Mund të peshkoni gjithandej por më mirë dhe më lehtë hidhi një sy guidës së peshkimit amator, çlodhës për bregdetin e Lezhës dhe do të keni mundësi të zgjidhni qoftë në kohë vere e pushimesh e qoftë në kohë dimri.
Guida ka 22 pika peshkimi të identifikuara në vend dhe të preferuara për peshkatarët që e ushtrojnë prej vitesh këtë mënyrë argëtimi. Guida është e publikuar në Facebook në shqip dhe anglisht, në Instagram në shqip dhe anglisht si dhe në You Tube
Secila nga pikat është e përcaktuar me ‘location’ ndërkohë që ofron të dhëna të bollshme në lidhje me peshqit apo speciet e tjera detare që mund të peshkohen.
Guida përmban edhe rregullat e peshkimit çlodhës e turustik duke shënuar kështu edhe rastin e parë kur një dokument i tillë vihet në shërbim të turistëve të peshkimit me grep.
Përvec të dhënave të peshkimit, guida ofron përmes videove dhe fotove pamje të mrekullueshme nga zona shumë prej të cilave shkelen rrallë nga banorë apo turistë, ndërkohë që mund të zbuloni edhe metodat e peshkimit tradicional por edhe ato të përshtatura përmes ‘një inovacioni’ që nuk do ju shkonte në mend. Ndiqni për këtë videot në Patok, Ishull Lezhë et.
Më poshtë është guida e peshkimit çlodhës (amator) për bregdetin e qarkut të Lezhës.
Guida është hartuar nga Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë dhe mbështetur nga PNUD Albania.
Guida e peshkimit çlodhës (amator) për bregdetin e qarkut të Lezhës
1.Hidrovori në Fushe Kuqe, lumin i Drojës, kanali i Shllinzës
Ky destinacion është pranë fshatit Adriatik, 1.9 km distancë e cila përshkruhet me makinë duke udhëtuar drejt jugut për 3 minuta ose për 23 minuta në këmbë.
Për të shkuar atje nga Tirana duhet të ndiqni rrugën Tiranë-Lac që kalon përmes autostradës Thumanë-Lac. Distanca nga Tirana në hidrovorin e Kanalit të Shllinxës është 49.6 km dhe bëhet me makinë për 1orë e 2 minuta. Nga Rinasi është 32,1 km dhe bëhet për 49 minuta.
Nga Lezha është 27.1 km dhe bëhet me makinë për 32 minuta.
Në autostradën Thumanë-Lac merrni krahun e djathtë për Lac dhe Patok nëse vini nga Tirana dhe nëse vini nga Lezha futeni djathtas për Patok rreth 200 metra pasi jeni futur në autostradë.
Nga autostrada deri në Patok është 7 km dhe përshkohet për 9 min.
Nëse do të vini nga ana e Patokut merrni për perëndim në qendër të këtij fshati dhe më pas ndiqni tabelat që ju orientojnë drejt fshatit Adriatik në Jug. Nga Patok udhëtoni për 3.1 km, distancë që përshkruhet për 4 minuta.
Peshkimi kryhet në të dy anët e kanalit përballë hidrovorit. Gjatë fundjavës dhjetra peshkatarë do të jenë gjithnjë të pranishëm bregut të kanalit deri në derdhjen në det ndërkohë që atje mund të gjuani qefull, levrek, caffër, bishtzezë, ngjala, gjuhëz.
Ndërsa gjuani mund të ndiqni edhe peshkimin që kryhet nga vendasit me mjete traicionale si kalimera, bilanc apo kariq.
Ka pak lëvizje si rezultat i numrit të vogël të banorëve në fshatrat rreth e rrotul kënetës së Patokut.
Por ngjitur me hidrovorin është bar restorant Shllinxa ku mund të shijoni gatime të shpejta tradicionale të zonës përfshirë edhe tavën me ngjala, tavë me pula të shtëpisë, djathë, turshi etj.
2.Patok, grykederdhja e lumit te Drojes
Nëse ndiqni deri në breg të detit kanalin ku ndodhet hidrovori, do të ndodheni në skajin jugor të luginës së Patokut ose sic njihet ndryshe grykëderdhja e lumit të Drojës.
Rruga nga hidrovori deri në fund është e parehatshme dhe është vështirë të shkohet me makinë. Shpesh këneta rrëmben edhe kufijtë e rrugës dhe mbulon me ujë trasenë, prandaj sugjerohet qe ajo të bëhet me këmbë ose bicikletë.
Për të shkuar atje nga Tirana duhet të ndiqni rrugën Tiranë-Lac që kalon përmes autostradës Thumanë-Lac. Distanca nga Tirana në afërsi të derdhjes së Drojës është 59.1 km dhe bëhet me makinë për 1orë e 6 minuta. Nga Rinasi është 3.2 km dhe bëhet për 45 minuta.
Nga Lezha është 28.1 km dhe bëhet me makinë për 35 minuta.
Tek grykëderdhja mund të shkoni më lehtë nga laguna e Patokut me një varkë që e merrni kundrejt pagesës bashkë me drejtuesin e saj për rreth 20-25 euro, që është pagesa e rrugës për t’ju dërguar në grykëderdhje dhe për t’ju marrë pastaj kur ju përmbyllni peshkimin.
E gjithë zona në grykëderdhje është perfekt për të peshkuar kryesisht qefull, ngjalë, levrek, çaffër, gjuhëz etj. Ndërkohë mund të kapni edhe gaforre blu , gjithnjë duke pasur kujdes nga kafshimet e saj.
Laguna mbyllet nga shtatori deri në shkurt kur është e mundur edhe gjuetia dhe më pas nga shkurti në shtator hapet. Kjo është një periudhë kur nuk gjuhet në lagunë.
Nëse jeni me fat përvecse rosave, zogjve shtegtarë mund të shikoni edhe pelikanin kacurrel, një specie e rrallë e mbrojtur e cila folezon në Patok.
Një vit më parë (2021), kanë qënë prezent 12 cifte. Ndërkohë nga janari deri në prill shpesh herë pushojnë në lagunë edhe flamingot.
Pikërisht në zonën e derdhjes së lumit të Drojës në det, nxirren disa lloje krimbash dhe karkalecash që i përdorin peshkatarët si karrem për të ndjellur peshqit. Ai quhet çigal ose arç, dhe gjendet përgjatë ujit të cekët. Ata që ushtrojnë këtë veprimtari bëjnë një rrethim të shkurtër të zonës me një rrjetë mbështetur në disa hunj ku më pas bie edhe krimbi apo karkaleci. Ai shitet në kuti që peshojnë jo më shumë se 200 gramë me nga 400-500 lekë të reja një kuti.
Pamja e kënetës së Patokut nga ky pozicion është e mrekullueshme ndërsa në një kohë të kthjellët nuk do të kishit dëshirë të largoheshit deri në sa të ndiqni edhe perëndimin e diellit.
Meqënëse vendi i peshkimit është i izoluar ju duhet të pajiseni me ushqim dhe ujë varësisht prej orëve të qëndrimit. Më pas duke përdorur varkën mund të frekuentoni një prej restornteve të shumta të Lagunës përfshirë edhe restorantin e Martinit në një rrip të ngushtë toke në mes të ujit.
