Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka nisur një takim me krerët e grupeve parlamentare për t’u konsultuar lidhur me ngërçin e hedhjes së shortit për Këshillin e Lartë të Emërimeve në Drejtësi.
I pari që ka mbërritur në Presidencë ishte kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruci, rreth orës 10:55, më pas edhe kreu i grupit demokrat Edi Paloka, ai i Partise Republikane Fatmir Mediu dhe ai i LSI Luan Rama.
Pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese për Reformën në Drejtësi, më 21 korrik, kreu i shtetit duhet që brenda datës 16 gusht të organizojë shortin për zgjedhjen e 9 anëtarëve në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.
Por kreu i shtetit gjendet përballë një vendimmarrjeje të vështirë për mënyrën se si do të duhet të zbatojë këtë kompetencë të re që i jep Kushtetuta.
Pengesa për ushtrimin e një kompetence të tillë nga kreu i shtetit lidhet me faktin se ligji që do të detajojë kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët që do të aplikojnë nuk është miratuar ende në Kuvend.
Në këtë mënyrë përzgjedhja e 9 anëtarëve nga kreu i shtetit bëhet e pamundur. Disa ditë më parë, Kuvendi i Shqipërisë përmes një komunikimi shkresor i sugjeroi Presidentit Nishani të mos e ushtrojë formalisht kompetencën e tij thjesht për të respektuar afatet e vendosura nga Kushtetuta.
Në sugjerimet e tyre, juristët e Kuvendit sugjeronin se zgjidhja më e drejtë do të ishte që Presidenti të presë miratimin e ligjit përkatës, në mënyrë që të përcaktohen edhe kriteret përkatëse, mbi ta cilat do të zgjidhen anëtarët në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Burime nga Presidenca bëjnë me dije se i njëjti sugjerim kreut të shtetit i ka ardhur edhe nga Partia Socialiste.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/