Komiteti Shqiptar i Helsinkit përmes një deklarate ka kërkuar që institucionet shqiptare të reflektojnë mbi ngjarjen e ndodhur me 30 qershor në aeroportin e Rinasit ku u grabitën miliona euro nga tre persona me maskë dhe armë.
KSHH, thekson se deri tani kur kanë kaluar mbi një muaj nga kjo ngjarje ende qytetarët nuk dinë se çfarë masash janë marrë nga kompania private që është përgjegjëse për sigurinë në Rinas. “Pavarësisht se hetimet për zbardhjen e ngjarjes kriminale vazhdojnë, qytetarët sot nuk janë të informuar se mbi kë rëndojnë përgjegjësitë institucionale të cenimit të sigurisë në aeroportin e Rinasit”, thuhet në deklaratën e KSHHsë.
DEKLARATA
Ka kaluar më shumë se një muaj nga ngjarja kriminale e ndodhur në aeroportin e vetëm ndërkombëtar në vendin tonë, e cila rezultoi me grabitjen me armë të valutës të huaj që po transportohej me automjet drejt një avioni. Grabitja e kryer vetëm në pak minuta, nga tre persona të armatosur dhe të maskuar, në zonën ku parkohen avionët, evidentoi pamjaftueshmërinë dhe problematika të sigurisë në këtë aeroport, i cili konsiderohet si objekti sigurisë kombëtare. Por mbi të gjitha, kjo ngjarje shkaktoi pasiguri tek mijëra qytetarë vendas dhe të huaj, të cilët janë përdorues të rregullt të këtij aeroporti.
Ditët që pasuan këtë ngjarje sollën në vëmendje të publikut fakte dhe pretendime të ndryshme por dhe kontradiktore si dhe deklarata të cilat pasonin përgjegjësitë institucionale me efektin ping pong ose i minimizonin ato. Në bazë të Marrëveshjes Koncesionare ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe Shoqërisë Koncesionare Tirana International Airport, siguria e perimetrit të jashtëm të aeroportit, ambientet hyrëse të terminalit si dhe sallën e kamerave, ishte përgjegjësi e kësaj kompanie. Media raportoi se problematika e sigurisë ishte konstatuar ndër vite në këtë aeroport, duke evidentuar shqetësimet e ngritura nga Komisariati i Policisë Kufitare Rinas drejtuar Autoritetit të Aviacionit Civil (AÇ) që në vitin 2014.
Pavarësisht këtyre shqetësimeve, nuk ishin marrë masa për zgjidhjen e problemeve të sigurisë në aeroport. Lidhur me këtë ngjarje, organi i prokurorisë nisi hetimet, duke urdhëruar ndalimin e 5 shtetasve, detyrat funksionale të të cilëve ishin të lidhura me sigurinë në këtë aeroport. Në hetim janë përfshirë dhe zyrtarët e Autoritetit të Aviacionit Civil dhe Ministrisë së Transporteve, pasi nga shqyrtimi i dokumentacionit dyshohet se kishin dijeni të problematikave me sigurinë që kishte aeroporti. Pavarësisht se hetimet për zbardhjen e ngjarjes kriminale vazhdojnë, qytetarët sot nuk janë të informuar se mbi kë rëndojnë përgjegjësitë institucionale të cenimit të sigurisë në aeroportin e Rinasit. Qytetarët sot nuk disponojnë ende një informacion nëse marrëveshja midis Këshillit të Ministrave dhe Kompanisë Kocensionare parashikon ose jo sanksione në rast të shkeljes së rregullave të sigurisë dhe nëse po a janë zbatuar sanksione të tilla mbas kësaj ngjarje.
Qytetarët sot ende nuk disponojnë informacion nëse ekziston nevoja për të rishikuar këtë marrëveshje dhe për të forcuar dhe rritur mekanizmat e përgjegjshmërisë së Kompanisë Koncesionare që i është besuar siguria e aeroportit ndërkombëtar. Qytetarët sot ende nuk kanë informacion se çfarë masash janë marrë për të përmirësuar dhe forcuar sigurinë në këtë aeroport dhe nëse këto masa janë të mjaftueshme për të parandaluar ngjarje si ajo e datës 30 Qershor apo edhe ngjarje të tjera kriminale që mund të cenojnë sigurinë e njerëzve dhe mallrave. Një numër i konsiderueshëm shtetasish shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, shtetasish të huaj në vendet fqinjë dhe shtete të tjera po përdorin në këtë periudhë pushimesh pikat e kalim kufirit të vendit tonë, duke përfshirë edhe Aeroportin e vetëm ndërkombëtar. Përveç pasigurisë, ngjarje të tilla si ajo e datës 30 Qershor ndikojnë edhe mbi lirinë e lëvizjes, e cila do të vështirësohej nëse do kishte braktisje të këtij aeroporti nga kompanitë serioze te fluturimit. Ngjarja e datës 30 Qershor kërkon reflektim nga institucionet përgjegjëse për sigurinë në këto pika kalim kufiri. Mirëqeverisja dhe llogaridhënia e organeve publike karshi qytetarëve të vendit kërkojnë gjithashtu nxjerrjen e përgjegjësive institucionale dhe ç’rrënjosjen e kulturës së pandëshkueshmërisë në vend.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/