Fatura financiare për përballimin e shpenzimeve që rrjedhin nga reforma në drejtësi është jo e vogël dhe vë në vështirësi buxhetin e shtetit. Opozita kishte parashikuar këtë problem që kur kërkoi reduktimin institucioneve të drejtësisë dhe shmangien e burokracisë së fryrë pasi mungojnë kapacitetet financiare.
“Ministria e Financave thekson se është në vështirësi të mëdha për të gjetur paratë për pagat e magjistratëve. Vetëm për rrogat dhe sigurimet shoqërore të 985 anëtareve te institucioneve të drejtësisë, fondi vjetor që duhet të derdhë buxheti i shtetit është 45 milionë dollarë.
Nga llogaritë e bëra rezulton se paga mesatare e një gjyqtari apo prokurori me sistemin e ri shkon në 3 milion e 300 mijë lekë të vjetra.
Referuar këtyre të dhënave mbi pagën mujore të çdo magjistrati, të propozuar si më lart, rezulton se fondi i nevojshëm për paga dhe sigurimet e detyrueshme shkon në 4.5 miliardë lekë në vit, nga 1.8 miliardë që është aktualisht, ndërsa paga mesatare shkon nga 138 000 lekë/muaj në 330 000 lekë në muaj, pa përfshirë shtesën e pagës për vjetërsi. Kjo faturë rrezikon që të rritet çdo vit, për shkak të shtesës së lartë që ekspertët e Euralius kanë kërkuar për vjetërsinë në punë të punonjësve.
Ministria e Financave është vënë në alarm pasi vjetërsia për vitet e shërbimit rrezikon të shkojë deri në 75% të pagës bruto, ose nëse përkthehet në vlerë monetare, një magjistrat që i afrohet viteve të fundit të punës, rroga i rritet për shkak të vjetërsisë me 2 milion e 470 mijë lekë të vjetra të tjera”, raporton vizionplus “Vizion Plus” që posedon korrespondencën mes Komisionit të Posaçëm Parlamentar për reformën dhe Ministrisë së Financave.
Progresioni i rritjes së faturës është 4-5 milionë dollarë në një vit pa folur për shpërblimet dhe sigurimin e jetës dhe pronës së magjistratit dhe familjes së tij.
“Nëse bëhet krahasimi me institucione të tjera, paratë që do të dalin për afro 1000 magjistratët nga buxheti i shtetit shkojnë afërsisht me të njëjtin fond që paguhet për të gjithë aparatin e Ministrisë së Mbrojtjes bashkë me forcat e armatosura, numri i punonjësve të të cilës është mbi 8800”, raporton vizionplus.
Nuk mbaron këtu, pasi është menduar që statusi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të përfshijë edhe benefite të tjera.
“Projekti përcjell kosto shtesë financiare në buxhetin e shtetit, kosto të cilat nuk janë parashikuar të mbulohen nga burimet aktuale buxhetore. përllogaritja e kostos totale të këtij projekti, nuk mund të vlerësohet tërësisht nga ana jonë, pasi për të realizuar përllogaritjet e nevojshme kërkohet një informacion më i detajuar në lidhje me numrin e personelit civil gjyqësor të grupuar sipas klasifikimeve të paraqitura në këtë projektligj dhe me strukturën e menduar të pagës për çdo klasifikim”, citon vizionplus, komentet e bëra nga Ministria e Financave, e cila ka kërkuar rishikimin e pagave për gjyqtarët e prokurorët, që janë vënë si referencë nga ekspertët e EURALIUS.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/