Rama propozon bazën ushtarake në Porto Romano, NATO nuk përgjigjet, deklaratat e...

Rama propozon bazën ushtarake në Porto Romano, NATO nuk përgjigjet, deklaratat e Stoltenberg dhe Ramës në Bruksel

36
0
Shares

Kryeministri Edi Rama tha sot se i ka propozuar NATO ndërtimin e një baze ushtarake detare në Porto Romano, ndërkohë që kreu i NATO, Stoltenberg nuk e përmendi gjatë një konference shtypi që mbajtën bashkë sot në Bruksel.

Kryeministri Rama i kërkoi NATO që të përfshinte Kosovën në Partneritetin për Paqe ndërsa tha se duhet të ketë dialog me Serbinë.

Pjesë nga deklaratat e Stoltenberg dhe Rama:

Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Jens Stoltenberg:

Më vjen shumë mirë që ju shoh sërish, kaq shkurt pas samitit të Madridit. Shqipëria është që vërtetë një aleat mjaft e vlerësuar dhe e vlerësoj shumë që takohem sërish me ju.

Shqipëria kontribuon në forcat shumëkombëshe të NATO-s në Letoni dhe në Bullgari dhe ju po kështu ndihmoni edhe në parandalimin e çdo agresioni kundër vendeve aleate të NATO-s. Po kështu ju kontribuoni në misionin paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë dhe Ballkani Perëndimor ka rëndësi strategjike për NATO.

Ne e vlerësojmë angazhimin e Shqipërisë për të nxitur stabilitet dhe bashkëpunim në rajon. Në samitin e NATO-s në Madrid ne morëm vendime me efekte mjaft thelbësore për të transformuar dhe forcuar Aleancën dhe këtu përfshihet një ndryshim thelbësor në qëndrimin tonë të parandalimit dhe të mbrojtjes, një mbështetje për Ukrainën si dhe një koncept te ri strategjik.

Ne po kështu ramë dakord të ftojmë Finlandën dhe Suedinë që të anëtarësohen në NATO dhe përgëzoj Shqipërinë për ratifikimin e protokolleve të anëtarësimit për të dyja vendet kaq shpejtë! Faleminderit shumë!

Kjo dëshmon se dera e NATO-s mbetet e hapur dhe se vazhdojmë të përkrahim të drejtën e çdo vendi të zgjedhë rrugëtimin e vet. Mirëpritja e Finlandës dhe Suedisë në aleancë do t’i bëjnë ata më të sigurtë, NATO-n më të fortë dhe botën më të sigurte. Kjo është jetike ndërkohë që përballemi më krizën më të madhe të sigurisë në dekada.

NATO qëndron me Ukrainën ndërkohë që mbron veten e saj ndaj luftës mizore të Rusisë. Ne po ofrojmë modele të pashembullta mbështetjeje dhe kjo do të vazhdojë edhe në afat të gjatë. Unë mirëpres mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën si edhe angazhimin tuaj të fundit për ndihmë humanitare. Gjithashtu dhe vizita juaj e fundit në Ukrainë ishte një dëshmi e rëndësishme solidariteti.

Kështu që kryeministër Rama, i dashur Edi, faleminderit edhe një herë për kontributin e Shqipërisë për sigurinë tonë të përbashkët. Pres me padurim që të vazhdoj të punoj me ju kështu që edhe një herë mirë se erdhët!

Kryeministri Edi Rama:

Në kapacitetin tonë si vend aleat dhe si vend kandidat për në BE, ne do vazhdojmë të luajmë rolin tonë tradicional, në mbështetje të paqes rajonale, pajtimit dhe sigurisht, stabilitetit.

Ndërkohë që koncepti i ri strategjik që sapo kemi miratuar thekson rolin strategjik të Ballkanit Perëndimor për NATO-n, ne besojmë shumë se është tejet e rëndësishme që të vijojmë një dialog të përhershëm me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Serbinë, e cila nuk është pjesë e aleancës sonë, por ende është pjesë e rajonit tonë.

Nga ana tjetër, pata dhe njëherë shansin t’ju them atë që kam përmendur tashmë në Samit. Nevojën për të konsideruar përfshirjen e Kosovës në partneritetin për paqe edhe pse e dimë që ka disa kufizime politike nga disa aleatë dhe e dimë që ky është organizëm konsensual. Megjithatë, në kohët ku jetojmë, në këndvështrimin tim modest, është vërtetë e mençur që kjo të ri konsiderohet.

Së fundmi në radhë, por jo nga rëndësia, e vlerësoj shumë disponibilitetin tuaj për të na kushtuar pak kohë në bisedën tonë për t’ju prezantuar ambicien tonë, për të shtuar një vlerë tjetër të rëndësishme në infrastrukturën dhe logjistikën e aleancës sonë, duke vënë në dispozicion të NATO-s një bazë të flotës detare të fjalës së fundit që do të jetë një vend që jo vetëm mund të ndërtojmë, por mund ta ndërtojmë duke patur parasysh sfidat e kohës sonë, nga ndryshimi i klimës, nga mbrojtja e mjedisit e gjithçka tjetër.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY