Denoncimi i Mimoza Telës në Bregun e Lumit: Vijnë ata të PS...

Denoncimi i Mimoza Telës në Bregun e Lumit: Vijnë ata të PS dhe nabjapin 50-100 mijë lekë për votë. Jam e varfër, por nuk e shes votën!

29
0
Shares

Këto zgjedhje duket se do të jenë ndryshe për faktin se qytetarët kanë ndërgjegjen e duhur për të refuzuar ofrimin e parave në këmbim të votës. E pranishme në takimin elektoral të kandidatit të opozitës për bashkinë e Tiranës Belind Këlliçi, në Njësinë Nr.9, e moshuara Mimoza Tela, ka mbajtur një leksion demokracie para qindra qytetarëve dhe të pranishmëve.

_“Edhe pse jam e varfër dhe jetoj me 20 mijë lekë ndihmë ekonomike, refuzoj të shesë votën për 50 mijë lekë te Partia Socialiste_”, u shpreh Mimoza Tela.

Ajo tregoi dramën e jetës së saj, teksa tha se ishte një gjyshe që rriste dy nipër e mbesa të mitur, pasi vajza ishte e sëmurë. Mimoza tregoi një episod ku kryebashkiaku i Tiranës e kishte shtyrë, teksa ajo i kërkonte ndihmë, ndërsa ditët e fundit në banesë i shkojnë përfaqësues të PS, duke i bërë presion për votën.

_“Kam edhe një nip të vogël, e kam 3 vjeç e kam në kujdestari, e kam unë se nënën e vet e ka shumë të sëmurë. Merrsha, dmth, atë KEMP-in, ja hoqën dhe e çuan në KEMP-in epror. KEMP-i epror më kërkoi 600 mijë lekë, ku t`i gjeja unë ato 600 mijë lekë që unë të merrsha KEMP-in e gocës. I kam bërë letër Erion Veliajt, i kam shkuar, dhe e kam kapur prezent te liqeni dhe i kam thënë: jam shumë në gjendje të varfër, më jep një rrugëzgjidhje, më ka marrë kështu dhe më ka dhënë të shtyrën. Çfarë duhet të bëja unë?! Dhe për 20 vota që kam unë dhe ka thënë për të gjithë njerëzit, do t’ju japim nga 50 ose nga 100 mijë lekë. Brenda në shtëpi na kanë ardhur. Pyeti dhe tek lagjja tjetër aty. Kanë ardhur këta të socialistes. Para nja dy tre ditësh kanë ardhur mu tek shtëpia, moj te shtëpia vijnë. Unë po e deklaroj në mes të njerëzve këtu dhe po e them. Po deshe të vijë dhe kryeplakja te shtëpia ime, se vjen të bën presion, të vijnë të marrin me makinë, të çojnë te qendra e votimit, të japin dhe lekët. Pavarësisht se unë jam fukara, por lekët nuk i kam marrë. Kam Zotin lart dhe Zoti e di. Unë megjithëmend jam tu vujt, mos i paça ato dy jetima që i kam rritur me gjak trupi, dhe nuk kam marrë asnjeherë lekë nga këto të PS. I lutem të gjithë këtyre njerëzve që janë, gabohen ndonjëherë njerëzit u japin nga 50 mijë lekë dhe ia japin PS, ta them troç unë, s’di. Atë 100 mijë lekë që të jep ai, ta merr prapë te dritat ose ke taksat. Po të nesërmen ku do shkoj unë? Hajde njëherë te shtëpia ime, shife gjendjen e shtëpisë time, se si po jetoj unë. A ka më keq ku po jetoj unë ku me bukë e ku pa bukë. Me një jetim që e kam, se jetimin po e mbaj unë”_-pohoi Mimoza Tela.

Ky moment e preku jo pak Belind Këlliçin, i cili teksa falenderoi Mimoza Telën për kurajon dhe guximin që shpreh për të refuzuar shitjen e votës, ironizoi artistët dhe këngëtarët që bëjnë fushatë për Erion Veliajn, duke paraqitur një realitet tjetër të Tiranës.

_“Zonjë, ka momente që nuk ke përgjigje. Ky moment për mua është që të ngecin fjalët. Eshtë e paimagjinueshme se çfarë leksioni dhe ti, se çfarë të vërtete the, për të gjithë banorët, për të gjithë qytetarët dhe për të gjithë ata që shesin shpirtin për 50 mijë lekë, shesin votën për 50 mijë lekë. Dhe një njeri si puna jote, në këtë vështirësi ekonomike, t’i bëjë apel qytetarëve, mos shisni votën për 50 mijë lekë, kur ti merr 20 mijë lekë në muaj ndihmë ekonomike, është mesazhi më i vërtetë dhe më frymëzues që mund të jepet në një takim të tillë. Zonjë, prandaj politikanët nuk duhet të humbin kontaktin me popullin me qytetarët. Meqë Erion Veliaj të shtyu kur vajte i kërkove ndihmë, shtyje në 14 maj zonjë, hiqe, hape rrugën dhe më bëj të mundur që të bëj punë të mira për ty dhe për të gjithë qytetarët që janë në nevojë, për të gjithë qytetin e Tiranës. E ke ti në dorë në datë 14, të vjen ty në dorë Erion Veliaj në datë 14 maj. Të vjen ai ty në dorë. Uroj që Mimoza Tela të dëgjohet nga të gjithë qytetarët e Tiranës, por mbi të gjitha kam një apel për të gjithë ata VIP-a, që jetojnë në vila miliona euro, për ata këngëtarë, artistë, që mbështesin këtë realitet, që mbështesin Erjon Veliajn, të dëgjojnë Mimoza Telën dhe të kuptojnë se kush është realiteti sot në Tiranë dhe kush është sjellja e kryebashkiakut të Tiranës ndaj qytetarëve të vet_”-tha Këlliçi.

Belind Këlliçi prezantoi programin për Tiranën, duke theksuar se transporti publik falas do të jetë një e mirë për qytetarët, duke u ulur atyre kostot e jetesës. _“Unë vijë këtu tek ju sot dhe ju kërkesën kryesore keni rrugën. Dhe ju jap fjalën që praktikës së asfaltit electoral, unë do t’i jap fund. Dhe pas 14 majit do të punohet ditë-natë për të shtruar dhe asfaltuar me projekt dhe jo nga 10 herë rrugët e Njësisë Nr.9. Për të mundësuar ndriçimin publik, për të ndërtuar çerdhe, kopshte e shkolla. Për të ndërtuar të gjitha institucionet e arsimit parashkollor me kualitet, me cilësi në lagjet tuaja, për të bërë të mundur që t’ju ul një kosto tjetër jetese, prioriteti i parë, me autobusin falas duhet ta dini do të përfitoni 52 mijë lekë më shumë në muaj në xhep. Unë jam i djathtë, unë besoj se paratë janë më mirë kur janë në xhepin e qytetarit se në xhepin e politikanit. Besoj se është më mirë kështu. Kam në fokus uljen e kostove të jetesës edhe për shoferët në Tiranë, duke lehtësuar trafikun me nënkalimin te “Sheshi Skënderbej”, duke lidhur bulevardin “Zogu i Parë” me bulevardin “Dëshmorët e Kombit_”, tha Këlliçi.

Një tjetër premtim, ishte ai për ndërtimin e çerdheve, kopshteve dhe shkollave në të gjitha njësitë.

_“Unë vij me një projekt ku e kam premtuar se dy vitetet e para si kryetar bashkie do të dedikoj të gjithë taksën 3% për strehimin social, për të ndërtuar çerdhe dhe kopshte për të gjithë fëmijët e Tiranës. Dhe në vitin e tretë, dhe nëse do të ketë vetëm një fëmijë të vetëm në Tiranë, që do të mbetet jashtë sistemit, kryetari i bashkië do t’i paguajë familjes 100 mijë lekë në muaj pagesë për ta çuar në çerdhe apo në kopësht privat. Pse? Sepse e ka detyrim ligjor bashkia e Tiranës që t’i shërbejë të gjithë qytetarëve të vet”_-u shpreh Këlliçi.

Ulja e taksave për biznesin e vogël, do të sjellë mundësinë që të përfitojnë 45 mijë subjekte në qytet, duke u dhënë atyre lehtësim pas 14 majit.

_“Premtimi i katërt është për biznesin e vogël dhe për biznesin e mesëm, motorri i ekonomisë sonë. Janë 45 mijë subjekte në Tiranë, që janë 45 mijë familje, që paguajnë sot taksa njëlloj si në zonën e “Bllokut”, si në Njësinë Nr.9, si në Shëngjergj, si në Baldushk, ndaj unë kam premtuar uljen e taksave për biznesin e vogël në masën 30%, zerimin e taksës për infrastrukturën arsimore, e cila nga biznesi i vogël paguhet dy herë, një herë si biznes një herë si familje, dhe përgjysmimin me 50%, pra uljen me 50% të dy tarifave, tarifës së pastrim gjelbërimit dhe tarifën e hapësirës publike_”- u shpreh kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës.

Edhe në zonën e Bregut të Lumit, Belind Këlliçi përsëriti angazhimin e tij që pas 14 majit, prona e qytetarëve të mos preket, ndërsa qytetarëve t’u jepet dëmshpërblim me vlerën e tregut.

_“Atë që unë ju premtoj është se prona e askujt nuk do të preket, atyre që u janë prishur shtëpitë në mënyrë të paligjshme, do të dëmshpërblehen me vlerën e çmimit të tregut, në mënyrë të padiskutueshme. Sepse po flasim për familje që në momentin që ti i prish shtëpinë i ke prishur gjithçka. Këta nuk janë familje që kanë nga 3, 4, 5 apo nga 6 shtëpi, siç janë këta pushtetarët e sotëm që nuk dinë ku kanë shtëpitë. Dhe të mos kenë frikë edhe ata banorët që janë në pallatet mbi 50-vjeçare, edhe nëse do të ketë nevojë për auditim të godinave, do të jenë aty, do të jenë pjesë e komisionit për të parë çfarë ndodh me pallatet e tyre, të jenë ata vendimmarrës. Jo dikush tjetër të jetë vendimmarrës për shtëpitë e tyre. Kjo nuk ndodh më, ta harrojnë të gjithë këta që janënë pushtet sot_”-tha Këlliçi.

Të pranishëm në këtë takim, ishin ish-figura të rëndësishme të Partisë Demokratike ndër vite, si dhe përfaqësues të PL, dhe aleatëve të koalicionit Bashkë Fitojmë. Mes tyre, Shemsi Prençi, Besnik Mustafaj, Sali Shehu dhe deputeti Asllan Dogjani, i cili mori së fundi mandatin e deputetit.

Në takim ishte dhe Sekretari i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi. Teksa vlerësuan Belind Këlliçin si kandidatin më të mirë për Tiranën, apeluan që çdo qytetar ta votojë në 14 maj. a.b

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY