ARTAN FUGA/ Si ka degraduar ligj-bërja në Kuvendin e Shqipërisë !

ARTAN FUGA/ Si ka degraduar ligj-bërja në Kuvendin e Shqipërisë !

81
0
Shares

Nga prof.dr. Artan Fuga

Nga që jam i interesuar për disa ndryshime ligjore që kam marrë vesh që dy a tre deputetë kërkojnë të bëjnë duke e përkeqësuar edhe më keq një institucion, (por do të kem kohë të shprehem për këtë), me sytë katër, m’u desh të hedh vështrimin te faqja e Kuvendit të Shqipërisë!

Hapa sytë nga çudia. Vetëm për periudhën janar – shkurt çfarë të shoh, aman o Zot! Nja tetëdhjetë çështje për shqyrtime normative dhe të tjera. Të gjitha do të kalojnë edhe në seancë plenare për t’u votuar, pasi të kalojnë nga komisionet.

Dheeeeee, 75 përqind e tyre thuajse ishin projekt-ligje të reja ose projekte amendimesh ligjesh tashmë në fuqi. Mesa më vjen ndërmend rreth pesëdhjetë përqind e tyre, mbi dyzet, ishin ndryshime ligjore të ligjeve që kanë hyrë në fuqi gjatë këtyre dy mandateve të kësaj qeverie dhe të mandatës së tanishme!

Si ka mundësi që në një muaj, pra në 25 ditë pune a pak më tepër a më pak, të kalohen nja dy a tre ligje a ndryshime ligjore në ditë. Kur i studjojnë ligjet këta deputetë? Kuptohet, përveç periudhave kur grinden, përjashtohen apo luajnë shah në kompjuterat e punës, në orarin zyrtar!

Se të bësh një ligj nuk është thjesht të lexosh si novelë a fejton nenet e tij. Duhet përgatitur, duhet studjuar konteksti, duhet konsultuar mirë dhe thellë e gjithë çështja.

Nuk kalon ligji pa debate, pa diskutime, pa korrigjime, shtesa, etj.

Dhe duke kaluar tre ligje në ditë pastaj ligjet nuk i qendrojnë kohës. Nja pesëdhjetë ligje ndryshohen këtë muaj pra pa kaluar dhjetë vjet nga hyrja në fuqi e tyre, dhe të nxjerra nga e njëjta shumicë parlamentare!!!

Ore mos ndonjëri nuk ka punë dhe prandaj tund derën! Mos ka ndonjë deputet që merr inciativa ndryshimesh sepse është korruptuar???

Nuk e përgjithësoj, por për ndonjë kam dyshime që prej kohësh po i testoj dhe verifikoj!

Vetë bë ligje, vetë ndrysho ligje, si të fryjë era, si ta sjellë hera, si t’i vijë për mbarë këtij apo atij grupi interesi, këtij apo atij oligarku apo çifligari institucioni, apo miqve dhe bashkëpuntorëve!!!

Kjo është një tallje me procesin legjislativ!

Si mund të kalohen nja pesëdhjet a gjashtëdhjet ligje në muaj? Si mund të ndryshohen ligjet kështu sikur të ishin gra haremi?

Kjo ndodh sepse si duket procesi ligjor në Kuvend nuk mungon të bëhet edhe thjesht si rregjistrim i kërkesave që vijnë nga ekzekutivi apo nga grupet e interesit të lidhur me pushtetin! Kjo vjen se deputetët nuk e lëvizin sa dhe si duhet menderen që për cdo ligj a ndryshim ligjor të konsultojnë elektoratin e tyre. Kjo vjen se ndofta një pjesë kanë mendësinë: Varja, kush po e vret mendjen, punë ligjesh mor burrë! Rëndësi ka të eci rroga!

Ndërkohë shumica ecën me sloganin “grusht bashkuar rreth partisë”! I kalon shpejt sespe nuk e mendon fare se mund të shtojë nuanca personale sa kohë që projektligji zbret nga lart!

Upupupu, larg qoftë!

Dhe ligjet pastaj, kaluar shpejt e shpejt, se mos guxon ndonjë deputet i shumicës që nuk i voton!!!

Nuk merret mendimi i vërtetë i grupeve të interesit. Mjaftojnë patronazhistët, aktivistët, arrivistë! As bëhet fjalë për t’u kaluar projektligjet në ekspertiza të gjëra teknike!

Dhe më qesharakja, ka ndonjë deputet, lolo, që për të njëjtin ligj që pesë vjet më parë ka qenë partizan i paepur për ta paraqitur si kulmi absolut i së drejtës, disa vjet më vonë, po ai, bëhet iniciator për ta ndryshuar ligjin që vetë ka stisur më parë! Ky tip është ai i deputetit “furçë këpucësh”!

Kjo gjendje mua më duket se jo vetëm ul kredibilitetin e deputetit, të deputetit të keq kuptohet, se pyll pa dera nuk ka – thotë populli – por cënon edhe nderin e deputetëve që kanë moral dhe personalitet, njëherazi na dëmton edhe ne si qytetarë, sepse bëhen ligje shkel e shko, çfarë e tregon fakti që ndryshohen sikur të ishin këmisha a kanotjere të vjetra!

E kanë idenë e ligjit apo jo?

Deputeti që nis të bëjë a ndryshojë një ligj, e ka pak haberin nga ajo fushë apo bën ligje për satelitë kur nuk është marrë veçse me trajtim folesh bletësh për mjaltë ariu!

Dhe mbi të gjitha si është e mundur që na i shfaq televizioni publik deputetët duke u kacafytur gjoja për politikë dhe nuk na paraqet procesin ligjëvënës kur dihet se Kuvendi këtë detyrë prioritare ka. Të bëjë ligje!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY