Presidenti Nishani “shkel” Kushtetutën e hyrë në fuqi…, por pa fuqi…!

Presidenti Nishani “shkel” Kushtetutën e hyrë në fuqi…, por pa fuqi…!

76
0
Shares

Presidenti i Republikës nuk do ta hedhë shortin për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi brenda 16 Gushtit, i detyruar të mos përmbushë kërkesat që i ngarkon Kushtetuta e re, që hyri në fuqi të enjten e 11 Gushtit.
Televizioni Klan ka mësuar se kreu i shtetit, pas komunikimit me Kuvendin dhe bazuar te sugjerimet e kreut të Grupit Parlamentar socialist, gjatë takimit të ditës së martë, ka vendosur të dëgjojë propozimin e tyre dhe të presë miratimin e Ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ligj ku përcaktohen kriteret që duhet të përmbushin kandidatët për anëtarët të këtij institucioni të ri dhe vetëm pas kësaj, të hedhë shortin.
Gafa me afatet e detyroi Presidentin të shkelë Kushtetutën e re, e pikërisht nenin 179, pika 5 e saj.
Kjo ishte e pashmangshme, pasi dhe në rastin kur do të hidhte shortin duke respektuar afatin 5 ditor nga hyrja në fuqi e ndryshimeve kushtetuese, pra datën 16 Gusht, kreu i shtetit sërish do të kryente një shkelje kushtetuese, e më saktësisht nenin 149 pika 5 e Kushtetutës së ndryshuar. Neni, i cili i dikton Presidentit që për kriteret e përzgjedhjes së anëtarëve të KED duhet t’i referohet Ligjit për Organizimin dhe funksionimin e këtij institucion. Ky ligj, së bashku me 6 ligje të tjera që e bëjnë Kushtetutën e re të zbatueshme, presin të marrin miratimin e parlamentit.
Ky absurd kushtetues, që e ka vendosur Presidentin e Republikës në një situatë aspak komode, është për shkak të presionit të madh që ushtroi mazhoranca dhe ambasadorët, që Reforma në Drejtësi të miratohej brenda afatit të vendosur prej tyre. Më shumë sesa për thelbin e librit të ri themeltar të shtetit, ata u kujdesën që Kushtetuta e re të miratohej me patjetër në 21 Korrik.
Por pse lindi ky ngërç kushtetues?
Në projektin fillestar, Këshilli i Emërimeve ishte ndërtuar si organ kyç, që do të vendoste për përzgjedhjet e të gjithë emërimeve në sistemin e drejtësisë në vend. Por pas rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe negociatave mes palëve, roli i këtij Këshilli u tkurr. Me shumë gjasa për hartuesit e ndryshimeve kushtetuese, neni që përcaktonte afatet kushtetuese nuk kishte më rëndësi, pasi vëmendja u përqendrua te institucionet e Vettingut. Ndaj dhe ekspertët e Reformës harruan të bënin ndryshimet e nevojshme të afateve, duke e lënë të pandryshueshme në draftin e ri, ç’ka prodhoi dhe këtë gafë.
E gjithë kjo nga turravrapi për të gjetur konsensusin brenda datës 21 Korrik dhe pasojat, një Kushtetutë të re me shumë gafa, njëra prej të cilave u bë e njohur nga Presidenti i Republikës, ende pa hyrë në fuqi këto ndryshime.
Dhe tani, vetë Partia Socialiste, e cila e shikon Reformën në Drejtësi si zgjidhjen e çdo problemi që ka vendi ynë i kërkon Presidentit ta shkelë atë ndërsa, nuk ka asnjë reagim publik nga ana e saj për këtë gafë kushtetuese. Asnjë reagim s’ka pasur për këtë as Ambasadorja Vlahutin, që mori rolin kyç në negociatat për kompromisin politik për këtë reformë. /TVKlan/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY