PD vijoi sot denoncimin e vjedhjeve, sipas saj në Bashkinë e Vaut të Dejës. Nënkryetari i PD, Luçiano Boçi tha se megjithëse kemi derguar fakte asnjë përgjige nuk është marrë nga SPAK.
Deklarata e n/Kryetarit të PD, Luçiano Boçi në konferencën me gazetarët:
741 milion lekë i ka alokuar Bashkia e Vaut të Dejës një firme private për të pastruar territorin me një kontratë 3 vjeçare. Komuniteti lokal ka protestuar më 21 maj 2021 para se të firmosej kontrata, por qëndrimi i tyre ka rënë në vesh të shurdhër.
Bëhet fjalë për kontratë “shërbime pastrimi”, e cila kryhej nga Bashkia pararendëse me rreth 100 milion lekë në vit, pra me gjysmën e shumës që ka faturuar kryebashkiaku socialist, Mark Babani.
Nuk është vetëm shuma e akorduar, por edhe mjaft detaje të tjera ku fshihet djalli i korrupsionit.
Për shembull:
-Përllogaritja e fondit limit është bërë bazuar në të dhëna fiktive, në numrin e popullsisë sipas Ministrisë së Finanacave, dhe mbi të janë përllogaritur sasitë e mbetjeve për banorë. Në fakt, duhej marrë si bazë numri real i banorëve në këtë bashki, i cili është shumë herë më i vogël, dhe për rrjedhojë fondi limit duhej të ishte më i ulët.
-Në kontratë parashikohet ‘shërbim pastrimi’ në masën 90% të territorit të Njësive Administrative Temal, Vig Mnelë dhe Shllak, ndërkohë është krejtsisht e pamundur diçka e tillë, pasi në këto zona rrugët janë të pa kalueshme për makinat e pastrimit për arsye të terrenit të vështirë malor.
-Bashkia, në shtojcën nr. 2, kërkon që “për zonën semiurbane do blihen 100 kazane metalike të xinguar 1100 litrash dhe për zonën rurale 200. Sipas dokumentacionit nuk ka asnjë zë në situacionet e korrik 2021-korrik 2022, që tregon se janë blerë kazane, por nga ana tjetër likuidimet janë bërë të plota. Në videon që do paraqesim në fund një gjë të tillë e konfirmon edhe vete zj. Nurie Çelepija, Administratore e NJ. A. Bushat si dhe anëtare e komisionit të monitorimit.
-Bashkia kishte mjetet e veta me të cilat ka ofruar një shërbim cilësor ndër vite, konkretisht mjete të viteve 2012,2014, ndërkohë lidh kontratën e re dhe e ofron këtë shërbim me mjete të viteve: 1996, 2003 dhe 2008.
-Në preventiv është parashikuar të likujdohet çdo muaj kompania “Leka 2007” për “Depozitim mbetjesh në landfillin e Bushatit”, kjo jo vetëm në kundërshtim me ligjin, por edhe jashtë çdo logjike ekonomike, pasi Ndërkomunalja e Bushatit është shoqëri aksionere ku 100% të aksioneve i ka vetë Bashkia Vau Dejës dhe ajo duhet t’ia bëjë pagesën drejtpërdrejt Ndërkomunales dhe jo t’ia kalojë lekët firmës private.
-Referuar Akt-Konstatimit të Anti-korrupsionit, kompania “Leka 2007” ka paraqitur kontratë qiraje me subjektin “Alko Impex”, për marrjen me qera të dy mjeteve. Ndërkohë në Buletinin Nr. 95 “Njoftim Fituesi”, rezulton që ky operator ka qenë pjesëmarrës në këtë procedurë dhe është tërhequr. Kjo vërteton paracaktimin e fituesit dhe se ky tender është një aferë e madhe korruptive nga ana e bashkisë Vau i Dejës në bashkëpunim me operatorët ekonomikë pjesëmarrës.
-Në Njësinë Administrative Shllak,Temal Vig Mnelë është parashikuar në masën 90 përqind pastrimi dhe pagesat për këto njësi janë kryer në masën 100 përqind. Nga verifikimi në terren dhe dëshmitë e banorëve të këtyre njësive rezulton se në këto Njësi nuk është kryer ky shërbim. 3.
-Në grupin e monitorimit të zbatimit të kontratës për Nj. Administrative Temal,Vig Mnelë dhe Shllak, nuk ka asnjë punonjës nga këto njësi që monitorojnë zbatimin e shërbimit. Si mundet një punonjës i monitorimit të kontratës të gjendet njëkohësisht në dy njësi administrative? Kjo sipas proçes verbalit të mbajtur nga Bashkia Vau Dejës. Ndërkohë vetë drejtori i shërbimeve ka firmosur për ofrimin e shërbimit në këto njësi.
Referuar specifikimeve teknike dhe kontratës, frekuenca e grumbullimit në zonat semiurbane shërbimi i grumbullimit të mbetjeve do të ofrohet ÇDO DITË, 7 ditë të javës .
Ndërkohë sipas ish-Punonjësit të shërbimeve, pastrimi për këto zona është bërë 2 maksimumi 3 herë në javë. Konkretisht për Njësinë Administrative Bushat shërbimi ofrohet për 8 fshatra, kur kjo njësi edhe sipas Administratores Nurije Çelepija në fakt ka 14 fshatra dhe shërbimi duhet të përfshij 100 % këtë njësi.
-Për zërin “Fshirje Rrugësh” me vlerë 102.97 milion lekë, nuk janë përcaktuar se cilat rrugë, pedonale apo sheshe fshatrash dhe qyteti do të fshihen, duke lënë hapësirë për abuzim me fondet, pa u kuptuar cfarë janë, trotuare apo rrugë, do të fshihen apo lahen, me mjete teknologjike apo me dorë.
Për vetë pozicionin gjeografik të kësaj Bashkie si dhe për infrastrukturën rrugore që ka, pasqyrimi i këtyre shifrave me pretekst fshirje rrugësh është vjedhje e hapur. Bashkia Vau i Dejës është ndër bashkitë që ka sipërfaqen më të vogël të rrugëve për banorë në administrim të saj, pasi akset rrugore kryesore janë në administrim të DPARRSH.
Ndërkohë në listëpagesat e bashkisë janë edhe 11 punonjës për mirëmbajtje rrugësh, 7 punëtorë pastrimi dhe 5 pastruese rrugësh.
Në kontratë, duke e bërë Vaun e Dejës sa Teksasin, thuhet se do të fshihen mbi 3 milion metër katrorë.
Për të mos i lënë me kaq surprizat, në kontratë kërkohen 10 fshesare, ndërkohë që administratorja e njësisë, njëkohësisht edhe në Komisionin e Monitorimit, thotë se kanë vetëm 1 fshesare.
-Përveç se vjedhëse administrata e bashkisë është edhe pak “magjistare”, pasi bën të mundur që punonjësi Gëzim Ndoj, i cili konfirmon që ndodhet në Londër, që me datë 27 shkurt 2022, e ka firmën e hedhur në proces verbalin e marrjes në dorëzim me datë 4 Mars 2022.
Për këtë serial abuzimesh me taksat e qytetarëve, por edhe për shkeje të rregullave dhe procedurave të Prokurimit Publik, PD me nr. 41 prot., datë 30.06.2021, i është drejtuar me prova dhe fakte SPAK. r.p
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/