Kryeministri Edi Rama tha sot se pedagogët ta harrojnë që do të kenë një rritje tjetër page.
Ai foli nga Gjirokastra ndërsa theksoi se rritja e radhës do të jetë për pensionistët, mësuesit, infermierët, mjekët, policët e ushtarakët. Ndërsa pedagogët tha se mund ta nxjerrin vetë duke bërë projekte.
“Rrubla-çorbën që thotë Shqipëria në rrezik, dhe ato pedagogë, sindikata me demek, me një të SHIK-ut në krye që kërkojnë prapë rritje page në kushtet sot kur jo vetëm iu është rritur paga, por iu është rritur më shumë se të tjerëve sepse një pjesë ua ka rritur qeveria, një pjesë ua rrit ajo autonomia, që autonominë shumëkush prej tyre e kujton që është vetëm liri, jo përgjegjësi. Autonomia është në radhë të parë përgjegjësi. Ata që dalin atje ta harrojnë që do të kenë një rritje tjetër sepse rritjen tjetër do ta kenë zjarrfikësit, rritjen tjetër do ta përgatisim për pensionistët, rritjen tjetër do ta bëjmë për mësuesit, për infermierët, për mjekët, rritjen tjetër do ta bëjmë për policët, rritjen tjetër do ta bëjmë për ushtarakët, kurse për ata mesazhi im është shumë i thjeshtë. Nuk jeni as si pensionistët, as si ushtarakët, nuk jeni as si punonjësit e policisë, nuk jeni as si mjekët, as si infermierët që marrin një gjë fikse. Jeni me autonomi, pra një pjesë do ta merrni nga qeveria, një pjesë do ta nxirrni vetë. Do e nxirrni vetë duke bërë projekte, duke e futur universitetin në treg, duke shfrytëzuar projektet europiane e kështu me radhë. Nuk jemi këtu për t’u bërë llogaritë atyre sepse pjesa dërrmuese janë në mësim. Janë në mësim dhe nuk dalin të bëjnë selfie te dera për t’i parë ‘syri i qimit’ dhe për t’i nxjerrë pastaj bashkë me media të tjera të cilat kanë halle të tjera”, u shpreh Rama.
Rama u shpreh se pedagogët nuk mund të protestojnë dhe të lenë studentët pa mësim në një kohë kur paga iu është rritur. Sipas tij, protesta e pedagogëve udhëhiqet nga “një figurë e SHIK-ut” dhe se pjesë e tij janë “një zinxhirë foltorexhinjsh që kanë ngatërruar punën që kanë në universitet me foltoren dhe që për turpin e tyre bëjnë protesta për të çuar ujë në mullirin e rublave, e çorbës së rublave, “non gratave” dhe spiunëve të fshehur 30 vjet.
Nuk mundet dot kur paga të është rritur. Po zjarrfikësve çfarë t’u themi ne? Si t’i themi, dilni dhe vini ndonjë zjarr që t’u rritet paga? Ua rritëm 7% si zjarrfikësve si pedagogëve. Këta të dytët kanë mundësira alternativa se punojnë dhe në universitete private. Një pjesë e tyre në universitete private nuk i deklarojnë të gjitha paratë që marrin dhe për këtë do ta shikojmë. Jo për të bërë vetting se tani duan t’i trembin me vetting ata të rublave. Por për të vënë disa pika mbi “i”. Se këtu bërtasin më shumë ata që kanë më shumë. Nuk kam parë këtu që ata që realisht kanë nevojë të dalin dhe të bërtasin sa bërtasin ata që kanë më shumë dhe që bëjnë sikur u qajnë hallin të tjerëve. Një figurë e SHIK-ut, atij SHIK-ut famëkeq nuk mund t’i japë orientim dhe nuk mund t’i imponohet dot, bashkë me një zinxhirë foltorexhinjsh që kanë ngatërruar punën që kanë në universitet me foltoren dhe që për turpin e tyre bëjnë protesta për të çuar ujë në mullirin e rublave, e çorbës së rublave, “non gratave” dhe spiunëve të fshehur 30 vjet. Le të bëjnë protesta kundër meje, nuk ka asnjë problem, le të bëjnë protesta kundër qeverisë, por të bësh protesta si skuth sikur ke hallin e gjithë pedagogëve, që ata shumica dërrmuese janë duke dhënë mësim të bëjnë sikur po shantazhohen. Kush po i shantazhon këta? Është hera e parë që po flas unë për ta. Kush po i shantazhon? Nëse ka këtu një subjekt të shantazhuar është qeveria e Republikës së Shqipërisë nga ekranet e atyre të cilët i kanë kthyer ato ekrane që janë shërbim publik për ju në frëngji për të gjuajtur dhe për të detyruar qeverinë që të bëjë pakte me ta. Asnjë pakt nuk ka me ta”, tha kryeministri Edi Rama. r.p
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/