Ka fakte të pakontestueshme se si prokurori i çështjes së hetimit të inceneratorit të Tiranës, ka fshehur provat që lidhin në mënyrë të drejtpërdrejtë kryebashkiakun Erion Veliaj me këtë mega vjedhje, tha sot anëtari i kryesisë së PD, Belind Këlliçi.
“Në vendimin e gjyqtares Irena Gjoka, për masat e sigurisë ndaj punonjësve të Bashkisë Tiranë, shihet fare qartë se prokurori i kësaj dosje, Dritan Prençi ka fshehur:
1. Shkresën e Erion Veliajt dërguar ish-Ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, në të cilën kërkonte miratimin për të zhvilluar këtë koncesion, kërkesë të cilës ish-ministri i Financave i përgjigjet negativisht.
2. Komunikimin shkresor të Erion Veliajt me ish-ministrin e Financave, Arben Ahmetaj, të cilit i ridërgon kërkesën për miratimin e fillimit të procedurave për këtë koncesion. Arben Ahmetaj me një gjuhe dhe më të prerë dhe kategorike, i rikujton Veliajt se kjo kërkesë nuk është e bazuar në ligj, se studimi është i paplotë dhe se mungojnë fondet për të përballuar këtë koncesion.
3. Shkresat e dërguara në Këshill të Ministrave të ish-Ministrit Lefter Koka, ku citohet shprehimisht se ky është një projekt i kërkuar me ngulm nga Erion Veliaj, për të cilin vetë kryebashkiaku kishte filluar dëgjesat publike, pasi e konsideronte si prioritar këtë koncesion.
4. Mbledhjen zyrtare të datës 28 shtator të vitit 2017, të Këshillit Bashkiak Tirane, ku Erion Veliaj me zë dhe figure mashtronte këshilltarët në vendimmarrjen e tyre, duke thënë se ky koncesion nuk do të sillte asnjë implikim financiar për Bashkinë Tiranë.
5. Të dhënat e dosjes hetimore ndaj Arben Ahmetajt, ku vetë drejtuesi i SPAK Altin Dumani si prokuror i kësaj dosje, përmend e-mailet e zyrtarëve të Bashkisë Tiranë, komunikime të cilat çuditërisht janë zhdukur nga dosja hetimore e Dritan Prençit.
6. Raportin e KLSH, të zhvilluar pranë Ministrisë së Financave ku citohet shprehimisht se Erion Veliaj nuk ka marrë miratimin e Këshillit Bashkiak për këtë kontratë koncensionare, e cila e futi Bashkinë Tiranë në një angazhim financiar 30 vjeçar, në vlerën 91 milionë euro”, listoi Këlliçi gjatë një konference shtypi tek selia e PD.
Sipas Këlliçit edhe pse kanë kaluar 3 muaj nga publikimi i këtyre fakteve, prokurori i dosjes së inceneratorit të Tiranës, vijon të pengojë hetimin e plotë dhe të thelluar të kësaj mega afere ndërsa qytetarët e Tiranës vijojnë të paguajnë 80.000 euro në ditë për një shërbim të cilin nuk e marrin, për një incenerator fantazmë që nuk ekziston. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/