Kreu i PD, Sali Berisha ishte sot në Shkodër në përkujtim të 2 prillit 1991 ku qeveria e atëhershme e komunistëve vrau 4 protestues në këtë qytet. I nderojmë martirët e votës së lirë pas 32 vitesh, por mjerisht i nderojmë në kushtet e një monizmi të plotë, tha Berisha.
Pjesë nga fjala:
Tanket, autoblindat e ushtrisë u derdhën në qytetin bastion të anti-komunizmit. U derdhën mbi Shkodër, e cila qëndroi si epiqendra kryesore e anti-komunizmit në Europë.
Sakrifica sublime e Arben Brocit, Bujar Bishanakut, Nazmi Kryeziut, Besnik Cekës jehoi në mbarë botën e lirë. Ajo shënoi gjithashtu një vetëvrasje të vërtetë për diktaturën komuniste në grahmat e fundit. Bota pa se kjo diktaturë nuk pajtohej me votën e lirë. Se për këtë diktaturë, opozitarët, ata mendonin dhe votonin ndryshe, ishin armiq për t’u vrarë.
Sakrifica e martirëve të 2 prillit u shndërrua në një kushtrim për mbarë shqiptarët. Ata në fakt, u bënë dritë. Shpirti i tyre u bë dritë për shqiptarët në rrugën e përmbysjes në votën e lirë në 22 mars të diktaturës komuniste.
Ne sot i nderojmë martirët e votës së lirë pas 32 vitesh, por mjerisht, i nderojmë në kushtet e një monizmi të plotë. I nderojmë në kushte të njëjta me ato që ekzistonin ditën që ata ranë për t’u bërë të pavdekshëm. r.p
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/