Kryeministri Rama: Për pasaportat e arta po presim Gjykatën Evropiane, amnistinë fiskale...

Kryeministri Rama: Për pasaportat e arta po presim Gjykatën Evropiane, amnistinë fiskale do ta bëjmë

45
0
Shares

Kryeministri Edi Rama tha sot pas mbledhjes se këshillit të Stabilizim Asocimit se qeveria po vijon me ligjin për amnistinë fiskale dhe se për pasaportat e arta po pret të përfundojë një gjyq në Gjykatën Evropiane.

Edi Rama: Partia Socialiste që qeveris, qeveria nuk ofrojnë shërbime avokatie për askënd dhe kjo është një arritje domethënëse e Shqipërisë në një proces kur ne duam tani të hyjmë në një fazë të re me prokurimet publike. Duam të bëjmë të njëjtën gjë dhe po përgatisim një reformë që do të përmbysë tërësisht sistemin e zbatimit të prokurimeve publike që siç vlerësohet edhe nga raportet e Komisionit dhe nga qëndrimet e Këshillit, kanë bërë përparime të konsiderueshme, por heqja e prokurimeve nga duart institucioneve është objektivi ynë dhe për këtë po bashkëpunojmë me Agjencinë e Kombeve të Bashkuara, UNOPS me të cilët do të paraqesim shumë shpejt një platformë që do të transformojë komplet prokurimet publike dhe nuk do të ketë më zyrtarë të lartë që do të kenë lidhje me prokurimet publike. Ky është një tjetër revolucion që do ta ngrejë Shqipërinë në një tjetër nivel në aspektin e transparencës dhe në aspektin e luftës kundër korrupsionit sepse aty është një nga problemet kryesore.

Kemi folur për konvergjencën ekonomike. Ky është një diskutim që e kemi hapur me partnerët tanë të BE. Do të vazhdojmë ta bëjmë sepse ne besojmë që është koha që BE të bëjë një hap të konsiderueshëm përpara në aspektin e afrimit, jo përsa i përket procesit individual të integrimit, i cili duhet bërë nga të gjithë me shumë përpikëri dhe aty ne nuk kërkojmë as dhurata, as përshpejtime, as mbyllje sysh. Ne duam të bëjmë detyrat dhe duam të vlerësohemi vetëm për detyrat, por ama në aspektin financiar, Ballkani nuk mund t’i rezistojë gjithë këtyre goditjeve pa pasur një mbështetje që është mbështetje që buron nga koha ku jetojmë.

Hendeku ynë me vendet e tjera të BE që janë rrotull nesh, Greqia, Kroacia dhe të tjerë në përfitimin e mbështetjes europiane është marramendës. Ne nuk e përballojmë dot. Ballkani Perëndimor nuk e përballon dot këtë hendek që zgjerohet në kushtet kur jemi dhe të sfiduar nga vendet e mëdha që marrin njerëz, i paguajnë më mirë.

Përsa i përket pasaportave të arta kemi bërë të qartë që e kemi pezulluar procesin deri kur të sqarohet në nivel evropian qëndrimi. Ne nuk e shpikëm këtë, e morëm nga vendet e BE që e kanë zbatuar me sukses. Ka një çështje në Gjykatën Europiane, ne nuk do ta nxjerrim më këtë iniciativë në tavolinë pa parë si do të përfundojë çështja ne Gjykatën Europiane. Nëse Gjykata Europiane vendos kundër pasaportave të arta, kjo është një çështje e mbyllur. Nëse Gjykata Europiane vendor pro, atëherë çdo vend do të bëjë zgjedhjen e vete.

Kemi folur për amnistinë fiskale që është një tjetër temë. Qëndrimi ynë është i ditur. Ne vlerësojmë shumë angazhimin e Komisionit dhe të delegacionit për të na ofruar ekspertizë. Duam të vazhdojmë punën me ekspertët. Nuk heqim dorë thjesht sepse kjo nuk është një gjë e mirë në parim, sepse ne kemi të gjitha arsyet tona për të menduar që kjo është gjëja e duhur për Shqipërinë, por ama nga ana tjetër ne duam që këtë gjë ta bëjmë së bashku dhe prandaj ju falënderojmë për ekspertizën dhe duam t’i shkojmë deri në fund procesit të dialogut edhe të përmirësimit të drafteve. Sot është një draft komplet tjetër nga ajo që ishte në fillim, falë ekspertizës që ju na keni ofruar.

Dhe e fundit, kemi përfunduar edhe gjithë procesin e konsultimit për kanabisin mjekësor kështu që do të vazhdojmë në Parlament, duke pasur shumë të qartë jo vetëm se si e shkruajmë por edhe se si e zbatojmë dhe për këtë gjithë elementet e monitorimit janë mirëmenduar, por sigurisht do të gjykohet në praktikë.

Në mbyllje të kësaj hyrje dua t’ju falënderoj shumë dhe posaçërisht Komisionerin i cili si gjithmonë kur vjen në Shqipëri, por e kam vënë re edhe në vende të tjera, nuk vjen vetëm me buqetën e parimeve dhe të predikimeve, por vjen edhe më një portofol europian që e hap gjithmonë dhe më vjen shumë mirë që Komisioneri këtë herë ka ardhur me fondin për të filluar ndërtimin e kolegjit europian të Bryzhit në Tiranë. a.b

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY