BELIND KËLLIÇI/ Çfarë do të bëj për Tiranën në 4 vitet që...

BELIND KËLLIÇI/ Çfarë do të bëj për Tiranën në 4 vitet që vijnë

40
0
Shares

Nga Belind Këlliçi

Ja ku jemi. Zbritëm në fushë si ekip.

Të nderuar qytetarë të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë,
Të dashur demokratë e opozitarë,
Të nderuar drejtues të Koalicionit Bashkë Fitojmë,
I nderuar z. Ilir Meta dhe Doktor Sali Berisha,
Të dashur miq!
Dua ta nis me një falenderim për të gjithë ju, kandidatët e Këshillit Bashkiak të Tiranës. Profesionistë me përvojë, ekspertë, profesorë, të rinj, të djathtë, të majtë, përfaqësues të komuniteteve që përbëjnë Tiranën e vitit 2023; një ansambël i vërtetë i vlerave tona gjithkrahinore.
Bashkë do të punojmë duke ndjekur parimin e gjithpërfshirjes, në respekt të çdo shqiptari që zgjedh të jetojë në Tiranë e që ka gjetur këtu miq, dashuri, mikpritje, punë dhe dije. Nga Shëngjergji në Kashar, nga Zall-Bastari në Vaqarr, nga Kombinati në Kinostudio, nga Blloku në Baldushk, nga Myslym Shyri në Ali Dem, ne jemi kryeqyteti.
Unë nuk do të lejoj diferencime.
Banorë të Tiranës!
Po ju drejtohem nga kjo arenë emocionesh. Kudo të banoni në territorin e bashkisë sonë, do të jeni të barabartë në shërbime dhe investime. Bashki do të thotë “bashkësi”, dhe ne bashkë do t’i zgjidhim problemet që ka sot Tirana.
Së bashku do të ndërtojmë kopshte, shkolla dhe çerdhe aty ku nuk ka. Fëmijët nuk do të zgjohen që pa aguar për të shkuar në shkolla kilometra larg tyre. Ju prindër në Astir e Unazë të Re, tek Liqeni i Thatë apo tek Kodra e Priftit, nuk do të nxitoni më nëpër Tiranë për të çuar në kohë fëmijët tuaj në shkollë. Shkolla do të vijë te ju, qendra shëndetësore do të vijë te ju, shërbimet e bashkisë do të vijnë te ju.
Atje ku ka fëmijë, ne do të çojmë dije, ku ka shkollë do të çojmë rrugë, ku toka u tha për një pikë ujë, do të çojmë ujë për vaditje. Atje ku ka vështirësi, një dorë do të trokasë në derën tuaj.
Nuk do të humbni asnjë ditë pune në Tiranë për të marrë një dokument. Do të gjeni gjithnjë hapur një derë ku t’ju shërbehet njerëzisht. Bashkia e Tiranës do të reflektojë traditën tonë të mikpritjes, të gadishmërisë për të ndihmuar këdo që na troket në derë.
Këtë ofroj unë, vërtetësi, mirësi, besnikëri , ndihmë, zgjidhje. Unë jam i pari që besoj në premtimet që kam dhënë, dhe a e dini pse? Sepse janë të gjitha të arritshme, 100% të realizueshme.
Jam i lumtur veç kur e mendoj që 200 mijë banorë që udhëtojnë çdo ditë me urban, nuk do të paguajnë më. Me këto rroga e pensione, ato para do t’ju duhen në xhep. Minimalisht 52 mijë lekë më shumë në muaj, do ti keni në xhepat tuaj dhe kjo jo vetëm 1 muaj para zgjedhjeve, por çdo muaj, për 4 vite me rradhë.
U them gjimnazistëve, studentëve, pensionistëve dhe të gjithëve ju që për të njëjtin shërbim mizerabël, jua rritën biletën në 400 lekë: Autobusi do të jetë pa pagesë! Kushton vetëm 6.8% të buxhetit të bashkisë. Taksat tona nuk do t’i marrin më bosat e inceneratorëve. Ju nuk do të mbani më me para ata që janë në kërkim nga drejtësia. Financimi i inceneratorit imagjinar të Tiranës do të ndërpritet urgjentisht! Jo 70 e 80 mijë euro në ditë, por as 400 lekë biletë autobusi nuk do ju marrin më!
Tirana nuk do të ketë dallim nga 250 e kusur qytetet anembanë botës që ofrojnë transport publik pa pagesë. Bëni hesap sa shpenzoni deri tani për 1 apo 2 linja vajtje-ardhje në ditë, e sa do të kurseni nga udhëtimi pa pagesë. Bëni llogaritë tuaja, sa orë kaloni në radhë për një abone, e cila pas 14 majit nuk do t’ju duhet më fare. Transport pa pagesë për qytetarët e Tiranës! Kjo çështje është e mbyllur.
Kam dëgjuar çudira nga kampi tjetër, por nuk kanë të krahasuar me problemet e përditshme që kam parë e dëgjuar nga ju këto muaj për Tiranën e vërtetë dhe jetesën e papërballueshme, për apartamentet e shtrenjta, taksat e larta, për ujin që e paguani 3-4 herë dhe nuk është i pijshëm; prandaj unë dhe ekipi im vijmë me një program për ta bërë Tiranën funksionale dhe të jetueshme për të gjithë.
Është e pafalshme të mos ndërtohet qoftë edhe një shkollë për një zonë me 70 mijë banorë, kur kryebashkiaku ka mbledhur plot 41 milionë euro, nga taksa e përkohshme e infrastrukturës arsimore, e cila pas 14 Majit, do të bëhet zero, si për qytetarët, ashtu dhe për biznesin.
Është e pafalshme të shpenzosh 61% të buxhetit të bashkisë për mobilje, dieta, karburant, shërbime luksi dhe paga për njerëz që nuk shkojnë në punë, e të lësh 1 milionë banorë me bidona në duar, qytetin pa trotuarë ku të lëvizin nënat me karroca, fëmijë pa oborr ku të luajnë, të rinjtë pa një qendër rinore.
Jo, nuk do të prisni pafundësisht. Më 14 maj Tirana ka një zgjedhje për të bërë, dhe ajo fillon nga duart tuaja.
Sot kemi miq nga e gjithë Shqipëria, prandaj unë ju drejtohem edhe juve që planifikoni të shpërnguleni në Tiranë. E di se keni hallet tuaja e nuk doni ta kaloni kohën të bllokuar në trafikun e tmerrshëm të Tiranës. Investimi më i mirë që mund të bëjmë për të lehtësuar trafikun, përvec autobuzit pa pagesë, është dhe zgjidhja përfundimtare për lidhjen e Bulevardit Dëshmorët e Kombit me Bulevardin Zogu I, përmes nënkalimit që do të ndërtojmë në Sheshin Skënderbej, pa prekur asnjë cm katror të sheshit apo parkingut nëntokësor ekzistues. Gjithashtu Tirana do të ketë 30% më shumë vende parkimi pa pagesë për banorët e saj.
Kështu do të ulim edhe ndotjen e madhe që kemi, prej së cilës kryesojmë listën e kryeqyteteve europiane me më shumë fëmijë astmatikë dhe renditemi si një ndër 10 kryeqytetet më të ndotura të Europës.
Për shëndetin tonë na duhen edhe oazët e gjelbër. 1 për çdo lagje. 200 metra katrorë për të ndërtuar një kënd të gjelbër nuk janë asgjë përpara batërdisë me 7.1 milionë metër katrorë leje ndërtimi që janë dhënë këto vite. Ja pra që është e mundur, nëse vendosim prioritet shumicën, qytetarët.
Në shumë rrugë të brendshme ndërtimet e larta bllokojnë depërtimin e dritës së diellit. Tirana nuk e sheh më, as malin e Dajtit dhe as Kullën e Sahatit.
Tirana jonë ka nevojë për frymëmarrje, për kënde pushimi për fëmijët dhe të moshuarit, ka nevojë për ajër më të pastër. Unë dhe ekipi im i kemi identifikuar këto hapësira, por si fillim ne do të orientojmë ndërtimin rezidencial nga përqëndrimi aktual në qendër, drejt poleve të qytetit, në mënyrë që Tirana të bëhet qytet policentrik, qytet proporcional, i zhvilluar dhe i jetueshëm edhe në periferitë e saj, atje ku planifikojmë të ndërtojmë parkingjet hyrëse për këdo që vjen këtu për të zgjidhur punë.
I kemi ndarë problematikat në dy kategori, brenda shtëpisë dhe jashtë pragut të saj. Uji është problemi më i madh që kemi në shtëpitë tona. Çmimin na e rritën me 44%, por uji vazhdon të vijë me orar të kufizuar dhe nuk plotëson asnjë standard për konsum të shëndetshëm. Objektivi im është t’i heq Tiranës depozitat e ujit mbi tarraca. Për këtë më duhet mbështetja juaj dhe gjykimi i ekspertëve.
Tani i drejtohem biznesit të vogël dhe biznesit të mesëm. Përse mendoni se politikat e kësaj Bashkie janë kaq armiqësore ndaj jush? Përgjigja është e thjeshtë, sepse ju përbëni shtresën e mesme të këtij qyteti. Kontigjentin më të lirë dhe të pakontrollueshëm nga pushteti. Sot lidhim një pakt sëbashku. Me paketën time të zerimit të taksës antikushtetuese të infrastrukturës arsimore, uljes së taksave të tjera si dhe përgjysmimin e tarifave, ju do të ndesheni me klimën më miqësore ndaj jush, që do t’ju mundësojë të rriteni vit pas viti.
Të nderuar bashkëqytetarë!
Pas 14 Majit, ju garantoj se asnjë metër katror gjelbërim nuk do t’i preket më parkut të liqenit artificial! Madje Bashkia e Tiranës do të ketë në territorin e saj edhe 6 parqe të reja.
Kështu do të veprojmë edhe përgjatë lumit Lana, i cili na bën sot të vetmin kryeqytet në Europë, që ujrat e zeza i derdh në mes të qytetit. Lana, lumi plot hijeshi i Tiranës do të bëhet realitet.
Këto projekte janë të realizueshme nëse ju të parët e kërkoni ndryshimin. E ky ndryshim tani është në duart tuaja.
Dua gjithashtu ti drejtohem grave të Tiranës, nënave dhe bashkëshorteve. Ne e dimë mirë se jeni të pazëvendësueshme kur bëhet fjalë për ta mbajtur të bashkuar familjen shqiptare. Nëse Tirana ndryshon, fëmijët tuaj do të kenë një të ardhme në Shqipëri. Unë kërkoj nga ju mbështetje, sepse e di peshën reale të fjalës suaj. Unë dua ti mbaj të bashkuara familjet tona, e ndërkohë ju garantoj se Policia Bashkiake, do t’ju ofrojë më shumë siguri për jetën tuaj në këtë qytet, i cili ka dëshmuar shpesh herë se është tepër agresive me ju.
Ndryshimi është në duart tuaja!
Në mbyllje, apeli im i shkon të gjithë të rinjve të kryeqytetit, të cilët e gjejnë të pamundur të nisin një jetë të vetën këtu, për shkak të kostove stratosferike të këtij qyteti. Cdo gjë që ne bëjmë sot, shkon vetëm për të ardhmen tuaj më të mirë. Për cmime më të përballueshme për apartamentet, për standard jete më të mirë, për karta studenti që përfshijnë nevojat tuaja reale dhe jo qokat e kryebashkiakut, dhe për infrastrukturë arsimore shumë herë më cilësore. Për këtë arsye, me 14 Maj, mos ikni nga qyteti, por dilni dhe VOTONI për të ardhmen tuaj.
Gjej rastin të falenderoj të gjithë ato grupe interesi, të cilat pavarësisht se nuk përmenden dot në një fjalë të shkurtër si kjo sot, i kam takuar gjatë turit tim të dëgjimit: Taksistët, zjarrfiksët, mësuesit, punëtorët, fermerët, pensionistët, artistët, barmenët, berberët, parukierët, animalistët, gazetarët, sportistët, ambjentalistët, mjekët dhe shoqërinë civile.
Jam krenar për programin dhe ekipin tim, që ju garantoj se është nga më të mirët që ka parë Tirana.
Gjithashtu falenderoj anëtarësinë dhe simpatizantët e Partisë Demokratike që më dhanë nderin të përfaqësoj alternativën e ndryshimit në qytetin tim. Kurrë nuk e kisha menduar ndonjëherë se ai djaloshi që shpërndante fletëpalosje për Partinë Demokratike nëpër Tiranë 14 vite më parë, sot do të ishte kandidati i saj për Bashkinë e Kryeqytetit.
Është tepër emocionuese për mua dhe njëkohësisht mesazhi më i fortë që marr, se me punë e vullnet, shpesh herë dhe me luftë, mund t’ia dalësh të arrish aty ku duhet.
Sa për mua, ju jap fjalën e nderit se sa herë të dal nga ajo zyrë e të na ndeshen shikimet përballë në rrugë, do të shihni po atë Belind besnik të qytetit të tij dhe të pa tjetërsuar nga politika.
Faleminderit Suzana, Zamir dhe Redi për gjithcka keni bërë për mua.
Faleminderit Anna, që gjithmonë besove tek unë.
Ju du Tirana!
Bashkë Fitojmë!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY