Florenc Tabaku, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Punësimit, Korçë
Drejtoria rajonale e Punësimit në Korçë po bën të gjitha përpjekjet për t’u ardhur në ndihmë punëkërkuesve të papunë. Gjatë këtij viti u aftësuan sipas kërkesave të tregut një numër i madh punëkërkuesish. Formimi profesional i tyre u realizua nëpërmjet projekteve të ndryshme institucionale. Për rrjedhojë, deri më tani punësimi ka qenë i kënaqshëm. E ardhmja parashikon më shumë mundësi. Mbi punën e kryer flet Florenc Tabaku, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Punësimit.
Për rajonin e Korçës, ndërtimi dhe konfeksionet vijojnë të mbeten tregjet me të rëndësishme të punës. Në këta sektorë gjendet numri më i madh i të punësuarve.
Pas tyre vijë sektorë të tjerë, si: bujqësia, pyjet dhe peshkimi, përpunimi i produkteve ushqimore, pijeve dhe produkteve të duhanit, prodhimi i drurit dhe produkteve prej druri, i letrës dhe i produkteve prej letrës dhe shtypshkrimet, industria përpunuese, tregtia me shumicë dhe me pakicë, riparimi i automjeteve dhe motoçikletave, akomodim dhe shërbimi ushqimor, shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale etj.
Këta sektorë ofrojnë një numër të caktuar vendesh te lira pune, ndërsa ndërtimi dhe konfeksionet vijojnë të mbeten mundësi reale punësimi për punëkërkuesit e papunë.
“Edhe një vend punë është i rëndësishëm, ndihmohet një familje, ndaj përkushtimi ynë është i madh”, na thotë Florenca Tabaku.
Zoti Tabaku, me qenë se ndërtimi dhe konfeksionet janë tregjet më të rëndësishëm të punësimit, çfarë është bërë konkretisht në këtë drejtim?
Po, ndërtimi dhe konfeksionet përbëjnë tregun e madh të punës, por përballë këtij realiteti ne gjetëm një disproporcion mes vendeve të lira të punës të ofruara nga punëdhënësit dhe numrit të pamjaftueshëm të punonjësve të kualifikuar. Për këtë arsye nga ana jonë u ofrua ndihmë për qendrat e formimit profesional dhe kualifikimin e punonjësve në qendrat e punës. Cila ishte ndihma jonë? Punëkërkuesit e papunë u mbështeten nga zyra e Punës me pagesën e gjysmës së pagës minimale për aq kohë sa zgjati projekti. Më konkretisht, për konfeksionet 5 muaj. Kjo do të thotë se punëkërkuesit e papunë trajtohen si nxënës, të cilët përgatiten nga një personel i përzgjedhur nga vetë punëdhënësit, të cilët kishin nevojë për rrobaqepës. Kurse për sektorin e ndërtimit kursi zgjati rreth 6 muaj. Në këtë rast subjekti financohej nga 50 deri 70% të kostos, në varësi të sektorit përkatës, e miratuar kjo nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit.
Çfarë ndihme keni ofruar për punëkërkuesit e papunë të cilët janë të vështirë për t’u integruar në tregun e punës?
Për këtë kategori punëkërkuesish u hartua një program i posaçëm për punësimin me afat një vjeçar, ku përfshihet kategoria e punëkërkuesve që kanë vështirësi për t’u integruar në tregun e punës. Të tillë janë personat e skemës së ndihmës ekonomike, të pagesës së punësimit, punëkërkuesit afatgjatë, që janë mbi një vit të regjistruar në zyrën e Punësimit dhe që kanë vështirësi për të hyrë në tregun e punës, ku bëjnë pjesë edhe përfaqësues të komunitetit rom dhe egjiptian. Në këtë rast zyra e Punës lidh kontratë me subjektin që do t’i punësojë për një periudhë një vjeçare. Zyra e Punësimit financon 100% të sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe katër paga minimale për punëkërkuesit e papunë, të cilët subjekti i ka të punësuar në aktivitetin e tij.
A keni pasur projekte për studentët me qëllim përshpejtimin e punësimit të tyre?
Sigurisht që po. Projekti në fjalë mundësoi kryerjen e praktikave profesionale të studentëve që kishin përfunduar studimet 24 muajt e fundit. Këto projekte u realizuam në bashkëpunim me institucionet shtetërore; me bashkinë e Korçës, të Maliqit, me Spitalin, me zyrat arsimore etj. Në këtë rast projekti u erdhi në ndihmë studentëve si një mundësi më shumë në marrjen e përvojës së punës, gjë që u lehtëson hyrjen në tregun e punës. Projekte të veçanta kemi pasur edhe për punësimin e të rinjve, të vajzave dhe grave. Që të gjitha këto zgjeruan rrethin e të punësuarve nga radhët e punëkërkuesve të papunë.
Risi e këtij viti ishte panairi rajonal i punës ku u ftua biznesi në nivel rajonal, ku morën pjesë një numër i madh biznesesh të rëndësishme. Në këtë panair u prezantuan vendet e lira të punës në lidhje me parashikimet që kanë vetë bizneset për të ardhmen. Ndërkaq mund të them se për nxitjen e punësimit Bashkia e Korçës ka qenë inisiatorja e bashkëpunimit me Qendrën e Formimit Profesional dhe Zyrën Rajonale të Punësimit, gjë që ka dhënë frytet e veta.
Ambientet e zyrës së Punësimit, Korçë
Bisedoi, Vepror Hasani
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/