Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me FNSH Shkodër dhe me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, prej një jave kanë zhvilluar një megaoperacion policor, të koduar “Qarku”.
Operacioni u zhvillua në katër faza. Faza e katërt e këtij operacioni, e koduar “Blerani”, është finalizuar mbrëmjen e djeshme, me goditjen e një grupi të mirorganizuar kriminal që merrej me kultivimin, prodhimin, përpunimin dhe paketimin e kanabisit për shitje.
Në lagjen “Bleran” të fshatin Bardhaj, njësia administrative Rrethina Shkodër, u arrestuan në flagrancë 16 shtetas dhe u shpall në kërkim 1 tjetër.
Detajet:
Nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit P. Gj., 31 vjeç, në ambientet e jashtme dhe të brendshme të kësaj banese, shërbimet e Policisë kanë gjetur sasi lënde narkotike në proces tharjeje dhe lëndë narkotike të thatë, me peshë totale 86 kilogramë kanabis.
Gjithashtu, gjatë kontrollit në ambientet e kësaj banese, janë kapur në flagrancë duke përpunuar lëndën narkotike, 10 shtetase: D. H., D. Ç., D. H., F. Gj., H. B., M. H., E. D., B. M., V. H. dhe F. B., nga Tirana, Kamza dhe Fushë Kruja, të cilat në përfundim të veprimeve u arrestuan në flagrancë.
Njëra prej këtyre shtetaseve, konkretisht shtetasja D. H., 42 vjeçe, banuese në Kombinat, Tiranë, e dënuar edhe 3 herë të tjera më parë po për këtë veprimtari kriminale, kishte rolin e organizatores. Ajo gjente punëtore, kryesisht nga Tirana dhe Kruja, për të përpunuar kanabisin.
Po gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kapur dhe arrestuar në flagrancë shtetasit:
Z. Gj., 56 vjeç dhe A. Gj., 55 vjeçe (bashkëshortë) dhe 3 djemtë e tyre, shtetasit:
E. Gj., 24 vjeç, R. Gj., 22 vjeç dhe P. GJ., 31 vjeç, si dhe shtetasja F. Gj., 29 vjeçe, bashkëshortja e shtetasit P. GJ.
Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim shtetasi F. Gj., 31 vjeç, djali tjetër i bashkëshortëve Z. Gj. dhe A. Gj.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi P. Gj. grumbullonte bimë narkotike kanabis për përpunimin dhe përgatitjen për shitje.
Në vijim të kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 86 kilogramë kanabis, dy ventilatorë që shërbenin për tharjen e bimëve narkoitke, 3 automjete dhe 15 aparate celulare.
Në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Qarku”, gjatë fazës së parë të këtij operacioni, në Shkodër, Malësi të Madhe dhe në Pukë u sekuestruan 83 kilogramë kanabis dhe u asgjësuan 101 bimë kanabis. Për këto raste u arrestuan në flagrancë katër shtetas, konkretisht L. C., E. T., A. S. dhe Z. D.
Gjatë fazës së dytë të megaoperacionit, u kap një shtetas i shpallur në kërkim, konkretisht shtetasi A. P., me rekorde kriminale, i cili qarkullonte me armë zjarri me vete. Po gjatë kësaj faze u vu në pranga edhe shtetasi H. S., i cili qarkullonte me personin në kërkim.
Ndërsa gjatë fazës së tretë të operacionit, në Vaun e Dejës, janë sekestruar 22 kilogramë kanabis dhe janë vënë në pranga babë e bir, shtetasit M. N. e K. N., si dhe u shpall në kërkim shtetasi P. L.
Në harkun kohor njëjavor, si rezultat i kontrollit të territorit dhe verifikimit të koordinatave të nxjerra nga monitorimi ajror, janë gjetur dhe asgjësuar në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, 355 bimë kanabis, të kultivuara në miniparcela, në zona të pyllëzuara. Për këto raste vijon puna intensive, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Përgjatë katër fazave të megaoperacionit janë sekuestruar gjithsej 191 kilogranë kanabis, 456 bimë kanabis, janë arrestuar në flagrancë 24 shtetas dhe janë shpallur në kërkim 2 të tjerë. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/