptuam nga të gjithë aleatët në NATO për këtë qëndrim, koha na dha të drejtë.

Platforma e partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, e nënshkruar në Janar të vitit 2017, dhe e mbështetur nga Shqipëria, i dha frymëmarrje demokratike vendit fqinj, i cili ishte nën thundrën e nacionalizmit dhe i bllokuar tërësisht në rrugën euroatlantike. Të gjithë ata që e kundërshtuan atë platformë apo akuzuan Shqipërinë për përfshirje në punët e brendshme të vendit fqinj rezultuan të gabuar.

Falë veprimit të mençur politik shqiptarët dëshmuan se janë gurë themeli i stabilitetit demokratik dhe diktues të rrugës euroatlantike të Maqedonisë së Veriut. Marrëveshja e Prespës, që i dha fund mosmarrëveshjes për çështjen e emrit me Greqinë, Traktati i Miqësisë me Bullgarinë që adreson çështjet e karakterit identitar, nuk do të ishin të mundura pa rolin dhe kontributin politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Për pasojë, nuk do të ishte e mundur as Maqedonia e Veriut në NATO dhe në tryezën e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Në planin e brendshëm, gjatë këtyre viteve u rrëzuan një e nga një kështjellat e monopoleve etnike. Nuk duhet të harrojmë se kur u zgjodh herën e parë Kryetar i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferri, u organizua një “puç” nga turma nacionaliste, e cila u fut në parlament dhe sulmoi deputetët. Por, kur u zgjodh për herë të dytë Kryetar Parlamenti Talat Xhaferri, nuk ishte më lajm, për shkak se kjo u konsiderua si diçka normale. E njejta gjë mund të thuhet edhe për pozicionet e tjera kyçe e përfaqësuese të shtetit që sot mbahen nga shqiptarët, me shpresën se në të ardhmen do të konsiderohen si një proces normal i një demokracie multietnike funksionale.

Rruga e përshkruar me mund e sakrifica nga shqiptarët në Maqedoninë e Veriut gjatë njëzet viteve të fundit më kujton bisedat interesante me Ali Ahmetin, i cili beson se “politika duhet të bëhet me mendjen akull, por me zemrën zjarr”. Përfaqësimi dhe bashkëpunimi ndëretnik nuk e ka arritur ende pikën e moskthimit, sidomos përsa i përket institucioneve të sigurisë, pjesëmarrjes në jetën ekonomike të vendit dhe zgjerimin e bazës së mirëqenies në shoqëri.

Pluralizmi politik mes faktorit shqiptar është i shëndetshëm dhe nxitës i progresit. Përfaqësimi i tij politik në parlamentin e ardhshëm duhet të sigurojë vijimin e kursit perëndimor të Maqedonisë së Veriut. Pasi përparimi i të drejtave të shqiptarëve është i lidhur ngushtë më kyçjen e Maqedonisë së Veriut në rrjedhat europiane.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY