Sekuestrohen në Kakavijë rreth 190 bizhuteri të ndryshme floriri dhe argjendi, 2 monedha floriri, 1 orë dore e markës “Rolex” dhe çelësa për hapjen e dyerve dhe kasafortave.
Vihen në pranga 2 shtetas gjeorgjianë që kishin fshehur në kroskotin e automjetit, këto bizhuteri, të cilat dyshohen të jenë të vjedhura.
Sekuestrohen edhe 6000 euro që u gjetën gjatë kontrollit në çantat e këtyre shtetasve, në dalje të RSh-së.
Si rezultat i angazhimit maksimal të shërbimeve të Policisë Kufitare të PKK Kakavije në bashkëpunim me shërbimet e Frontex, për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, krahas punës për ofrimin e një shërbimi cilësor dhe me etikë, qytetarëve në hyrje/dalje, është goditur një rast i kontrabandës së mallrave.
Në bazë të analizës së riskut, në dalje të vendit, u kalua për kontroll në vijë të dytë, automjeti me të cilin udhëtonin shtetasit U. E. dhe O. G., në kroskotin e të cilit u gjetën të fshehura bizhuteri të ndryshme (50 unaza, 21 varëse floriri, 12 varëse argjendi, 13 byzylykë floriri, 6 byzylykë argjendi, 53 vathë floriri, 32 medalione, 2 monedha floriri, 1 orë e markës “Rolex”, 1 varëse me perla dhe çelsa për hapjen e dyerve dhe kasafortave).
Gjithashtu, gjatë kontrollit në çantat e këtyre shtetasve u gjetën 6000 euro të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me bizhuteritë dhe çelësat.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u arrestuan në flagrancë shtetasit U. E., 32 vjeç dhe O. G., 36 vjeç, dy banues në Gjeorgji.
Vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve. r.k
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/