Në fillim të muajit maj lista e bizneseve që kanë deklaruar në tatime pezullimin e aktivitetit ishte rreth 91 mijë biznese, ndërsa me 1 korrik ku shënohet edhe azhurnimi i fundit nga Drejtoria e Përgjithshme e tatimeve numri i bizneseve pasive arriti në 95,089 biznese , duke u shtuar me 4000 të tjera vetëm për dy muaj, shkruan revista ekonomike monitor.al.
Aplikimi i një sistemi të ri informatik në tatime dhe ndryshimet në ligjin e procedurave tatimore në fillim të vitit që shkoi ka mundësuar krijimin e regjistrit pasiv të tatimpaguesve.
Kalimi nga regjistri aktiv në atë pasiv bëhet automatikisht nga sistemi informatik i tatimeve, duke shmangur tërësisht procedurën manuale të inspektorëve tatimore.
Një biznes kalon në regjistrin pasiv kur për një vit rresht nuk ushtron aktivitet tregtar dhe për pasojë nuk bën asnjë deklaratë tatimore. Gjithashtu bizneset pasive duhet të kenë shpallur pezullimin e Veprimtarisë në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.
Nisur nga këto zhvillime shihet se rreth gjysma e bizneseve në vend kanë pushuar aktivitetin (nga rreth 180 mijë biznese që raportohen statistikisht). Ministria e Financave ka sqaruar se këto biznese datojnë që prej vitit 1991 dhe ka pasur qindra e qindra parregullsi në pasivitetin e regjistruar të këtyre bizneseve ndër vite. Shumë prej tyre kanë falimentuar, por nuk kanë bërë procedurën e falimentit, shumë prej tyre janë mbyllur dhe nuk kanë bërë procesin e mbylljes, shumë kanë kaluar në pasivitet ligjor dhe nuk janë pastruar kurrë nga regjistrat.
Pastrimi i regjistrit është marre si një nga masat anti-evazion.
Kështu Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka krijuar edhe një regjistër me bizneset që realisht janë tatimpagues. Më pas ky regjistër duhet administruar në mënyrë rigoroze, duke i përjashtuar bizneset që nuk paguajnë për dy apo tre periudha tatimore rresht.
Bizneset mund të futen sërish në regjistër vetëm pasi të kenë shlyer detyrimet, por teksa lista e bizneseve pasive është publike, askush nuk mund të verifikojë listën e pastër të bizneseve.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/