Kjo pjesë e lagunës është e dhënë me koncesion dhe menaxhohet nga OMP (Organizata e menazhimit të peshkimit). Nëse do të peshkoni në lagunë mund të duhet një leje prej tyre e cila nuk përkon me ndonjë procedurë përvecse një komunikim. Zakonisht pagesa për një ditë peshkim nuk i kalon 500 lekë.
Ndërsa për pjesën e kanalit është i mjaftueshëm autorizimi nga bashkia e Lacit që ka brenda kufijve të saj këtë zonë.
3.Laguna e Patokut, tek restoranti Big Fish
Për të shkuar në këtë destinacion nga Tirana duhet të ndiqni rrugën Tiranë-Lac që kalon përmes autostradës Thumanë-Lac. Distanca nga Tirana në Lagunën e Patokut është 56.7 km dhe bëhet me makinë për 1orë e 4 minuta. Nga Rinasi është 39.2 km dhe bëhet për 51 minuta.
Nga Lezha është 25.6 km dhe bëhet me makinë për 31 minuta.
Në autostradën Thumanë-Lac merrni krahun e djathtë për Lac dhe Patok nëse vini nga Tirana dhe nëse vini nga Lezha kthehuni djathtas për Patok rreth 200 metra pasi jeni futur në autostradë.
Destinacioni i peshkimit është vendosur në skaj të argjinaturës ku janë vendosur restorantet e Patokut, një ndër vendet më të preferuara në veri të Tiranës për kulinarinë detare. Ai ndodhet përtej restorantti të fundit me mjaft mundësi për të ndryshuar pozicionin e peshkimit herë pas here në drejtim të jugut përgjatë rripit të ngushtë të tokës që laget në të dy anët nga laguna.
Kush peshkon në Patok:
Në lagunën e Patokut, zhvillohet kryesisht aktivitet familjar peshkimi, me veglat e peshkimit si mbrezhda, njica ( të dyja me një gjatë 50-60ml), dajlan, pinar, grepa. Tipi i gjuetisë është me rrethime, me mjete fikse (pinar, dajlan), por edhe me grepa. Mesatarisht gjuhet 14–18 ditë në muaj në kohën e gjuetisë që vijon për periudhën 1 tetor–14 mars të çdo viti.
Peshkimi i ngjalës nga grupet e peshkimit kryhet në formën e peshkimit artizanal me dajlan dhe në formën e peshkimit artizanal me paranca.
Peshkimi në Patok mund ta organizohet edhe si pjesë ekskursioni, lundrimin me varkë ndërsa keni me vete edhe mjetet e peshkimit e ndonjë zgarë
Në kasollet prej druri ndërtuar rreth restoranteve ju do mund të shijoni gatimin tradicional e të shijshëm. Në Patok, mund të gjesh peshk të disa llojeve, si: qefull, levrek, gjuhëz, çafra, ngjala, qefull vere; cumër, qefulli i vjeshtës, shpalcë, shojze, burdullak etj.
Lugina e Patokut merret me kultivimin e ngjalës, prandaj duhet shijuar. Ngjala peshkohet mirë natën kur ka bubullimë.
4.Patok tek restorant Cali, ura
Destinacioni ndodhet në vijim të brezit të ngushtë të tokës ku janë vendosur restorantet e Lagunës së Patokut, tek një urë që lidh dy anët e kënetës atë lindore me atë perëndimore, pranë bar restorant Cali.
Për të shkuar atje nga Tirana duhet të ndiqni rrugën Tiranë-Lac që kalon përmes autostradës Thumanë-Lac. Distanca nga Tirana në Lagunën e Patokut është 56.5 km dhe bëhet me makinë për 1orë e 3 minuta. Nga Rinasi është 39 km dhe bëhet për 50 minuta.
Nga Lezha është 25.4 km dhe bëhet me makinë për 30 minuta.
Vendi i peshkimit është mjaft i preferuar dhe ndërsa peshkoni keni mundësi që në restorantin më të afërt të shijoni dicka për të pirë apo ngrënë.
Peshqit që mund të kapni janë të shumëllojshëm si qefull, levrek, gjuhëz, çafra, ngjala, qefull vere, cumër, qefulli i vjeshtës, shpalcë, shojze, burdullak.
Ndërkohë edhe nga ura pamja që të ofrohet në të dy anët e saj është e mrekullueshme. Ndërkohë mund të soditni jo rrallë zogj të ndryshëm ujorë si lejlekë dhe rosa që lëvizion nëpër qoshkat e ndryshme të kenëtës.
5.Patok grykederdhja e lumit Mat (peshkim me varke)
Është një destinacion i fshehur përtej dunave të Lagunës, në një prej vendeve më të bukura në Shqipëri, destinacioni arrihet vetëm me varkë. Sapo të arrini në Lagunën e Patokut zgjidhni të parkoni makinën tuaj tek restoranti Royal blu ku ka parkim të bollshëm. Afër tij janë të parkuara shumë varka dhe peshkatarët janë gjithmonë rrotull. Dikush nga restoranti do ju ndihmojë për të marrë një varkë bashkë më një drejtues që do t’ju çojë në një pikë peshkimi në afërsi të grykëderdhjes së Matit.
Por ndërkohë udhëtimi deri aty do të jetë ndër më mbresëlënësit. Pamja është e rrallë, me kanali uji, brigje të izoluara mbushur me barishte dhe shkurre ndërsa shpesh lundroni nën rrjetat e bilanceve apo zogjtë e shumtë ujorë që nga rosat deri tek pelikanët.
Këtu mund të ndiqni edhe një prej mënyrave më të vecanta të përdorimit të teknikës në kushtet kur nuk ka energji elektrike që të vëjë në punë çikrikët e rëndë të bilanceve të gjera ndonjëherë edhe më shumë se dhjetë metra.
Siç duket në video më sipër çikrikët lëvizin përmes motorëve të veturave. Vetura të vjetra janë sjellë aty me varka dhe janë stacionuar në ledhet e kënetës si dhe në anët e lumit Mat.
Veturat janë në gjendje për tu ndezur dhe për të vënë në lëvizje boshtet që mbanin dikur gomat e makinës. Në vend të gomës janë ndërlidhur kabllot apo litarët që lidhen me bilancin. Dhe ulja e ngritja e bilancit komandohet me motorin e makinës që lëviz boshtin e gomës. Kur ulet bilanci lëviz marshi që supozohet se shtyn makinën para, ndërsa kur bilanci ngrihet, makina vendoset në pozicionin ecje mprapa.
Harxhohet pak karburant por bilanci mund të lëvizë në shumë më tepër frekuenca se sa mund të bëhëj ulja e ngritja e tij në mënyrë manuale.
Ndërsa vendosni të peshkoni mund të bisedoni me peshkatarët vendas që janë shumë mikpritës dhe mund të provoni ndonjë gotë raki me ta.
Në këtë zonë mund të gjuhen të gjithë peshqit e Adriatikut që preferojnë edhe ujërat e ëmbla afër bregut si levreku, koca, çafërr, bishtzezë, spalc, barbun, karkalec, ngjalë etj.
Ndërsa pasi keni mbaruar peshkimin mund të shijoni në një nga restorantet e Lagunës peshk të freskët të zgarës, fruta deti të zgarës, bukë misri me shëllirë apo krem qumështi si dhe karkalecë të kuq krudo, ngjala të pjekura të rritiura në ujin që qarkullon poshtë tavolinës tuaj, të cilat më mirë shoqërohen me raki se sa me verë të bardhë.
6.Bregdeti i Tales, afer Bar restorant USA
Plazhi i Tales një ndër më të rinjtë në Shqipëri shtrihet në rreth 6 km nga grykëderdhja e lumit Mat në veri të Lagunës së Patokut e deri në nisje të Lagunës së Vain në veri.
Për të shkuar atje nga Tirana duhet të ndiqni rrugën Tiranë-Lezhë që kalon përmes autostradës Thumanë-Lac për të vijuar më pas në rrugën drejt Lezhës. Në kryqëzimin e Tales kthehesh majtas dhe vijon drejt deri në hyrjen e plazhit dhe për 7km që përshkohet me makinë për 9 minuta ndodhesh në plazh. Distanca nga Tirana në Plazhin e Tales është 55.7 km dhe bëhet me makinë për 1orë. Nga Rinasi është 41.6 km dhe bëhet për 40 minuta.
Nga Lezha është 16.3 km dhe bëhet me makinë për 22 minuta.
Në plazhin e Tales mund të peshkohet në të gjithë gjatësinë e tij në kohën kur nuk ka pushues megjithatë ka disa vende që janë më të preferuara për peshkatarë, varësisht prej rrymave apo prurjeve që vijnë nga ujërat e embla që derdhen në det.
Destinacioni për peshkim afër bar restorant USA është i preferuar për peshkatarët. Në breg mund të shikosh grumbuj të mëdhenj guackash dhe mbeturinash peshku apo gjallesa të tjera detare çfarë tregon për një faunë të pasur në afërsi të kësaj pike që nuk e gjen kaq të dendur në pjesë të tjera të plazhit.
Mund të kapësh qefull, levrek, koc, rombo, gjuhëz, çafërr, cumër , gjuhëz apo burdullak.
Përvec stinës së verës, gjatë kohës tjetër baret dhe restorantet janë të mbyllura përvecse në qendër të plazhit ku qëndrojnë banorë lokalë apo turistë të veçuar.
Plazhi ofron qetësi dhe prehje ndërsa peshkon kurse pamja në të gjitha drejtimet të ofron një bukuri nga bregdeti shqiptar. Nga ana e bregut shtrihet parku i Bregut të Matës, një destinacion për zogjtë ujorë por edhe peshqit që ndajnë preferencat mes ujërave të ëmbla dhe të kripura.
7.Bregdeti i Tales, ngjitur me “Viking beach bar”
Edhe ky destinacion që ndodhet në plazhin e Tales ka të njëjtat karakteristika si ai afër bar restorant USA. Baret e mbyllura të zonës ndërtuar prej druri dhe kombinuar shkujdesshëm të kujtojnë shtëpizat e peshkatarëve.
Destinacioni te bar ‘Viking” është një përshtatje perfekte me zonën e plazhit që përballë ka detin e kaltër dhe nga pas gjolet që kanë mbetur nga dimri kur herë deti kapercen mes ulluqesh prej rëre deri në skajin e barishteve dhe shkurreve apo ujërat e kanaleve lidhen me detin për shkak të shirave. Ky destinacion ndodhet në skajin jugor të Parkut të Bregut të Matës dhe të ofron gjithashtu pasurinë bimore dhe shtazore të kënetës po aq sa edhe të detit.
Afria me grykëderdhjen e lumit Mat i jep hapësirës në këtë zonë disa karakteristika për peshkim të afërta me ato të lagunës së Patokut.
Distanca nga Tirana në këtë destinacion është 55.8 km dhe bëhet me makinë për 1orë e 5 minuta. Nga Rinasi është 43.7 km dhe bëhet për 44 minuta.
Nga Lezha është 18.4 km dhe bëhet me makinë për 29 minuta.
Për të shkuar atje nga Tirana duhet të ndiqni rrugën Tiranë-Lezhë që kalon përmes autostradës Thumanë-Lac për të vijuar më pas në rrugën drejt Lezhës. Në kryqëzimin e Tales kthehesh majtas dhe vijon drejt perëndimit për 7km, distancë që përshkohet me makinë për 9 minuta deri në plazh.
Mund të kapësh qefull, levrek, koc, rombo, gjuhëz, çafërr, cumër apo burdullak, peshk pëllumb, gjilpërë. Ndërkohë nëse keni pajisje me vete dhe mendoni të peshkoni edhe nga brenda në det mund të hasni nëkarkalecë dhe oktapod. Natyrisht edhe gaforren blu.
8.Tale, afer bar restorant Beni
Pika e peshkimit afër restorant Beni është një hapëisrë tjetër e Plazhit të Tales ku mund të kesh fat në peshkim. Ajo vendoset në skajin verior të kënetës së vogël që zgjatet që nga jugu i Parkut të Bregut të Matës. Pikërisht në afërsi të kësaj pikë ndodh gjatë shirave dhe baticave të detit shkëmbimi i ujërave të kripura me ato të embla.
Kjo e bën këtë pikë më tërheqëse për peshkim për shkak të faunës më të pasur nga ky shkëmbim.
Distanca nga Tirana në këtë destinacion është 56.9 km dhe bëhet me makinë për 1orë e 2 minuta. Nga Rinasi është 42.9 km dhe bëhet për 41 minuta.
Nga Lezha është 17.6 km dhe bëhet me makinë për 25 minuta.
Gjatë peshkimit mund të hasësh në qefull, levrek, koc, rombo, gjuhëz, çafërr, cumër apo burdullak. Ndërkohë nëse keni pajisje me vete dhe mendoni të peshkoni edhe nga brenda në det mund të hasni në karkalecë dhe oktapod. Natyrisht edhe gaforren blu.
Në këtë zonë mund të hiqni dorë nga imituesit e blerë në dyqane. Gjatë rrugës për Tale mund të gjeni kuti me krimba ose karkaleca për gjueti që shiten nga ambulatorë përgjatë rrugës nga Laci në kthesën e Tales. Një kuti përmban një sasi të konsiderueshme krimash apo karkalecash për gjueti që kushton vetëm 400-500 lekë.
9.Hidrovori i Tales
Ky destinacion është në skaj të plazhit të Tales dhe në nisje të lagunës së Vainit, pjesë e parkut të mbrojtur kombëtar të Kune Vain.
Ju mund te ecni përgjatë plazhit të Tales dhe më pas të merrni në të djathtë për të dalë nga plazhi duke vijuar në rrugën Tale Rrilë.
Vetëm disa dhjetra metra nga bregu i detit është hidrovori.
Distanca nga Tirana në këtë destinacion është 58.4 km dhe bëhet me makinë për 1orë e 2 minuta. Nga Rinasi është 44.4 km dhe bëhet për 41 minuta.
Nga Lezha është 13.4 km dhe bëhet me makinë për 26 minuta.
Në të dy brigjet e kanalit në afërsi të hidrovorit mund të zihet peshk levrek, koc, çafërr, bishtzezë, cumër apo burdullak, por edhe ngjala dhe gjuhëz.
Peshku grumbullohet në kanal për shkak të ushqimit që mblidhet nga ujërat e kanaleve që qarkullojnë fushat e Lezhës dhe tërhiqen për në det nga hidrovori i Tales.
Shpesh hidrovori nxjerr peshq të dëmtuar nga helikat e pompave. Nuk rekomandohet grumbullimi i tyre për shkak të infeksioneve që mund të jenë marrë nga plagët për shkak se ujërat që qarkullojnë në hidrovor janë të mbledhura nga të gjitha fshatrat në lindje të tij dhe nuk kanë kaluar më parë në një kolektor pastrimi.
10.Lagune Kune Vain, stacioni i peshkimit. Pika panoramike
Janë dy destinacione pranë njëri tjetrit në një distancë jo më shumë se 200 metra brenda lagunës së Vainit e cila është një zonë e mbrojtur ndërsa peshkimi kryhet me ndërmarrje private peshkimi e kontraktuar apo përzgjedhur me garë nga ministria e Bujqësisë.
Por peshkimi çlodhës nuk përbën ngarkesë për menaxherët e lagunës kështu që peshkimi me grep tolerohet prej tyre në sezonet e lejuara të peshkimit, shpesh përkundrejt një pagese prej 500-1000 lekë.
Laguna e Vain ndodhet në jug të lumit Drini dhe është pjesa jugore e parkut të mbrojtur natyror, lagunës KuneVain.
Kufijtë e tij janë në veri të lumit Drin, në lindje fshatrat e ishullit Lezhë dhe Rrile, në jug kanali i rrjedhjes së ujërave të larta dhe në perëndim deti Adriatik.
Distanca nga Tirana në këtë destinacion është 58.8 km dhe bëhet me makinë për 1orë e 2 minuta. Nga Rinasi është 44.8 km dhe bëhet për 42 minuta.
Nga Lezha është 13 km dhe bëhet me makinë për 24 minuta.
Për të shkuar nga Tirana kalohet përmes plazhit të Tales, hidrovorit dhe kthehesh majta në një rrugë të parrahur. Ecën drejt kësaj rrugë që ndan lagunën nga kanali i ujërave të larta duke vijuar deri në një shesh pak më të gjerë të bregut të kanalit, ku mund të lini makinë dhe të peshkoni ndanë kanalit.
Ndërkaq për afro 200 metra me makinë arrini në një stacion peshkimi. Ky është edhe skaji i rrugës nga ana e plazhit të Tales. Me pjesën tjetër të lagunës mund të lidhesh vetëm përmes një ure për këmbësore për të dalë në rrugën që lidh lagunën me Ishull Lezhë dhe më pas me Lezhën.
Ngjitur me stacionin është një pikë panoramike ku mund të shijoni hapësira të mrekullueshme të lagunës, ngastra pyjore dhe detin, kombinuar kjo me tufat e zogjve ujore shpesh mes tyre edhe flamingot.
Pamja është mbresëlënëse dhe një shëtitje me varke ose peshkimi nga varka që lundron do të ishte një tjetër atraksion për të shijuar po aq sa peshkimin dhe natyrën e një prej vendeve më tërheqëse të Shqipërisë.
Peshqit e lagunës së Vainit janë qefull vere, cumër, vijoshi, qefulli i vjeshtës, levrek ngjalë, koc, vope, shpalcë, gjuhëz, shojze.
Nëse preferoni peshkim me grep nga varka mund ta kërkoni këtë në stacionin e peshkimit ku ndodheni dhe përkundrejt një pagese që negocohet në vend por nuk është më shumë se 2000 lekë, mund të lundroni në lagunë për të paktën dy orë.
11.Bregdeti i Vain pas restorantit dhe ures
Nëse vini nga ana e lagunës së Vainit e parkoni makinën tek shtëpiza e peshkatarëve që ndodhet ndanë urës, ecni në këmbë përmes urës dhe merrni majtas në drejtim të bregut të detit.
Distanca nga Tirana në këtë destinacion është 69,6 km dhe bëhet me makinë për 1orë e 14 minuta. Nga Rinasi është 48.3 km dhe bëhet për 50 minuta.
Nga Lezha është 10.2 km dhe bëhet me makinë për 19 minuta.
Nëse vini nga e Ishull Lezhë atëherë do merrni djathtas dhe pastaj një nënkalim majtas në rrugën Tiranë-Lezhë, tek mbikalimi i Ishull Lezhës me drejtim Ishull Lezhë. Rruga është e mirë dhe panoramike, merrni drejtim rruga e Vain majtas deri sa arrini në pikën që të drejton për tek restorant ‘Diella’. Vazhdoni edhe pak më tutje rrugës deri në fund të saj në bregun e kanalin lidhës të lagunës atu ku mbahet edhe ura e drunjtë për këmbësorë. Kthehuni djathtas në buzë të urës dhe ndiqni një rrugë që të shpie tek një tjetër restorant “Buzë detit”. Lini pas restorantin dhe per 20 metra jeni në breg.
Plazhi i Kune Vain zgjatet në të dy anët ndërkohë që ju mund të zgjidhni edhe vendin tuaj të peshkimit gjithnjë duke konsideruar distancën 200 metra nga pushuesit kur është sezon plazhi.
Shumë peskatarë amatorë zgjedhin pjesë të bregut të detit që kanë ndonjë lidhje qoftë edhe stinore me lagunën afër. Kjo për shkak se prania e peshkut rritet në zona të tilla dhe bëhet fjalë për peshq mjaft të shijshëm si levrek, koc.
Ju mund të kapni vec kocit e levrekut edhe qefull,vope, shpalcë, çafërr si edhe gaforre blu.
Ndërkq zona e lagunës shfrytëzohet edhe për turizëm të vëzhgimit të shpendëve të shumtë ujor që shumohen në këtë kënetë. Sipas studiesve vendas të florës e faunës së zonës në hapësirën ligatinore Tale, Vain, Kune gjenden 196 lloje shpendësh migratorë dhe të perhershëm, 17 lloje molusqesh, 59 lloje krustacesh, 10 lloje amfibesh, 24 lloje reptilësh, 26 lloje peshqish.
Kjo është zona e parë e mbrojtur në Shqipëri, që nga viti 1940.
Zona shtrihet në të dy anët e grykëderdhjes së Drinit të Lezhës dhe në jug vazhdon me kënetat e tokat e ulta bregdetare të Tales që ndodhen në pjesën veriore të grykëderdhjes së Matit.
Ndër zogjtë që shihen më së shpeshti në lagunë janë, grilla, rosa e përhime, rosa bishtëgjelë, sqepluga, marsatorja, shapka e ujit, bajza, pëllumb i egër, shapka, turtulli, shkurta, lauresha, pelikani, kaçurrel, kryekuqja e mjeme, kryekuqja e vogël, zhytraku i madh, karabullaku i madh, kredharaku i madh, pelikani rozë, çafka e përhime, karabullaku i vogël, murrcaku, dallëndyshja faqebardhë e detit.
Ndërkohë në anën e Kunes për nga Ishulli i Lezhës përvecse argëtoheni me një peshkim të bereqetshëm mud të zhvilloni disa aktivitete të tjera në natyrë si shëtitje me biçikleta. Përgjatë rrugës Ishull Lezhë deri në kanalin që derdh ujërat e Tales përvec rrugës së asfaltuar është edhe një korsi dedikuar atyre që preferojnë të ecin me bicikletë apo shëtitje ose vrapim në këmbë.
Në të njëjtin destinacion peshkimi mund të ktheheni pak metra në breg të lagunës dhe të vrojtoni zogjtë e panumërt, ndërkohë që nëse preferoni një natë në këtë ambient dhe ta shijoni atë si të tillë ka edhe një kamping.
12.Ishull Lezhe, afër hotel Rambuje në urë
Destinacioni ndodhet në drejtimin e lumit Drin të Lezhës i cili për disa kilometra qarkullon në shtratin e tij përmes një rripi të ngushtë toke mes lagunës Vain dhe Kune.
Distanca nga Tirana është 66,7 km dhe bëhet me makinë për 1orë e 8 minuta. Nga Rinasi është 45.4 km dhe bëhet për 44 minuta.
Nga Lezha është 7.2 km dhe bëhet me makinë për 13 minuta.
Nëse vini nga Tirana, atëherë do merrni djathtas dhe pastaj një nënkalim majtas në rrugën Tiranë-Lezhë, tek mbikalimi i Ishull Lezhës me drejtim ishull Lezhë. Rruga është e mirë dhe panoramike, mbani drejt deri në fund sipas rrugës ishull Lezhë deri sa arrini në destinacion afër hotel Rambuje.
Nuk është pikë peshkimi në breg të detit por në breg të lumit Drin nga njëra anë dhe në më pak se 20 metra mund të peshkoni nga ana tjetër në lagunë. Është pjesa më e ngushtë e rripit të tokës që ndan lagunën e Vainit nga lumi Drin dhe lumin Drin nga pjesa e lagunës së Kunes.
Kjo e bën destinacionin tërheqës për pamjen e mrekullueshme ku po ashtu si në pikat e tjera të Kune Vain mund të soditni zogjtë dhe pamjet e rralla e surprizuese të kombinimeve lagunë-lum.
Mund të peshkoni çafërr, ngjalë, qefull, spalc por edhe gaforre blu.
Pas peshkimit mund të drejtoheni në një nga restorantet e shumta që janë përgjatë rrugës dhe të shijoni gatimin me tipik të zonës, peshkun në prush. Bëhet fjalë kryesisht për pjekjen në prush pa vaj dhe erza të qefullit, levrekut apo kocës së vogël direkt mbi prushin e krijuar nga djegia e drurit.
Ndërkaq vendasit të ofrojnë sallatë dhe gatime të tjera me perime plot aromë, bukë misri, turshi dhe ullinj të kopshtit të tyre.
Zgjidhni vetë nëse do të shoqëroni vaktin me raki apo me verë të prodhuar në mënyrë artizanale.
13.Ishull Lezhe, afër restorant Këneta
Është një destinacion që ndodhet përgjatë rrugës që lidh fshatin Ishull Lezhë me detin, në brigjet e kanalit që lidh lumin Drin me lagunën e Vainit, pranë grykederdhjes së Drinit në det. Pranë ka restorant “Këneta” ndërsa peshkatarët zakonisht gjujanë mbi urë, në të dy anët e kanalit lidhës mes Drinit dhe lagunës si dhe në anët e lagunës dhe lumit.
Distanca nga Tirana është 68.5 km dhe bëhet me makinë për 1orë e 15 minuta. Nga Rinasi është 47.3 km dhe bëhet për 50 minuta.
Nga Lezha është 9.1 km dhe bëhet me makinë për 19 minuta.
Nëse vini nga Tirana, atëherë do merrni djathtas dhe pastaj një nënkalim majtas në rrugën Tiranë-Lezhë, tek mbikalimi i Ishull Lezhës me drejtim ishull Lezhë. Rruga është e mirë dhe panoramike, mbani drejt deri në fund sipas rrugës ishull Lezhë drejt detit deri sa arrini në destinacion afër restorant ‘Këneta’.
Pavarësisht se është një pikë ku kryqëzohen ujëra të ndryshme që mund të sjellin larmi faune, nuk sugjerohet shumë si pikë peshkimi për shkak të ndotjes. Peshkatarët që gjuajnë aty lënë mbeturinat e tyre ndërkohë kur lumi Drin fryhet sjell shumë mbeturina më vete që i sedimenton pikërisht në këtë kryqëzim ujërash.
Mund të peshkoni ngjalë, qefull, spalc por edhe gaforre blu, ndonjë levrek mesatar si dhe koc.
14.Ishull Lezhe, barriera në det
Është një destinacion i peshkimit çlodhës mjaft i preferuar në breg të detit. Destinacioni ndodhet afër pikës ku bashkohet lumi Drin me detin duke krijuar një ‘atmosferë’ faune të përshtatshme për një peshkim të mbarë.
Destinacioni është në një argjinaturë guri të gjatë rreth 100 metra në det ndërkohë që peshkatarët preferojnë të gjuajnë edhe në anën veriore të saj.
Distanca nga Tirana është 68.6 km dhe bëhet me makinë për 1orë e 16 minuta. Nga Rinasi është 47.4 km dhe bëhet për 51 minuta.
Nga Lezha është 9.2 km dhe bëhet me makinë për 20 minuta.
Nëse vini nga Tirana, atëherë do merrni djathtas dhe pastaj një nënkalim majtas në rrugën Tiranë-Lezhë, tek mbikalimi i Ishull Lezhës me drejtim ishull Lezhë. Rruga është e mirë dhe panoramike, mbani drejt deri në fund sipas rrugës Ishull Lezhë drejt detit deri sa arrini në bregdet.
Ju mund të gjuani në këtë destinacion vec kocit e levrekut edhe qefull,vope, shpalcë, çafërr si edhe gaforre blu.
Pamja gjatë kohës së peshkimit është mahnitëse, ju mund të vëzhgoni herë pas here zogjtë e shumtë që lëvizin mbi lagunë që ndodhet pas shpinës suaj.
Bregu në këtë destinacion nuk është shumë i populluar nga pushues kështu që ju mund të shkoni atje edhe gjatë stinës së verës.
Një numë restorantesh ndodhen përgjatë rrugës deri në destinacion afër me vendin e peshkimit ku ju mund të shijoni gatimet e zonës dhe natyrisht dhe peshkun e freskët të pjekur në prush.
15.Rruga Shëngjin Kune tek ura në Merxhan
Në fund të rrugës Shëngjin Kune ndodhet destinacioni më popullor në veri të vendit i peshkimit clodhës dhe sportiv.
Distanca nga Tirana është 73 km dhe bëhet me makinë për 1orë e 17 minuta. Nga Rinasi është 51.8 km dhe bëhet për 56 minuta.
Nga Lezha është 10.1 km dhe bëhet me makinë për 19 minuta.
Për të shkuar në destinacon nga Trana dhe Rinasi ndiqni rrugën për në Lezhë, pak metra para se te hyni në qytetin e Lezhës merrni drejtim majtës për në Shëngjin dhe perpara se te hyni ne Shëngjin ktheni sërish majtas për drejtimin Kune, vijon deri në breg të detit dhe pastaj sërish majtas deri në përfundim të rrugës afër urës tek bar restorant ‘Vila e peshkatarit’ në Merxhan.
Laguna e Kunes (Merxhan), si pjesë e kompleksit të lagunës Kune–Vain, ndodhet në anën veriore të lumit Drin që kalon nga Lezha dhe derdhet në det pikërisht në kufirin mes dy lagunave Kune dhe Vain.
Peshqit që mund të peshkohen këtu janë qefull vere; cumër, vijoshi; qefulli i vjeshtës; kokllani; kryegjati, vesh verdhi, levrek, ngjalë, koce, vope, shpalcë, gjuhëz kanali, shojze, gjilpërëza, burdullak, karkalec, gaforre blu. (Burimi: Ihktiofauna e Shqipërisë (Ndoc Rakaj, Aleksandër Flloko, “Libri Universitar”, Tiranë, 1995) .
Nëse keni kostum uji me vete mund të peshkoni edhe brenda në lagunë. Thellësia e saj nuk e kalon 1 metër dhe shpesh peshkatarët zgjedhin të futen në ujë për të eskploruar zona më të largëta nga bregu.
Ndërsa peshkoni mund të kundroni tufat e zogjve të shumtë ujorë ndërkohë që në muzg mund shijoni perëndimin e diellit përmes një pamje të mrekullueshme të natyrës me të gjitha thyerjet e drittës në harmoninë e zhurshme të lagunës.
Pas peshkimit mund të bëni shëtitje me bicikleta ose shëtitje në këmbë, mund të notoni dhë nëse keni dëshirë të shijoni edhe natën në një mënyrë sa më pranë natyrës zgjidhni një nga kampingjet që ndodhen ndanë rrugës prej 6 km që lidh Shëngjinin me Kunen.
Ky destinacion nuk shërben për plazh prandaj mund të frekuentohet për peshkim në cdo stinë të vitit.
Ndërkaq larmia e restoranteve, fast food-eve, bareve të krijon një mundësi të madhe për zgjedhje sipas shijes për të konsumuar një vakt me peshk apo produkte të tjera të gatimit të zonës. Sërish edhe këtu keni gatimin e peshkut në prush ndërkohë që mund të zgjidhni në restorante guzhina të ndryshme vec atyre tradicionale, vecmas italiane dhe greke.
Çfarë mund të vizitosh në Lezhë:
Vendvarrimi Skenderbeut
Vëndvarrimi është ndërtuar mbi kishën e Shën Kollit, aty ku në vitin 1468 u varros Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Me 1478 turqit pushtuan Lezhën dhe shkatërruan varrin e Gjergj Kastriotit i cili vdiq me 17-janar 1468. Eshtrat e tij i morën si hajmali të pathyeshmërise në beteja. Memoriali në formën që shihet tani u ndërtua në vitin 1981. Busti i Skënderbeut është punuar nga skulptori i njohur Odhise Paskali. Mbi pllakën e mermerit janë vendosur kopje të shpatës dhe përkrenares prej bronxit ndërsa origjinalet ruhen në Austri. Në brendësi të mureve ka një varg mburojash me stemat e fiseve që morën pjesë në Kuvendin e Lezhës dhe betejat që janë fituar nga Skënderbeu përgjatë 25 viteve që ishte në krye të Arbërisë.
Kalaja e Lezhës
Kalaja e Lezhës është ngritur mbi themelet e Akropolit antik dhe besohet se ndërtimi i saj i përket shekullit të 8-të. Kalaja ka njohur shumë faza ndërtimi, për të ardhur në atë të fundit të vitit 1520, nga Sulltan Selimi i I-rë. Në literaturen historike dhe arkeologjike kalaja e Lezhës njihet për një kohë të gjatë me emrin Kështjella e Elisonit.
Në vitin 2002 pas restaurimit të themeleve të kalasë mesjetare u vu re se trashësia e mureve arrinte deri në 4.30 m. Deri më sot janë zbuluar 12-porta dhe 48-kulla mbrojtëse.
Muzeu etnografik:
Muzeu etnografik në Lezhë ka rreth 300 objekte të ndryshme, armë mesjetare, instrumentet muzikore, mjetet bujqësore dhe te artizanatit, veshje tradicionale të qëndisura me dorë si veshja malësore, zadrimore, kallmetore dhe mirditore.
Kisha Shën Premte, Balldre:
Kisha ndodhet në fshatin Balldre rreth 5 km nga Lezha dhe daton në shekullin e XII – XIII, ndër ato pak kisha në Shqipëri që i kanë mbijetuar shkatërrimeve te periudhës osmane dhe komunizmit. E vecanta për këtë kishë është afresku “Darka e Fundit” që mendohet që është pikturuar dy shekuj më parë se ta pikturonte edhe Leonardo Da Vinçi.
Kisha e Shën Eufemisë, Kallmet:
Kjo kishë është në fshatin Kallmet afro 12 km nga qyteti Lezhës. Kisha përmendet për herë të parë në vitin 1343. Brenda saj, në faqen e shkëmbit ku mbështet kisha është imazhi i Shën Eufemisë ndërsa brenda kishës buron ujë nga një burim i cili shihet nga besimtarët katolikë si ujë pastrues dhe bekues.
Kisha Zojës Nunciatë, Lezhë
Kisha dhe Kompeksi Manastiror i Zojës Nunciatë ndodhet në lagjen Nënë Tereza në Lezhë. Në shek.XIII shën Françesku i Asizit, gjatë kthimit të tij nga Toka e Shenjtë në 1219 – 1220 ndali në Lezhë, ku themeloi kuvendin e parë Françeskan në Shqipëri.
Hoteli i Gjuetise:
Hoteli i Gjuetisë në Ishull-Lezhë i ndërtuar në vitit 1936 në një peizazh magjepsës natyror, një objekt me vlera të veçanta historike ndërsa shërben edhe si objekt turisitik.
Vozitje në lumin Drin me varka:
Lumi Drin që përshkon mes për mes qytetin dhe më pas kalon në lagunën Kune – Vain, duke përfunduar në detin Adriatik me një rrjedhë të qetë ju jep mundësinë e shëtitjeve më kajakë, varka, kanoe apo së fundmi edhe me dragon boat.
Nëse ndodhesh në qershor: Ndiq UNUM!
Është festivali më i madh i muzikës elektronike në rajon. UNUM mbledh në zonën bregdetare të Shengjinit (Rana e Hedhun) çdo fillim qershori D.J më të njohur në botë dhe i bën bashkë për të luajtur muzikë 24 orë pa ndërprerje në 4 ditë të njëpasnjëshme.
16. Rruga Shëngjin Kune, kamping Laguna park
Përgjatë rrugës Shëngjin Kune mund te zgjidhni shumë vende peshkimi, megjithatë peshkatarët kanë zgjedhur disa pika më shumë se të tjerat. Një ndër to është edhe një pikë afër kamping Laguna Park.
Distanca nga Tirana është 65.3 km dhe bëhet me makinë për 1orë e 12 minuta. Nga Rinasi është 51.2 km dhe bëhet për 50 minuta.
Nga Lezha është 9.5 km dhe bëhet me makinë për 15 minuta.
Nëse vini nga Shëngjini rruga është panoramike, mbani drejt për në ishullin e Kunes deri 5.7 km nga Shëngjini, ay ku është Laguna Park. Kthehuni në të djathtë të rrugës dhe për 5 metra jeni në breg të detit.
Përgjatë një segmenti prej 100 metra ndodhet edhe një barrierë guri në det që u mundëson të peshkoni deri në 1 metër thellësi.
Kjo është zonë plazhi dhe gjatë verës nuk mund të peshkoni, por gjatë gjithë stinëve të tjera është e mundur të frekuentohet.
Ju mund të peshkoni në këtë destinacion vec kocit e levrekut edhe qefull,vope, shpalcë, peshk pellumb, çafërr, palamid si edhe gaforre blu.
Ndërkaq mund të vëzhgoni herë pas here zogjtë e shumtë që lëvizin mbi lagunë që ndodhet pas shpinës suaj jo më shumë se 20 metra.
Një numë restorantesh ndodhen përgjatë rrugës prej 6 km nga Shëngjini deri në ishullin e Kunes ku ju mund të shijoni gatimet e zonës dhe natyrisht dhe peshkun e freskët të pjekur në prush. Duhet të keni parasysh që është qefulli i lagunës që piqet mirë në prush dhe jo qefulli i detit. Ndërkohë është momenti të provoni edhe tavën e peshkut, zakonisht me qefull, levrek por edhe tavë me ngjala, ku nuk mungojnë edhe guximi në shije duke shtuar kumbulla të thata që ndërhyjnë me pak ëmbëlsi.
17.Rruga Shengjin Kune, kamping afer “Ndue Kola”
Përgjatë segmentiti rrugor Shëngjin Kune është edhe një kamping tjetër ku mund të peshkosh në tre stinët që nuk ka pushues të shumtë.
Kjo pikë është më afër Shëngjinit, kështu që pamja e qytezës bregdetare është më prezente, qoftë me pallatet e shumta dhe malin e hijshëm pas tij por edhe me praninë e pushuesve apo banorëve.
Banorët janë shumë të dashur, të mësuar me pushues e njerëz të rinj, të gatshëm të të gjenden për ndonjë pyetje që keni apo ndonjë nevojë sado të vogël. Destinacioni ndodhet vetëm 3.7 km nga Shëngjini dhe mund të bëhet për 11 minuta me makinë. Pasi arrini në destinacion kthehuni në të djathtë dhe për pak metra jeni në breg të detit.
Distanca nga Tirana është 63.3 km dhe bëhet me makinë për 1orë e 8 minuta. Nga Rinasi është 49.2 km dhe bëhet për 48 minuta. Nga Lezha është 7.5 km dhe bëhet me makinë për 14 minuta.
Në këtë destinacion është edhe një barrierë guri në det që u mundëson të peshkoni deri në 1-1.5 m metër thellësi.
Kjo është zonë plazhi dhe gjatë verës nuk mund të peshkoni, por gjatë gjithë stinëve të tjera është e mundur të frekuentohet.
Ju mund të peshkoni në këtë destinacion koc, levrek, qefull,vope, shpalcë, çafërr si edhe gaforre blu.
Ndërkaq mund të vëzhgoni herë pas here zogjtë e shumtë që lëvizin mbi lagunë që ndodhet pas shpinës suaj jo më shumë se 50 metra nga një kënd krejt tjetër.
Një numë restorantesh ndodhen përgjatë rrugës prej 6 km nga Shëngjini deri në ishullin e Kunes ku ju mund të shijoni gatimet e zonës dhe natyrisht dhe peshkun e freskët të pjekur në prush, shoqëruar me raki apo me verë të prodhuar nga kantinat e zonës ose në mënyrë artizanale. Duhet të keni parasysh që është qefulli i lagunës që piqet mirë në prush dhe jo qefulli i detit. Ndërkohë është momenti të provoni edhe tavën e peshkut, zakonisht me qefull, levrek por edhe tavë me ngjala, ku nuk mungojnë edhe guximi në shije duke shtuar kumbulla të thata që ndërhyjnë me pak ëmbëlsi.
18.Shengjin, Porti i Peshkimit, Jaht bar
Është një nga destinacionet më popullore të peshkimit në zonën e Lezhës përgjatë gjithë vitit. Një pistë afro deri në 700 metra në brendësi të detit në qytetin e Shëngjinit është ‘palestra’ e shumë peshkatarëve amatorë të vjetër e të rinj.
Pothuajse gjithmonë, në çdo ditë dhe në çdo orë të ditës ka peshkatarë me kallamë që gjuajnë në një nga pistat më të gjata në Shqipëri.
Nga qendra e Shëngjinit mund të shkohet në këmbë për 7 minuta. Duhet të peshkoni nga ana lindore e pistës pasi pasditë nis një erë e fortë që mund t’ju bezdisë gjatë peshkimit nëse vendoseni në krahun perëndimor të saj.
Distanca nga Tirana është 64.2 km dhe bëhet me makinë për 1orë e 6 minuta. Nga Rinasi është 50.2 km dhe bëhet për 48 minuta.
Nga Lezha është 8.5 km dhe bëhet me makinë për 16 minuta.
Ju mund të peshkoni në këtë destinacion koc, levrek, qefull,vope, shpalcë, çafërr, skadhinë, barrakudë, gjilpërë, palamid, burdullak si edhe gaforre blu, oktapod.
Pjesa nën ujë e pistës është një habitat i përshtatshëm për oktapodët. Ata mund të gjuhen vec grepit edhe me një tub të shkurter rreth 1 metër me diametër rreth 10 cm. Oktapodi tërhiqet nga guvat dhe e shikon tubin si një mundësi për tu fshehur dhe sulmuar gjahun e tij.
Për imitues mund të përdorni atë që perdorin peshkatarët lokalë, krimba të gjallë që nxiren nga rërat kënetore qoftë në Kune-Vain edhe në Patok. Një kuti kushton 400-500 lekë.
Ndërkohë që peshkoni përballë keni gjithë bregdetin e Shëngjinit dhe një pjesë të qytetit, përfshi anën perëndimore të lagunës së Kunes, një ansambël kombinimesh të natyrës mes malit, lagunës, detit, pyllit, në një hapësirë jo shumë të madhe.
Brenda pistës ka edhe bar që mund të shërbehet përgjatë gjithë ditës. Nuk ka pushues në këtë zonë dhe e gjitha i dedikohet shëtitjes, peshkimit dhe soditjes.
Në krahun tjetër të pistës është porti i Peshkimit ku janë ankoruar anijet e vogla dhe varkat e peshkimit.
Qyteti i Shëngjinit dhe plazhet rreth tij kanë restorantet më të mira të gatimit të peshkut në Shqipëri por edhe me çmimet më tërheqëse.
Peshku i freksët dhe i larmishëm, kapur në ujërat që e rrethojnë qytetin serviret pouthajse në të gjitha restorantet. Mund të shijoni karkalecë krudo, levrek krudo apo karpacio oktapodi, levreku, dental dhe toni me çmime të arsyeshme, pasta me lëngun e gaforreve blu, pasta me karkalecë, sepje, kallamare, apo guackorë si midhje dhe vongola, gaforre blu të ziera, oktapod në zgarë, apo sallatë të nxehtë dhe të ftohte me fruta deti; miks peshku për vetëm 15 euro ku përfshihen barbun, merluc, çafërr, shpalc, koc, apo ndonjë tavë peshku dhe tavë ngjale, ngjale e pjekur me oriz apo spageti në tepsi me një cmim që nuk i kalon 8 euro. Gjithçka është e egër, asgjë nga rezervatet.
Nëse frekuentoni gjatë verës Shëngjinin keni mundësi të ndiqni koncerte nga këngëtarë të njohur në pista të ndryshme vallëzimi apo klube nate. Pushuesit janë nga gjithë Shqipëria, Kosova, Maqedonia por ka edhe shumë polakë, ukrainas, rusë, cekë, hungarezë, gjermanë, holandezë, danezë, suedezë etj.
19.Rana e Hedhun, afër hotel Brilant, tynelet e marines ushtarake
Destinacioni ndodhet 1.5 km larg Shëngjinit përgjatë rrugës që shkon drejt Ranës së Hedhun dhe bëhet për 5 minuta me makinë.
Distanca nga Tirana është 64.8 km dhe bëhet me makinë për 1orë e 9 minuta. Nga Rinasi është 50.8 km dhe bëhet për 53 minuta.
Nga Lezha është 9.1 km dhe bëhet me makinë për 17 minuta.
Ju mund të peshkoni në këtë destinacion koc, levrek, qefull,vope, spalcë, çafërr, skadhinë, raxhë por edhe oktapod. Peshkimi bëhet përgjatë një barriere guri e gjatë rrreth 200 metra e ndërtuar vite me parë si pjesë e një baze ushtarake detare.
Ndërsa ju peshkoni përballë keni një pamje të mrekullueshme por edhe të rrallë, ish portin e anijeve ushtarake dhe tynelet ujore që përdoreshin për strehimin e tyre në kohën e komunizmit në Shqipëri. Ndërkohë panorama është shumë më e gjerë, përfshirë Shëngjinin, plazhet përgjatë rrugës Shëngjin-Kune, pjesë të kënetës Kune-Vain dhe Merxhan me të gjitha lakimet e bregut dhe brezave të ngushtë të tokës përgjatë skajit verior të lagunës.
Në pistë nuk ka pushues kështu që gjuetia mund të kryhet në cdo stinë të vitit.
Ngjitur me pistën ka restorante dhe hotele ku ju mund të pushoni dhe të merrni ndonjë vakt me ushiqm të freskët të zonës.
Nëse është vjeshtë apo dimër mos harroni të pini një gotë raki.
20.Rana e Hedhun, kamping Riviera
Destinacioni ndodhet 2.5 km larg Shëngjinit përgjatë rrugës që shkon drejt Ranës së Hedhun dhe bëhet për 6 minuta me makinë
Distanca nga Tirana është 72.9 km dhe bëhet me makinë për 1orë e 12 minuta. Nga Rinasi është 51.6 km dhe bëhet për 54 minuta.
Nga Lezha është 9.9 km dhe bëhet me makinë për 19 minuta.
Ju mund të peshkoni në këtë destinacion koc, levrek, qefull,vope, shpalcë, çafërr, raxhë, barbun.
Edhe prej këtu panorama është mahnitëse, përfshirë Shëngjinin, plazhet përgjatë rrugës Shëngjin-Kune, pjesë të kënetës Kune-Vain dhe ishulli i Kunes me të gjitha lakimet e bregut dhe brezave të ngushtë të tokës përgjatë skajit verior të lagunës.
Duhet të përgaditeni për peshkim në thellësi pasi deti vjen ngjitur me shkëmbinjtë.
Afër me destinacionin ka restorante dhe hotele ku ju mund të pushoni dhe të merrni ndonjë vakt me ushiqm të freskët të zonës por duhet të konsideroni se jashtë sezonit vetëm ndonjë restorant mund të qëndrojë hapur.
Nëse është vjeshtë apo dimër mos harroni të pini një gotë raki si edhe të visheni mirë sidomos kur peshkoni në muzg dhe në mëngjes. Destinacioni është rrëzë malit të Rencit që sjell klimë të ftohtë.
21.Rana e Hedhun, Shkami i Marka Nikës
Destinacioni ndodhet 3.1 km larg Shëngjinit në të majtë të rrugës që shkon drejt Ranës së Hedhun dhe bëhet për 8 minuta me makinë
Distanca nga Tirana është 73.4 km dhe bëhet me makinë për 1orë e 30 minuta. Nga Rinasi është 52.2 km dhe bëhet për 1 orë e 4 minuta.
Nga Lezha është 10.4 km dhe bëhet me makinë për 22 minuta.
Ju mund të peshkoni në këtë destinacion koc, levrek, qefull, korb, barbun, burdullak, barrakudë (peshk-shtizë) etj.
Ndërsa ju peshkoni keni përpara një det të gjerë pa pengesa, nga jugu shikoni një pjesë të plazheve përgjatë rrugës Shëngjin-Kune, Merxhanin ndërsa në veri plazhet e shumta të Velipojës.
Duhet të përgaditeni për peshkim në thellësi por ndërkohë mund të provoni edhe vetë zhytjen në ujin e kaltër dhe të pastër. Pika është mes dy plazheve po me mundësinë për të peshkuar edhe gjatë stinës së verës për shkak se pushuesit ndodhen më larg nga pjesa e shkembit që bie direkt në ujë.
Afër me destinacionin është resorti i ish Sigal, aktualisht Alba, ku ka edhe fusha profesionale volejbolli e basketbolli.
Nëse keni zgjedhur të peshkoni në mëngjeset e vjeshtës apo dimrit duhet të jeni të veshur mirë për shkak të temperaturave të ulëta në krahasim me ato të mesditës. Pika e peshkimit ndodhet rrezë malit të Rrencit i cili prodhon freski edhe në verë.
Mbani me vete një faqore të vogël me raki të prodhuar nga vendasit dhe do t’ju ndihmojë të ndiheni mirë në një mëngjes dimri.
22.Rana e Hedhun, Rafaelo resort
Është një destinacion i gjerë peshkimi pasi plazhet e Ranës së Hedhun janë të shtrira në më shumë se 2 kilometra ndërkohë që skaji verior është pa pushues edhe në verë duke qënë vend i preferuar për peshkim edhe në kohë sezoni të plazhit.
Destinacioni ndodhet 4.2 km nga Shëngjini dhe përshkohet për 10 minuta me makinë.
Distanca nga Tirana është 74.5 km dhe bëhet me makinë për 1orë e 31 minuta. Nga Rinasi është 53.3 km dhe bëhet për 1 orë e 5 minuta.
Distanca nga ga Lezha është 11.6 km dhe bëhet me makinë për 24 minuta.
Ju mund të peshkoni në këtë destinacion koc, levrek, qefull, çafërr, bishtzezë, barrakuda (peshk shtizë), sir ose lic, skadhinë etj.
Ndërsa ju peshkoni keni përpara një det të gjerë pa pengesa. Nga jugu shikoni një pjesë të plazheve përgjatë rrugës Shëngjin-Kune, ishulli i Kunes ndërsa në veri plazhet e shumta të Velipojës.
Gjithnjë duhet të siguroheni që të jeni 200 metra larg nga pushuesit nëse peshkoni atje gjatë sezonit të verës. Nëse vijoni të shkonë më në veri pushuesit rrallohen gjithnjë e më shumë. Ju mund të zgjidhni te ecni pak metra në këmbë më në veri në drejtim të Rrjollit, dhe do të ndodheni në një pjesë të bregut që nuk frekuentohet asnjëherë nga pushuesit.
Shanset për të kapur peshk janë njësoj përgjatë një vje bregdetare gati 1 km dhe pa u shqetësuar nga prania e të tjerëve.
Gjatë stinës së verës ka plot restorante dhe bare për të kaluar pak kohë dhe marrë ndonjë vakt. Mund të gjeni nga të gjitha llohet e gatimeve duke filluar nga ato fast food tradicionale si byrek, pite, petulla dhe deri tek gatimet e peshkut.
Rana e Hedhun është ndër pikat e preferuara e plazhit për mijëra pushues gjatë verës dhe mjaft e preferuar për udhëtime në stinët e tjera. Nëse do të zhyteni në det, uji mund të jetë i ftohtë sidomos në ditët e fundit të gushtit për shkak të rrymave. Por mund të provoni të ecni në këmbë bregut të detit në një vijë bregdetare gati 2 km. s.n, a.b
Ky artikull eshte pergaditur nga Qendra per Transparence dhe Informim te Lire ne kuadrin e projektit “Identification and promotion of recreational and tourist fishing destinations in the coastal area of Durres and Lezha counties”, mbeshtetur nga PNUD Albania.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/