Shërbimet e Policisë, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive dhe si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tropojë dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Qafë Morinë”.
Si rezultat, u arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, shtetasit:
-A. Z., 27 vjeç dhe I. Rr., 41 vjeç, të dy banues në Pejë, Kosovë.
Këta shtetas janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor “Qafë Morinë-Tropojë” duke transportuar me automjet, mallra të kontrabanduara (xhama dyersh dhe dritaresh), të cilat i kishin kaluar nga pika kufitare Qafë Morinë, duke korrupuar doganierin dhe dy punonjës të Policisë Kufitare.
Në vijim të veprimeve, u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasit:
-J. M., 32 vjeç, banues në fshatin Tetaj, me detyrë doganier (përgjegjës turni) në PKK Qafë Morinë;
-S. M., 45 vjeç, banues në fshatin Bujan, me detyrë trup shërbimi në PKK Qafë Morinë;
-P. K., 58 vjeç, banues në fshatin Buçaj, me detyrë trup shërbimi në PKK Qafë Morinë.
Këta shtetas, duke shpërdoruar detyrën, kanë lejuar kalimin e mallrave të kontrabanduara nga shtetasit A. Z. dhe I. Rr., kundrejt përfitimit të shumave monetare.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti, së bashku me mallrat e kontrabanduara. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/