Këlliçi takon qytetarët në njësinë nr. 3: Kjo betejë është për Tiranën,...

Këlliçi takon qytetarët në njësinë nr. 3: Kjo betejë është për Tiranën, jo për politikën e ditës

33
0
Shares

Në rrugëtimin që bëri në njësinë nr.3, kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, është mikpritur nga qytetarët, nga të cilët ka dëgjuar shqetësimet dhe kërkesat që pushteti vendor mund t’u japë zgjidhje.

“Realizova një dëshirë, sepse kisha qejf të të takoja”, u shpreh një nga banoret e zonës, e cila i ka uruar fitoren më 14 maj. “Më ndihmoni, sepse më 14 maj është për Tiranën kjo betejë, nuk është për politikën e ditës. Është vetëm për Tiranën, për qytetin.”, theksoi Këlliçi, takimet e të cilit janë pjesë e turit me moto “Jam këtu t’ju dëgjoj”. Këlliçi ka dëgjuar shqetësimet e tregtarëve në rrugët “Odhise Paskali” dhe “Hoxha Tahsin”. Si kudo në Tiranë, edhe në këtë rast tregtarët thanë se për shkak të varfërisë nuk ka më fuqi blerëse dhe mallrat detyrohen t’i shesin nën kosto. “Shumë dobët, më dobët s’ka ku të shkojë. Përfundojnë kalbësira.
E marr mallin 3 mijë lekë, do ta shes 3 mijë e 500. Përfundon 1 mijë lekë shitet. As njerëzit nuk hanë, as ne nuk shesim.”, tregoi një tregtare e fruta-perimeve.

“I kam dy fëmijët jashtë, një në Athinë, një në Gjermani. Bëjnë gjithë atë shkollë dhe ikin jashtë, se punët i ka partia. Unë banoj te Fresku. Ankesën e parë kam transportin publik, se udhëtoj 3 a 4 herë. Më shkon 1 orë.”, u ankua një tjetër banore.

“Zonjë, kjo lidhet me trafikun, me cilësinë e autobusëve, me shpejtësinë mesatare, me trafikun, sepse e kanë bërë batërdi. Janë ngushtuar rrugët. Janë shtuar makinat. Futja me kulla e me godina gjithë kohës, por këto makina, këta njerëz, ku ikin? Betonizo gjithë qytetin. Unë, çfarë ka bërë ky, nuk do ta bëj! Do të të ofroj zgjidhje pas 14 majit edhe për çmimin e transportit, edhe për cilësinë e transportit publik edhe për kohëzgjatjen. Do t’i zgjidh!”, ishte përgjigjja e Këlliçit për një nga problemet më akute të Tiranës, siç është paralizimi i qarkullimit në kryeqytet.

E dhimbshme ka qenë historia e një gruaje që ndaloi për të rrëfyer përvojën e saj në administratën aktuale.

Me lot në sy ndërsa takoi Këlliçin, ajo tregoi sesi i kishin kërkuar para për ndihmën e nënës së verbër që nuk jetonte më.

“Nëna ime të donte shumë, prandaj ndalova të të jap një përqafim. Nëna ime ishte me glaukomë edhe shkuam të kërkonim te kriminelët që të merrja unë që t’i bëja yzmet. Nuk më dhanë. Aq kriminela janë ata njerëz! Jam vajzë e vetme. Kemi jetuar me 170 mijë lekë pension për 10 vjet. Nuk kam punuar ndonjëherë. Ajo javës që kaloi ndërroi jetë. Të lutem mundini këta kriminela! I kërkuan një të verbëre 500 mijë lekë! Është krim more!”, ka treguar qytetarja historinë e saj të korrupsionit me administratën në pushtet.

Mërgimi dhe largimi masiv i të rinjve jashtë vendit ka qenë një temë që kandidati i PD-së për Tiranën e hasi kudo në takimet që pati për shkak të varfërisë dhe korrupsionit. Kudo në takime, qytetarët kanë kërkuar ndryshim dhe zgjidhjen e problemeve pas 14 majit. Gjatë këtyre javëve Këlliçi është angazhuar në takime të përditshme për të dëgjuar shqetësimet e qytetarëve, në bazë të të cilave do të hartohet program i fushatës për 14 majin nga ekipi i tij i ekspertëve. r.p

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY