Kryeministri Edi Rama do të jetë në Serbi më 13 tetor për të promovuar librin e tij në serbisht “Kurban” ndërkohë që takimi mes zyrtarëve të lartë serbë e shqiptarë në Nish do të bojkotohet nga zyrtarët e Kosovës.
Sipas portalit serb “Danas”, promovimi i librit të Ramës është konfirmuar nga administratori i portalit B92 i cili është i njohur edhe si botues librash, Veran Matiç, si dhe nga Shkëlzen Maliqi, këshilltar politik i Edi Ramës dhe publicist kosovar.
Dy kryeministrat Rama dhe Vuçiç do të takohen në Nish brenda dy muajve në një forum Biznesi të hapur Serbi-Shqipëri, ku pritet të marrin pjesë shumë ministra dhe biznesmenë nga vendi ynë. Kjo është konfirmuar nga qeveria Serbe për agjensinë shtetërore të lajmeve Tanjug. Në Nish, sipas mediave serbe, do të promovohet projekt i përbashkët i autostradës Nish-Durrës, i cili pastaj do të përcillet për në Bruksel. Qeveria shqiptare ka thënë për Danas se me siguri kjo rrugë do të ndërtohet, pavarësisht se Bashkimi Europian nuk ka dhënë ndonjë informacion rreth financimit të këtij aksi. Në takimin që do zhvillohet në Nish është njoftuar pjesëmarrja dhe e politikanëve shqiptarë të Kosovës. Mediat përjashtojnë mundësinë që kryeministri Isa Mustafa, apo presidenti Hashim Thaçi të marrin pjesë, por theksojnë se në takim do të jenë të pranishëm vetëm disa përfaqësues të rangut të ulët politik të Kosovës.
Por një zyrtar i lartë në Prishtinë tha për Lapsi.al, se qeveria e vendit të tij do ta bojkotojë këtë takim. ‘Madje – tha ai- ne nuk do të marrim pjesë as me zyrtarë të nivelit të ulët”.
Arsyeja që kosovarët do të bojkotojnë këtë takim që e shohin si propogandistik dhe më shumë në favor të imazhit të dy liderëve është fakti se në të do të flitet edhe për rrugën Merdare (kufiri Kosovë-Serbi)- Nish për të cilën Beogradi po financohet nga projektet për Ballkanin.
Megjithatë Prishtina ashtu si Tirana kanë deklaruar vazhdimisht se nuk duhen të përzihen në politikat e tyre lidhur me raportin me Serbinë. Tirana ka deklaruar disa herë përmes drejtuesve të qeverisë se marrëdhëniet Shqipëri-Serbi nuk kushtëzohen nga raportet Serbi-Kosove.
Por takimi në Nish tejkalon kufinjtë ndërsa flitet për një rrugë që lidh Kosovën me Serbinë.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/