Ngjarja makabre e Palasës, ku i sëmuri mendor Jorgo Zani masakroi një minoren 12-vjeçar, mund të ishte shmangur nëse institucioni që ka diagnostikuar autorin do të kishte zbatuar legjisalcionin në fuqi për personat me probleme mendore.
Legjislacioni aktual shqiptar, më konkretisht Kodi i Procedurës Civile nga neni 382 e në vazhdim dhe ligji për shëndetin mendor në nenin 9 parashikojnë heqjen e zotësisë për të vepruar të personave me probleme të shëndetit mendor.
Heqja e zotësisë bëhet nëpërmjet një kërkese civile në gjykatë nga institucionet që kanë konstatuar anomalitë e pacientit që ka probleme mendore dhe që nuk ka kujdestar. Këto ligje nuk janë thjesht të shkruara por kanë gjetur zbatim në dhjetëra raste.
Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Gert Hoxha, i kontaktuar në telefon nga Top Channel ka pranuar se dikasteri në fjalë ka dhënë dhjetëra vendime të izolimit në qendrat përkatëse shëndetësore të personave me probleme të shendetit mendor dhe heqjen e zotësisë për të verpuar për këta shtetas, raporton Top Channel.
Në këtë rast interesi i sigurisë publike dominon mbi interesin dhe të drejtat e individit. Kjo masë, sipas Hoxhës, parandalon kryerjen e krimeve të rënda nga këta persona, të cilët nuk mund të bëhen subjekt i ligjit civil apo penal vetëm kur kryejnë akte në dëm të pronës apo njerëzve por mund të bëhen edhe në raste të tilla parandaluese. Duke iu rikthyer ngjarjes së Palasës, mbetet për t’u zbardhur nëse mjekët e spitalit psikiatrik të Vlorës që kanë diagnostikuar vrasësin e kanë parashikuar ose jo që rëndimi i sëmundjes që kishte Zani mund ta kthente 30-vjeçarin në një makineri të pamëshirshme vrasëse dhe përse nuk kanë ndjekur procedurat për izolimin e tij.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/