“Do jem kryebashkiak i të gjithëve”, Belind Këlliçi në Kashar: Fshatrat do...

“Do jem kryebashkiak i të gjithëve”, Belind Këlliçi në Kashar: Fshatrat do të kenë investime dhe vemendje*

39
0
Shares

Kandidati i Opozitës për Bashkinë e Tiranës, Belind Kelliçi ka paraqitur programin e tij për lehtësimin e kostos së jetesës, pranë banorëve të Kasharit. Në takim ku merrnin pjesë dhjetra qytetarë, Këlliçi sqaroi dhe një herë se cilat do të jenë shtresat e shoqërisë që do të përfitojnë më së shumti nga transporti publik falas.

_“Unë këtë nuk po e bëj për të pasurit, nuk po e bëj për oligarkët. Këtë po e bëj për të rinjtë, për të moshuarit, për studentët, për familjet në nevojë. Për ata qytetarë të ndershëm që ndërrojnë nga dy linja autobusi në ditë, harxhojnë 1600 lekë në ditë transport, për të shkuar në punë, për të marrë një rrogë 450 mijë lekë apo 400 mijë lekë në muaj dhe paguajnë 10% të rrogës mujore për transport publik”_-u shpreh Këlliçi.

Kandidati i Opozitës tha se ndihet krenar që vjen si një kandidat, ku ndaj tij nuk ka një akuzë të vetme për abuzime me financat publike, sikundër ndodh me Erion Veliajn. Sipas Këlliçit, kryetari aktual i bashkisë ka ezauruar të gjitha veprat penale që përmban Kodi Penal, ku më e rënda është ajo për humbjen e jetës së Ardit Gjoklajt në landfillin e Sharrës.

_“Nuk kam asnjë akuzë që t`i kem prekur një qindarkë buxhetit të shtetit, që të kem firmosur një aferë korruptive, apo që t`i kem bërë një cent dëm vendit tim, apo Tiranës apo Shqipërisë. Dhe kjo është krenaria ime më e madhe. Përballë kam një të ri, se është ende i ri në moshë ai, që ka konsumuar çdo akuzë që ka Kodi Penal. Duke filluar që nga korrupsioni, lidhja me mafian, lidhja me Ndragheta, lidhja me mafian e plehrave, te ai djali i vogël që humbi jetën, Ardit Gjoklaj, që humbi jetën në landfillin e Sharrës, që unë nuk do e harroj kurrë dhe përherë do e përmend, se ja kam detyrim moral familjes së tij_”.

Më tej, gjatë bisedës, kandidati i Opozitës për Bashkinë e Tiranës, tregoi se si bashkia e drejtuar nga Veliaj, ka braktisur fshatin, duke mos kryer investime në zonat rurale. Ai u zotua se do të jetë një kryebashkiak në shërbim të të gjithë qytetarëve, ndërsa u angazhua se drejtuesit e njësive administrative jo vetëm që do të kenë më shumë kompetenca vendimarrëse, por ata do të zgjidhen nga vetë qytetarët.

_“U jap fjalën që gjëja e parë që do bëj është se do investojmë në infrastrukturë, se rrugët i keni në mëshirë të fatit. Do të ndjek me prioritet çështjen e ujit të pijshëm dhe ujit për vaditje sepse e di që e keni problem, sepse unë me ju jetoj, ju u takoj. Se të jetë për Erion Veliaj këtu i bie që të ketë 24 orë ujë të pijshëm 24 orë në ditë, por kjo nuk është e vërtetë. Do të jem një kryebashkiak në shërbimin tuaj. Njësinë administrative të Kasharit, kryetarin tuaj do ta zgjdhni ju vet dhe nuk do ta sjelli Belind Këlliçi. Do t`i japë më shumë kompetenca, do t`i delegojë më shumë vendimarrje”_,-tha Këlliçi.

Ai shtoi se zonat rurale do të kenë investime më shumë se kurrë.

_“Jo vetëm Kashari, i gjithë fshati në Tiranë, e gjithë kurora e Tiranës, të 140 fshatrat e Tiranës do të kenë investime më shumë se kurrë. Mos harroni një gjë, unë kam qenë deputet i zonës rurale dhe urbane në Tiranë. Mungesa e investimeve në fshatin e Tiranës është më e madhja në të gjithë Shqipërinë. Fshati i Tiranës është i lënë në harresë më shumë se çdo fshat i Shqipërisë. Këtë e ka bërë vetëm Erion Veliaj_”-shtoi Belind Këlliçi.

I pranishëm në takim, përfaqësuesi i Partisë së Lirisë, Endrit Brahimllari, në cilësinë e kandidatit për këshill bashkiak, u shpreh se Erion Veliaj është tmerruar nga premtimi i Belind Këlliçit për transportin publik falas.

_“Të gjithë ju po njiheni me planin ambicion të Belind Këlliçit si kryetar i ardhshëm i bashkisë së Tiranës. E tha Belindi, e ndjejmë ne kudo, në çdo takim që bëjmë me qytetarët, në çdo cep të Tiranës. Janë tmerruar nga transporti publik falas. Pse janë tmerruar? Sepse është ajo që kërkojnë qytetarët, transport publik falas, reduktim taksas, në mënyrë që ju të përballoni koston e lartë të jetesës_”-tha Brahimllari.

Gjatë fjalës së tyre, banorët konfirmuan se Erion Veliaj i ka lënë në harresë, madje disa prej tyre u shprehën se kryebashkiaku aktual ka urrejtje për Kasharin. Ndërsa qytetarë të tjerë, treguan disa nga problemet që shqetësojnë komunitetin e kësaj zone, të cilat kërkojnë zgjidhje.

_“Ne jemi zona më e persekutuar nga regjimi monist. Këto të vjedhin pronën, të vjedhin shtëpinë, çfarë nuk të vjedhin këto. Duam një orë në mëngjes dhe një orë e gjysëm kur kthehemi. Dmth nuk ka transport publik fare. Çfarë do bëni këtë? Çfarë do bëni për infrastrukturën rrugore. E ndërtoi Partia Demokratike, na thoshin si “Lasvegas i Vogël”, ndërsa sot jemi bërë si Kandahar për infrastrukturën rrugore. Çfarë do bëni për ujin e pijshëm? Kam një rast në fshatin Kus. Janë nja 10 familje, 50 metra poshtë depos së ujit, faktikisht atje uji shkon vet, por u kanë prerë dhe rrjetin dhe nuk marrin shërbim fare. Dhe çfarë do theni për shërbimin shëndetësor. Ky ka urrejtje për zonën e Kasharit, e ka thënë publikisht_”-u shprehën disa qytetarë.

Edhe në Kashar, një përfaqësues i sektorit të taksive, tregoi sesi nën qeverisjen e Erion Veliajt, ky biznes po shkon drejt falimentimit.

_“Me që jemi te transporti publik z.Kryetar. Unë jam një taksist, kam 14 vite që paguajë taksat te bashkia e Tiranës. Por ky faqezi, spaska të ndalur njëherë me kompanitë, që unë si individ që po mbajë shtëpinë me bukë, dhe tani erdha me taksi, lash punën dhe erdha vetëm për takimin. Po mbaj shtëpinë me bukë, ky po na nxjerr  piramidë_”-tha qytetari.

Belind Këlliçi u shpreh se sektori i taksive në Tiranë është në vështirësi për shkak të licensave klienteliste që ka dhënë Erion Veliaj.

_“Sepse është duke dhënë licensa kompanive të veta, këshilltarëve të vet, njerëzve të lidhur me interesa me veten e tij dhe po e bën që të falimentojnë njerëzit e shkretë që punojnë për të mbajtur familjen, që të pasurohet ky_”-tha Këlliçi.r.p

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY