Zyra e Prokurorit Publik të BE, (EPPO) në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese të 14 vendeve anëtare të BE-së publikoi sot rezultatet e një hetimi në lidhje me një skemë komplekse të mashtrimit të TVSH-së, pjesë e të cilës ka qenë edhe Shqipëria.
Skema bazohej në shitjen e mallrave elektronike, ndërsa janë kryer rreth 200 kontrolle.
Aksioni u zhvillua në Belgjikë, Qipro, Francë, Gjermani, Greqi, Hungari, Itali, Lituani, Luksemburg, Holandë, Portugali, Rumani, Sllovaki dhe Spanjë.
Në kuadrin e këtij operacioni, kërkimet u shtrinë edhe në Çeki, Hungari, Itali, Holandë, Sllovaki dhe Suedi më 12 dhe 13 tetor 2022.
Të gjitha të dhënat e mbledhura janë ende duke u analizuar.
Hetimi për grupet e krimit të organizuar që qëndrojnë pas kësaj skeme vazhdon.
Dëmet e vlerësuara arrijnë në 2.2 miliardë euro. Në një deklaratë thuhet se janë marrë masat për rikuperimin e shumë dëmeve.
Si nisi hetimi
Në prill 2021, Autoriteti Tatimor Portugez në Coimbra po hetonte një kompani që shiste telefona celularë, tableta, kufje dhe pajisje të tjera elektronike. Ajo dyshohej për mashtrim me TVSH-në. Kur EPPO filloi veprimtarinë e saj në qershor 2021 autoritetet portugeze e raportuan rastin.
Nga këndvështrimi kombëtar, faturimi dhe deklaratat tatimore dukej se ishin në rregull. Megjithatë, prokurorët evropianë vendosën të hetojnë më tej. Duke punuar së bashku ata krijuan gradualisht lidhje midis kompanisë së dyshuar në Portugali dhe afër 9000 personave juridikë të tjerë.
Të përfshirë ishin më shumë se 600 persona fizikë në vende të ndryshme. 18 muaj pas raportit fillestar, EPPO thotë se ky është mashtrimi më i madh i TVSH-së i hetuar ndonjëherë në BE.
Aktiviteti kriminal ishte përhapur në të gjithë 22 shtetet anëtare të EPPO. Veprimet shtriheshin edhe në Hungari, Irlandë, Suedi dhe Poloni. Pjesë e skemës ishin bërë edhe vende të treta duke përfshirë Shqipërinë, Kinën, Mauritius, Serbinë, Singaporin, Zvicrën, Turqinë, Emiratet e Bashkuara Arabe, SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Përfshirja në skemë e grupeve të krimit të organizuar
Përtej përmasave të dëmeve, ajo që e bën të dallohet këtë mashtrim me TVSH-në është kompleksiteti i jashtëzakonshëm i zinxhirit të kompanive. Nga kompani që veprojnë si furnizues të pajisjeve elektronike në dukje të pastra tek ato që kërkojnë rimbursim të TVSH-së.
Të përfshira janë edhe autoritete kombëtare tatimore. Pajisjet shiteshin në internet tek klientët individualë. Më pas i kanalizonin të ardhurat e këtyre shitjeve në “ofshore”. Më pas të gjithë zhdukeshin. Në këtë mënyrë pastroheshin edhe të ardhurat kriminale.
Ky aktivitet nuk do të ishtë i mundshëm pa përfshirjen e disa grupeve të krimit të organizuar shumë të afta. Secili prej tyre kishte role specifike në skemë. Duke punuar në mënyrë transnacionale, pothuajse me një logjikë industriale, ata kishin vite që shmangin hetimin.
Aftësia e EPPO
Bazuar në vlerësimin e fundit të Europol, mashtrimi me TVSH-në është krimi më fitimprurës në BE. Ai llogarit rreth 50 miliardë euro në vit humbje tatimore për Shtetet Anëtare. Ky lloj mashtrimi është pothuajse i pamundur të zbulohet nga një këndvështrim thjesht kombëtar.
Duke përdorur sistemin qendror të menaxhimit të çështjeve EPPO, aksesin në bazat e të dhënave kombëtare dhe evropiane, të mbështetur nga kapaciteti analitik dhe hetimor i Zyrës Qendrore të EPPO-së, si dhe nga Europoli dhe aktorët kombëtarë të zbatimit të ligjit, prokurorët evropianë ishin në gjendje të hartonin dhe zbatonin një hetim të përbashkët ndaj një rrjeti të tërë grupesh të krimit të organizuar. Oranews.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/