Pas më se 5 orësh ka marrë fund tentativa e policisë për arrestimin e burrit që mori peng një të mitur sot në Durrës. Që prej orës 07:00 të mëngjesit të sotëm dhe deri në orën 12:40 policia e Durrësit ka tentuar të negociojë me shtetasin Arben Kabashi, për të dalë nga banesa ku ishte izoluar, pasi kishte shpëtuar një të mitur që e kishte marrë peng dhe nënën e autorit.
Por policia pas orëve të gjata të negociatave ka hedhur gaz neutralizues në banesë dhe e ka nxjerrë nga banesa. Arben Kabashi është dërguar në spital për trajtim me psikolog.
Ngjarja ka ndodhur sot në Kodër Rrashbull të Durrësit, ku 46-vjeçari nuk i bindej policisë për t’u dorëzuar, sepse kishte frikë nga uniformat blu, pasi raportohet se kishte probleme mendore.
Spitali Psikiatrik: Vuante nga skizofrenia
46-vjeçari Arben Kabashi është kuruar dy herë në spitalin psikiatrik të Elbasanit, ku vetëm para një muaji ai është kruar në këtë spital dhe pasi është rehabilituar ka shkuar në banesën e tij, me diagnozën skizofreni.
Burime spitalore bëjnë të ditur se “ hera e fundit që Arbeni është kuruar në spitalin psikiatrik ka qenë fillimi i muajit korrik. Kur mbërrin në spital ai paraqitet në një situatë shumë të rënduar skizofrenie, saqë edhe mjekimin e merr në prani të efektivit të Policisë, tre ditët e para të mjekimit, pasi në çdo moment është i acaruar.
Po sipas burimeve të brendshme të këtij spitali mësohet se Kabashi qëndroi në spital deri sa mori terapinë e duhur, dhe më pas largohet në banesë për të vijuar terapinë me medikamente në shtëpi. Mësohet se herën e dytë që është shtruar ai është rehabilituar, pasi ka marrë terapinë mjekësore si edhe atë të psikologut, Kabashi me kërkesë të familjarëve të tij është larguar nga spitali”.
Babai i të miturës: Mos e nxirrni nga spitali
Pas ngjarjes që për 5 orë tronditi Kodër Rrashbullin e Durrësit, ka folur edhe babai i vajzës së mitur që u mor peng nga kushëriri fqinj.
Fredi Kabashi ka thënë se kushëriri i tij Arben Kabash është i sëmurë mendor dhe se “nuk duhet nxjerrë nga spitali”.
Ai ka zbuluar edhe dy ngjarje të ndodhura pak kohë më parë, të njëjta me këtë të sotmen.
“Para një muaji ka mbajtur të izoluar motrën e tij. Para disa kohësh mbajti peng edhe nipin e tij”, tha Fredi.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/