Rama mohon se rusët ishin për spiunazh në Gramsh: Kronikat e mediave,...

Rama mohon se rusët ishin për spiunazh në Gramsh: Kronikat e mediave, qesharake

35
0
Shares

Kryeministri Edi Rama mohoi sot se celula ruse e kapur në Gramsh kishte mision spiunazhi.

Ai i konsideroi qesharake raportimet mediatike ndërkohë që tha se zhurma mbi ngjarjen ka nkë prapavijë dhe duhet të gjendet cila është.

Ai i bëri këto komente gjatë konferencës për shtyp me homologunnga Luksemburgu, Bettel. Ky i fundit nuk komentoi ngjarjen për sa kohë çështka është në gjykim.

Pyetje-përgjigje:

Pyetja e parë për kryeministrin Bettel. Nuk e di nëse jeni informuar për disa ngjarje të ditëve të fundit në Shqipëri kur disa të rinj rusë që supozohen të jenë spiunë rusë në fakt, kanë shfaqur interes për zona ushtarake në Shqipëri. Sa shqetësuese është për ju interesi i rusëve për një vend anëtar të NATO? Një përgjigje për këtë, zoti kryeministër do ta doja dhe nga ju, nëse do të kishit mundësi. Sa shqetësuese është kjo për qeverinë shqiptare?

Më shumë do doja një përgjigje për një tjetër pyetje që lidhet me zhvillimet politike në Shqipëri. Muaj më parë ju keni shprehur shqetësime se SPAK dukej sikur kishte një vëmendje te shtuar vetëm ne oborrin e  Partisë Socialiste por ditët e fundit është bërë publik fakti që ka nisur një hetim për ish presidentin Meta ose zotin Metaj. A keni një koment ju zoti Rama për këtë dhe në fakt për reagimin që ai pati për nisjen e një hetimi, duke ju akuzuar ju personalisht se është gatuar pikërisht në aneksin e kuzhinës se kryeministri ky hetim.

Xavier Bettel, Kryeministër i Luksemburgut: Për sa i përket pyetjes së parë, nëqoftëse i kam lexuar mirë informacionet, ka pasur një vend ku kishte armë, spiunë rus dhe një spiun ukrainas dhe ka ndërhyrë drejtësia. Pra, ka nxjerrë një mandat drejtësia, kështu që unë si ish avokat nuk mund të komentoj njerëz që janë tashmë në paraburgim dhe që janë nën përgjegjësinë e drejtësisë. I takon drejtësisë të vendosë nëqoftëse këto veprime janë të dënueshme ose jo, por të gjithë duhet të dimë, që sot mund të bëhet fjalë për një destabilizim në nivelin material por mund të behet fjalë për një destabilizim në nivelin e informimit, të informacionit dhe ka një vullnet për të kapur vëmendjen e të gjithëve dhe për të destabilizuar disa kolegë. Për shembull disa kolegë europianë qortojnë ndërhyrjen e Rusisë në shumë aktualitete që ndodhin në vendet e tyre, kritikojnë ndërhyrjen e Rusisë, pra na takon neve të tregojmë çfarë është e vërtetë, çfarë është e rreme.

Së shpejti do të ketë zgjedhje në Itali, kështu që duhet të bëjmë shumë kujdes sepse ajo që ka ndodhur këtu është diçka, por që kur bëhet fjalë për sulm të informimit dhe ju në zanatin tuaj, është shumë e rëndësishme që të mbështesim shtypin.

Unë jam gjithashtu i ngarkuar për shtypin. Një shtyp i lirë, është shumë e rëndësishme në demokraci sepse shumica e qytetarëve tanë, unë vetë duhet të justifikohem në lidhje me informacionet që njerëzit lexojnë ne facebook. Ata thonë “e lexova, është në facebook”. Ju duhet ta bëni punën tuaj sa më mirë të jetë e mundur. Të denonconi gjithashtu lajmet e rreme dhe është e rëndësishme të investohet në një gazetari të re dhe të pavarur edhe pse na kritikoni, ju bëni punën tuaj dhe ne duhet të jetojmë me këtë.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit për pyetjen e parë sepse nuk kam pasur mundësi të shprehem lidhur me këtë edhe pse ministri i Mbrojtjes së bashku me ministrin e Brendshëm kanë bërë të gjitha shpjegimet e nevojshme, por meqë ma jepni këtë mundësi, më lejoni t’ju them që mjegulla e ngritur mbi të ashtuquajturat objekte të rëndësisë së veçantë ishte për të qarë dhe për të qeshur. Ato nuk janë objekte të rëndësisë së veçantë. Ato nuk janë as fabrika që prodhojnë armë. Ato janë karakatina të deklasifikuara si objekte me rëndësi të veçantë në vitin 2012. Faktikisht kanë statusin e SHPK-ve, që janë absolutisht të falimentuara dhe që janë deri në pikën ku për shkak se nuk kanë mundësi të paguajnë dritat, iu priten dritat dhe kanë disa roje aty që janë për të mbrojtur atë perimetër nga zaptimet etj, etj.

Tani të thuash që “po bëjnë spiunazh”, duke fotografuar ato mbetje arkeologjike të komunizmit është shumë qesharake, ndërkohë që ajo që duhet t’ju shqetësonte dhe që na shqetëson ne, është: këta persona, çfarë qëllimesh të vërteta kanë në vendin tonë?

Tani më falni, por një mision spiunazhi që shfaqet më një veturë sportive e cila duket sikur thërret “aman, hajdeni me shihni dhe më kapni se jam e veçantë”, është pak si qesharake. Kështu që i takon hetimit të nxjerrë më shumë. Shqetësimi ynë: është ku është qëllimi i vërtete? Përveç krijimit të kësaj mjegulle që ne fund të ditës i shërbeu nxitjes së një sëkëlldie, s’po them panik, se nuk besoj se ka patur panik se pashë që në fakt njerëzit e zakonshëm duke përdorur rrjete sociale bënë shumë humor me këtë lloj kronikash dhe këto lloj reportazhesh fantazmagorike, këto lloj thirrjesh të urrejtësve profesionistë për rrëzimin e ngrehinës së sigurisë kombëtare.

Ndërkohë që duhet të shohim nga hetimi dhe nga gjykimi se ku është qëllimi i vërtetë. Nuk ka lidhje kjo me objekte, a jeni në vete apo jo?

Në kohën kur behet luftë yjesh dhe kur flitet për sofistikimeekstreme për predha e raketa supersonike që nisen nga një anë e botës dhe arrin në tjetrën, të flasësh për cënim të sigurisë kombëtare se u shfaqën disa personazhe të dyshimtë, po, e vërtetë, me aparat për të fotografuar mbetjet arkeologjike të industrisë ushtarake të komunizmit, është qesharake.

Thelbi është ky. Këta persona të cilët për fat të mirë u ndaluan nga rojet që bënë detyrën e tyre, janë persona të dyshuar për spiunazh, kjo është shumë e qartë, por çfarë fshihet pas kësaj shfaqje që mori mendjen e gjithë dynjasë dhe me ndihmën tuaj, flas të reportazheve të reporterëve që shkonin atje kërcenin mbi një kanal, nxirrnin një guvë që s’kishte asgjë, flisnin për C4 e për mbetje nukleare, e për ku di unë se çfarë. Kjo është pyetja! Çfarë në fakt, fshihet pas gjithë këtij spektakli që sigurisht u dha me ndihmën e gjithë ‘kronikanëve’ dhe jo me pagesë madje. Nëse është një mision spiunazhi, nuk pati nevojë të paguante asnjë sepse u vunë të gjithë në shërbim të atij misioni për të krijuar këtë zhurmë të madhe. Ajo që është e rëndësishme është të gjejmë arsyen e vërtetë dhe për këtë po punojnë grupet hetimore.

Për pyetjen e dytë. Unë nuk flas kurrë në prezencë të miqve që na nderojnë nga jashtë dhe në prezencë të përkthyesve për çështje të politikës së brendshme. Asnjëherë! Ky është parimi im. Mendoj që politika e brendshme nuk është një fushë që na takon ne si mikpritës të përfshijmë miq, që jemi këtu për t’i nderuar dhe nuk flitet në gjuhë të huaj për probleme të politikës së brendshme, për kundërshtarë politikë, për akuza e stërakuzapolitike.

Kështu që më vjen keq, por për pyetjen e dytë nuk do t’ju jap asnjë përgjigje.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY