Kreu i KLP, Alfred Balla ka çuditur me një deklaratë në emër të KLP ku kërkon që me ligj të kufizohen qëndrimet apo protestat e avokatëve për momente të ndryshme gjyqësore.
Ai është kundër bojkotit të avokatëve për seancat e masës së sigurisë për elementë kriminale dhe thotë se bojkoti duhet të ndalohet me ligj.
Reagimi i plotë i Alfred Ballës:
KLP-ja shpreh shqetësim për moszgjidhjen me forma të tjera të pretendimeve të avokatëve shqiptarë për sa i takon projekt hartës së re gjyqësore. Ne me ligj nuk kemi qenë pjesë e hartimit të hartës, ndonëse personalisht mendoj se duhet të caktohet në ligj që të jemi si KLGj-ja dhe MD-ja në grupet e punës. Si Këshill dhamë vetëm një opinion mbi vendimarrjen e KLGj-së dhe ishim dakort në parim me projektin pasi ai nuk bie ndesh me interesat e sistemit të prokurorisë. Sistemi i prokurorisë tek ne është i ndërlidhur e vepron pranë atij gjyqësor.
Këtë dakordësi me hartën e ka shprehur edhe Prokurori i Përgjithshëm i cili ndryshe nga ne, ka qenë pjesë e konsultimeve publike nëpër Shqipëri këtë 6 mujor. Për hartën e re gjyqësore, këndvështrimet ligjore, praktike, teorike, rajonale etj., janë normale të jenë pa fund. Personalisht mendoj se zëri i avokatëve duhet dëgjuar në tavolinë.
Nga ana tjetër bojkoti i seancave penale me të arrestuar ku një pjesë mund të jenë të rrezikshëm, më duket ekstrem. Avokatët si profesionistë të lirë mund të ofrojnë apo jo ndihmë juridike për qytetarët, por avokatët e caktuar kryesisht, ashtu si kanë komoditetin që një pjesë të punës ua “gjen” shteti, ashtu duhet të marrin përsipër detyrimin t’u përgjigjen gjykatave dhe prokurorive.
Mundet që iniciativa jonë ligjore e radhës të jetë për të ndaluar me ligj bojkotin ose grevën në këtë pjesë të mbrojtjes (masa sigurimi, asistenca gjatë marrjes në pyetje e të miturve, verifikimi i kushteve të zbatimit të masave të sigirimit personal etj.)
Ashtu si dhe në disa sektorë jetësorë të shoqërisë shqiptare (polici, mjekësi, zjarrfikës etj.,) edhe këtu mund të vendoset një kufizim i tillë pasi interesi shoqëror për mbrojtjen nga eksponenti kriminal prevalon mbi atë të formulimit apo adresimit të kërkesave të një grupi shoqëror sado i rëndësishëm është ky grupim.
Por pjesëtarë të komunitetit të avokatëve e kanë pritur mjaft ashpër këtë reagim të kreut të KLP.
Avokati, Jordan Daci, shpreh keqardhjen që një propozim i tillë vjen nga një person që pavarësisht detyrës aktuale vjen nga radhët e avokatisë.
Sipas Dacit, të ndalosh me ligj bojkotin e avokatëve i bie që këtu merr fund çdo pari themelor i së drejtës dhe vetëm për shtet demokratik dhe të drejtës nuk flitet.
Në vijim Daci thekson se nuk gjen dot një marrëzi më të madhe sesa kur kryetari i KLP mendon ose dëshiron të propozojë të shkelen të paktën rreth 10 parime themelore kushtetuese.
Daci e fton Ballën të shqetësohet për faktin sesi një vend demokratik, palë e lartë kontraktuese e KEDNJ zhvilluan gjyqe penale dhe masa sigurie pa mbrojtës ndonëse mbrojtja është e detyrueshme. a.b





