Rama dhe Abazoviç ne Kiev, konferencë me Zelenskin, Rama i kujton Kievit...

Rama dhe Abazoviç ne Kiev, konferencë me Zelenskin, Rama i kujton Kievit Kosovën që ende nuk e kanë njohur

87
0
Shares

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ai i Malit të Zi Dritan Abazoviç vizituan sot Unraunën ndërsa u protln e ma pas dhanë një konferencë për shtyp me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Kryeministri Edi Rama është pyetur nga gazetarët nëse Shqipërisë do t’i vinte keq që Ukraina të marrë me procedura të përshpejtuara statusin e vendit kandidat.

Ndërsa theksoi se është e drejta e Ukrainës që të kërkojë statusin e vendit kandidat, Rama solli në vëmendje edhe rastin e Kosovës, për të treguar se “këtu jemi në një linjë të mirë-përkufizuar të asaj çfarë jemi ne dhe se çfarë ne përfaqësojmë.”

“Ka një vend që Ukraina s’e ka njohur, Kosova dhe pavarësisht kësaj, ajo po bën të njëjtën gjë që po bëjnë të gjithë me sanksione dhe mbështetje të plotë. Pra këtu jemi në një linjë të mirë-përkufizuar të asaj çfarë jemi ne dhe se çfarë ne përfaqësojmë. Pra besoj se është gjëja e duhur për t’u bërë. Populli i Ukrainës duhet ta dijë tani që në sytë e BE, e ardhmja e tyre është në familjen e BE. Kjo është e vetmja gjë që nënkupton marrja e statusit kandidat.”

Pas vizitës 12-orëshe me tren, dy krerët e Qeverive të Ballkanit Perëndimor u pritën nga delegacioni ukrainas në Kiev. Vizita e tyre ka nisur në Bucha, e më pas në Borodyanka e Irpin, tre ndër qytetet e prekura nga masakrat dhe varret masive të civilëve.

Më pas ata kanë vizituar ekspozitën për luftën ruso-ukrainase, ku kanë parë të dokumentuara tmerret me të cilat është përballuar populli ukrainas.

Vizita vijoi me takimin e kryeministrit të Ukrainës, Denys Shmyhal, dhe kryebashkiakut të Kievit, Vitali Klitschko. m.k

Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Rama, Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskyy dhe Kryeministrit të Malit të Zi Dritan Abazovic

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy: Faleminderit shumë të nderuar zonja e zotërinj,

Të nderuar kryeministra,

Të nderuar miq,

Të nderuar pjesëmarrës e gazetarë,

Sot pritëm në një format unik takimi, një takim shumë të rëndësishëm, praktikisht një Samit të Ukrainës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, me kreun e qeverisë shqiptare dhe kreun e qeverisë së Malit të zi që na kanë vizituar personalisht dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut që u bashkua me ne me një mesazh të regjistruar. Jam i kënaqur që mund ta zhvillonim më tej këtë format për të forcuar vendet tona e për të forcuar rajonet tona e po kështu për të forcuar Europën në tërësi.

Ky takim i sotëm është një dëshmi e mbështetjes për Ukrainën nga ana e Kryeministrave dhe vendeve të tyre për Ukrainën, për integritetin e saj territorial, sovranitetin e saj si dhe për kauzën tonë për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian, si edhe çka është më e rëndësishmja edhe nevojën për të vënë përpara përgjegjësisë të gjithë autorët e krimeve ruse për gjithçka që kanë bërë kundër Ukrainës në tokën tonë dhe kundër Europës, gjithashtu edhe për negociatat.

Të nderuarit kryeministra vizituan zonat e çliruara të rajonit të Kievit për të parë personalisht pasojat e pushtimit të këtyre territoreve nga Rusia. Ne ramë dakord që një përgjigje taktike efektive kundër agresionit rus duhet të jetë një mbështetje më e intensifikuar dhe në kohë për Ukrainën që është shumë e rëndësishme, e sidomos me armatime, si dhe me rritjen e trysnisë kundër Rusisë dhe sanksioneve kundër Federatës Ruse për këtë agresion.

Paketa e shtatë e sanksioneve duhet të jetë mjaft e prekshme e duhet të ndihet në mënyrë akute nga Rusia. Duhet të jetë më e fuqishme se gjashtë paketat paraardhëse. Duhet të jetë përgjigje strategjike ndaj agresionit rus e duhet të forcojë unitetin e kontinentit. Na duhet më tepër bashkërendim i vendeve europiane. Na duhet që të tejkalojmë ndasitë midis të ashtuquajturve anëtarë të rinj e të vjetër. Na duhet që të shmangim çdo zonë gri në Europë. Vendet tona, Ukraina, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, duhet të bëhen anëtarë me të drejta të plotë të Bashkimit Europian dhe ne biem dakord që vendet tona nuk janë rivalë në këtë udhëtim europian, por ata përplotësojnë përpjekjet dhe mundësitë e tyre.

Sot ne takohemi në vigjilje të një takimi historik europian që do të marrë masa, do të miratojë vendime për perspektivën europiane të Ukrainës. Kjo do të jetë vendimtare për të ardhmen e Europës. Falënderoj kryeministrat për deklaratën e përbashkët që miratuam sot si rezultat i takimit që zhvilluam, për mbështetjen e dhënies së statusit kandidat për në Bashkimin Europian të Ukrainës. Sot po kështu mbuluam dhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes midis vendeve tona.

Ju falenderoj të nderuar zotërinj për mbështetjen tuaj, sidomos në sferën e armatimeve e atë teknike.

Faleminderit shumë që mbështesni njerëzit tanë që kanë gjetur strehë në vendet tuaja dhe shpresoj që shumë shpejt do të jemi në gjendje të punojmë sëbashku për projektet që lidhen me rindërtimin e Ukrainës.Ju falënderoj shumë për këtë takim dhe mendoj që do të vijojmë më tej pas këtij takimi dhe jam besimplotë që do të kemi takime të frytshme në të ardhmen në interesin më të mirë të popujve tanë. 

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit me gjithë zemër zoti President për ftesën për të qenë këtu sot dhe ndihem i privilegjuar së bashku me Dritanin dhe Dimitrin, i cili për arsye objektive nuk mund të ishte me ne. Si kryeministra të tri vendeve të NATO-s nga vendet e Ballkanit që gjendemi këtu me ju dhe të dëshmojmë solidaritetin dhe mbështetjen tonë të plotë për ju dhe për popullin ukrainas.

Siç jua thashë tashmë, që kur nisëm bashkëbisedimin tonë personalisht, hezitoja të vija sepse përmasat e këtij tmerri janë të skajshme dhe mundësia që ka Shqipëria për të ndryshuar fatin e kësaj lufte nuk është aspak e mjaftueshme, por në të njëjtën kohë nuk mund të mos i përgjigjesha ftesës tuaj e nuk mund ta humbnim këtë moment me ju.

Jam mjaft mirënjohës për mikpritjen bujare dhe për dëshirën për të ndarë me ne një pjesë mjaft të vogël të realitetit që më parë e kemi parë përmes fotove. Sot patëm mundësinë të shohim nga shumë pranë Irpinin. Jam vërtetë i lumtur që ratë dakord me propozimin tonë për të bashkuar përpjekjet dhe për të ndërtuar një bllok secili prej vendeve, ndërtesën e tij, për familjet dhe fëmijët e Irpinit.

E di që Bashkimi Europian e shumë të tjerë janë tashmë pjesë e kësaj përpjekjeje, por le ta bëjmë në mënyrën ballkanike pa shumë burokraci dhe të jemi të parët që e bëjmë këtë gjë dhe kjo ndoshta do të përshpejtojë përpjekjet e të tjerëve.

Nga ana tjetër, gjendemi këtu të shprehim mbështetjen e plotë të idesë suaj dhe të kërkesës suaj në emër të popullit ukrainas që Bashkimi Europian t’i japë Ukrainës statusin e vendit kandidat. Më duhet ta them fort dhe qartë se së bashku me Dritanin dhe Dimitrin jemi më shumë se të lumtur që t’i bashkojmë emrat tanë me tuajin në këtë deklaratë të përbashkët, pasi nuk duam që askush të spekulojë me faktin që Bashkimi Europian nuk e ka mbajtur fjalën për ne dhe ndoshta tani nuk do të ndiheni mirë që realizon diçka për Ukrainën. Jo, nuk është kështu! Këto janë dy çështje krejt të ndara. Natyrisht, ne nuk jemi të kënaqur me BE-në dhe ky nuk është sekret, por ndërkohë jemi plotësisht të angazhuar ndaj rrugëtimit evropian, jo për shkak të Parisit, Londrës apo Brukselit, por për shkak të së ardhmes së brezave tanë të ardhshëm.

Nga ana tjetër, e kuptojmë plotësisht këtë dëshirë të zjarrtë të Ukrainës  për ta patur këtë gjë dhe për ta patur tani. Natyrisht pasi të merrni statusin kandidat mund të duhet të përballeni me realitetin që statusi kandidat nuk është aq shumë sa mendonit se ishte para se ta kishit, por është mirë që ta keni, kështu që nga ana jonë keni mbështetje të plotë për këtë.

Së fundmi, nga radha, por jo nga rëndësia, jam krenar të ndaj me ju edhe publikisht zoti President, që Shqipëria si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit edhe si bashkënismëtare për Ukrainën e rezolutave me SHBA, është tejet e privilegjuar t’i japë zë rreth asaj tryeze, shqetësimeve dhe kërkesave të popullit të Ukrainës për një paqe të drejtë.

Kështu që më lini t’ia kaloj tashmë fjalën Dritanit, duke ju falenderuar shumë për atë qe po bëni sepse ajo që po bëni nuk është thjesht diçka që natyrshëm ua detyroni popullit ukrainas dhe vendit si Presidenti  i tyre, por ajo çka po bëni është diçka që nuk detyroheni, por po e bëni për vlerat dhe parimet themelore të të jetuarit në paqe, në tokë dhe për të gjithë Europën, pse jo për të gjithë botën, kështu që Zoti ju bekoftë dhe Ukraina të dalë sa më parë e rilindur nga ky tmerr dhe nga kjo luftë, e pse jo, daltë edhe Europa e rilindur prej saj.

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazovic: Së pari, faleminderit President Zelenski! Për ne është një nder i madh që gjendemi këtu me ju, faleminderit për kohën tuaj.

Ne e konsiderojmë këtë si një detyrim politik, por përpara se te jetë politik, moral për të ardhur në Kiev dhe simbolikisht të shtrëngojmë duart me ju dhe t’ju japim një përqafim të madh për të gjithë popullin ukrainas i cili deri tani ka bërë një mrekulli dhe është përpjekur me të gjithë kapacitetin për të mbrojtur vlerat demokratike të Europës.

Në fakt ju nuk po luftoni vetëm për territorin tuaj, për popullin tuaj, por po luftoni për parimet dhe për mënyrën e jetesës, për mundësinë për të zgjedhur fatin tuaj për të ardhmen. Vendet tona, duhet të them që gjithçka që lidhet me parimet elementare, demokratike, vullnetin e institucioneve, i popullit tuaj për ne është në rregull. E njëjta gjë vlen dhe për BE-në. Keni mbështetjen e Malit të Zi. Sigurisht jam i gëzuar që keni mbështetjen e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut që bëhen së bashku për të mbështetur dëshirën e popullit tuaj për të qenë së bashku në një familje të përbashkët europiane.

Kjo është një kohë mjaft e vështirë për Europën, është një kohë mjaft e vështirë për botën dhe unë mendoj që ajo çka është më e rëndësishme dhe e ndamë këtë përvojë në mëngjes, është që lufta të ndalet. Çdo gjë tjetër është më pak e rëndësishme. Duhet të gjejmë një rrugë se si të ndalim luftën, se si të ndalim shkatërrimin masiv të infrastrukturës, shtëpive të njerëzve, vrasjen e njerëzve dhe pas kësaj sigurisht do të keni mbështetjen e plotë për rindërtimin e vendit tuaj.

Ne nuk kemi shumë kapacitete, e vërtetë, jemi vende të vogla, por megjithatë do të japim kontributin tonë ashtu siç tani po japim kontributin duke ju ofruar disa pajisje dhe një lloj mbështetjeje financiare që ndoshta nuk është mjaft dhe absolutisht nuk është mjaft, por është përgjegjësia jonë. Ne shpresojmë që kjo vizitë, apo siç e quajtët ky samit i tre kryeministrave nga Ballkani perëndimor edhe pse Dimitri nuk është me ne, por ai erdhi me një deklaratë përmes një lidhjeje videoje, është po kështu një mesazh i fortë për vendet e BE-së, për partneret e BE-së, për vendet që janë super fuqi dhe kanë mundësi reale për të bërë shumë më tepër sesa ne, që më së fundmi na duhet që të jemi në të njëjtën gjatësi vale, në të njëjtën fazë të promovimit të vlerave demokratike.

Ajo çfarë keni bërë deri tani është vërtetë e pabesueshme. Nga ana jonë do të keni mbështetjen tonë. Dua të përmend që çdo ukrainas që është tashmë në Malin e Zi dhe janë 10 mijë tashmë, 1.8 % e popullsisë tonë sepse ne jemi një komunitet i vogël, janë mëse të mirëpritur dhe ndihen mjaft të sigurt dhe mendoj që ndihen shumë komod. Nuk dua të shoh që kemi refugjatë nga Ukraina sepse kanë shtëpitë e tyre këtu, por vërtet dua që të vijmë në atë kohë ku të flasim për marrëdhënie ekonomike të vendeve tona, për të bërë biznes, për të bërë gjëra të mira e pozitive për vendet tona.

Kështu që nga ana jonë keni një mik të besuar. Ne do të bëjmë më të mirën për t’ju mbështetur në çdo nisëm, dhe të jeni të sigurt që ndajmë këtë përvojë prej rreth tre dekadave më parë në Ballkanin Perëndimor dhe e dimë saktësisht çfarë është agresioni, shkatërrimi i luftës dhe krimet e luftës. Ndaj në emër të paqes, në emër të miqësisë, në emër të solidaritetit të të gjitha vendeve europiane ju uroj gjithë më të mirën për të ardhmen dhe faleminderit shumë për këtë mundësi. Edhe një herë, ky është një detyrim moral i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe më pas dhe detyrim politik. Faleminderit dhe një herë dhe qëndroni të fortë. Faleminderit!

* * *

Lidhur me pyetjen e parë, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy u përgjigj: Asnjëri nuk e mendonte vite më parë që do të kishte një luftë midis Rusisë dhe Ukrainës sepse ne ishim dhe jemi ende fqinjë. Nëse do ta kisha menduar përpara presidencës sime po të më pyesnit? Jo!

Çështja është që kjo luftë ka tetë vjet tanimë. Tetë vjet shkeljesh nga ana e Rusisë të të gjitha parimeve ndërkombëtare duke nisur me aneksimin e Krimesë, pushtimin e Donbasit e pastaj filloi lufta në tërësi. Nuk mund ta krahasojmë këtë me pushtimin në shkallë të gjerë.

Ka nisur qysh prej 2014 dhe atëherë ishim të gatshëm për çdo gjë! Çdo gjë! Por sinqerisht, ndershmërisht, askush nuk do të mendonte për këtë torturë në rajonin e Kievit, në rajonin lindor, për vrasjen e fëmijëve, për shkatërrimin e qyteteve dhe komuniteteve të tëra në zonat rurale.

Këto masakra, kjo lloj mizorie ishte e paimagjinueshme. Mund ta përfytyroni me mendje, por kur e shihni me sytë tuaj është krejt ndryshe. Kemi parë nazizëm, terrorizëm me atë çfarë i kanë bërë njerëzve tanë, çfarë i kanë bërë Ukrainës, ky është gjenocid dhe kjo nuk është vetëm me fjalë, mund ta shohësh me sytë e tu e ta besosh.

Në median ruse hapur pranohet që nuk e njohin Ukrainën si vend, si juridiksion. Ata nuk njohin kufij, ata nuk mendojnë që ky territor na përket ne. Ata nuk e njohin sovranitetin tonë. Është çështje parimi për ta që të mos na njohin si komb. Tashmë po flasin siç mendojnë. Ata e kanë pasur këtë koncept prej vitesh, prej shumë kohësh. Ata kanë degraduar Ukrainën. Ky është trajtim degradues për çdo vend të pavarur.

Pra nëse ne biem, ata mund të fitojnë diçka. Në fakt kjo nuk duhet të vazhdojë. Kjo është një dramë nga ato televizive. Kur Ukraina mendoj të jetë e bashkuar seriozisht me vendet e tjera të botës, kjo gjë do të përfundojë. Në qoftë se çdo juridiksion e trajton Rusinë si armik të çdo vendi të civilizuar. Kjo është një propagandë që ata ndjekin si propaganda naziste ajo e Goebbels. Në qoftë se i luftojmë së bashku, Ukraina do të bëhet më e fortë dhe Rusia do të detyrohet të flasë jo më përmes topave dhe plumbave, por do të përdorë zërin njerëzor dhe kjo do të përshpejtojë procesin e përfundimit të kësaj lufte.

 – Parlamenti Europian e ka deklaruar që jeni drejt anëtarësimit. Ju keni bërë reforma prej vitesh në vendet tuaja dhe si e shihni këtë rrugë të përshpejtuar për Ukrainën. Po shansin tuaj për anëtarësim në Bashkimin Europian? Do të ketë ndonjë konkurrencë me Ukrainën për këtë anëtarësi dhe si i vlerësoni shanset që ka Ukraina për tu anëtarësuar?

Kryeministri Edi Rama: Kjo pyetje nuk do të më drejtohet mua së paku sepse jemi këtu për të mbështetur nevojën dhe kërkesën e Ukrainës për të marrë statusin kandidat. Nuk dua që tu jap njerëzve që mund të na shohin tani, që mund të na dëgjojnë tani, përshtypjen që kjo është diçka  pavlerë sepse nuk është kështu. Statusi kandidat është një njohje e rëndësishme e asaj se ku ti përket dhe Ukraina i përket bashkësisë europiane të vlerave e parimeve që të gjithë bashkëndajmë. Është e drejta e Ukrainës të kërkojë të jetë pjesë e tij dhe ne besojmë, unë besoj se është detyra e Europës që tu përgjigjet këtyre kërkesave.

Ndërkohë më duhet të jem i sinqertë me ju dhe me dëgjuesit. Mund të marrësh statusin kandidat dhe të nesërmen dielli nuk lind më herët. Jeta do të vazhdojë të jetë po aq e vështirë sa është e me shpresë do të përmirësohet falë forcës e qëndresës suaj. Çka do të thotë që është një proces tejet i gjatë. Shumë i gjatë. Kam humbur numrin e sa vite ka që kur Maqedonia e Veriut është bërë kandidate. U bënë shumë vite. Ne, Shqipëria u bëme vend kandidat në 2014 dhe ja ku jemi, ende në pritje për të nisur bisedimet për anëtarësim. Na thonë që e meritojmë t’i nisim qysh prej disa vitesh, por ka diçka që nuk shkon tashmë midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut e kështu me radhë.

Megjithatë, nuk e di kur do t’i nisim negociatat për anëtarësim sepse nuk varet nga ne dhe nuk varet as nga Bashkimi Europian në këtë moment. Nëse edhe në këtë Këshill Europian nuk do të jenë në gjendje që ta zhbllokojnë Maqedoninë e Veriut për shkak të Bullgarisë, do të kërkojmë që të ndahemi e që të vijojmë më vete. Nuk e di cili do të jetë reagimi, por për ta përmbyllur me pyetjen tuaj, jemi këtu thjesht për t’i thënë jo vetëm mikut tonë të dashur presidentit Zelensky, por gjithkujt publikisht që nuk kemi asnjë problem në qoftë se BE-ja i jep statusin kandidat Ukrainës. Askush nuk duhet të thotë kësisoj që “jo se po tja japim Ukrainës, këta të tjerët që po presin do të fillojnë të bëhen nervozë”. Jo! Nuk do të bëhemi nervozë! Përkundrazi, do të jemi të lumtur për Bashkimin Europian sepse do të bëjë diçka shumë të dobishme për veten gjithashtu, për veten, jo vetëm për Ukrainën, por për veten e tij.

Kështu që nuk e di se sa mund të dëgjohet zëri ynë në këtë drejtim, por ajo cka mund të bëjmë është ta themi. Më lejoni të them dicka që ende nuk munda ta flas me Presidentin, por do tia them më vonë; Ballkani Perëndimor ka 5 vende në Kombet e Bashkuara, te gjitha ato janë rreshtuar përkrah Ukrainës, pavarësisht historisë së ndryshme, pavarësisht kontekstit të ndryshëm, pavarësisht marëdhënieve të ndryshme me Rusinë sepse është krejt ndryshe se si e shohim botën përkundrejt Rusisë nëse merrni psh Shqipërinë dhe Serbinë apo Malin e Zi dhe Bosnjen, por të gjitha janë në mbështetje. Është dhe një vend i gjashtë që Ukraina ende nuk e ka njohur, Kosova, e cila pavarësisht kësaj, po bën saktësisht të njëjtën gjë që po bejnë të gjithë me sanksionet dhe mbështetjen e plotë. Ç’do të thotë kjo? Kjo do të thotë që këtu jemi në një linjë të mirëpërkufizuar të asaj çka jemi dhe çka ëprfaqësojmë dhe kjo jo çka është Ukraina dhe çka përfaqëson, por edhe çfarë jemi ne dhe çka përfqësojmë ne.

Unë besoj fort se është gjëja e duhur për tu bërë. Ukraina kërkon? Shumë mirë, duhet t’i jepet statusi kandidat dhe populli ukrainas duhet ta dijë tani jo vitin tjetër apo pas dy vjetësh, por tani që në sytë e Bashkimit Europian, e ardhmja e tyre është në familjen e Bashkimit Europian. Kjo është e vetmja gjë që nënkupton statusi kandidat, asgjë tjetër. Pjesa tjetër jua thashë, do ta ndërtoni ju, askush tjetër nuk do vijë ta ndërtojë ne vendin tuaj.

Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazovic: A mund te shtoj dicka shkurtimisht? Mali i Zi është në parajojë të procesit të integrimit në Ballkanin Perëndimor, jemi thuajse në fazat përfundimtare të procesit, por mesazhi kryesor këtu është se pas 24 shkurtit, gjërat nuk janë njësoj dhe nëse BE-ja nuk e kupton këte gjë, është problem. Pse na pyetet “Pse e mbështesim?” Është e njëjta gjë; sepse në bazë të merites na duhet të bëjmë integrimin, kështu që nëse një vend meriton të jetë në BE, le të jetë në BE.

Por, në emër të parimit, në emër te solidaritetit, në emër të sigurisë së Europës, ata duhet ta marrin këtë vendim pak më shpejt. Nëse kjo ndodh vit pas viti, mendoj që të gjithë ne do të përballemi në një moment me një problem të madh. Nuk ka rëndësi nëse dikush ka ecur më përpara apo dikush tjetër sapo nis procesin; pra gjithkush që kërkon të bashkohet me familjen, duhet ta bëjnë këtë në bazë të reformave për te mos pasur këto lloj situatash, ku gjithçka varet nga ndonjë situatë rastësore midis disa vendeve dhe interesat e ndonjë vendi janë ndonjëherëshumë herë më të mëdha  se të gjitha interesat e vendeve anëtare. 

Mendoj që tashmë, pas 24 shkurtit, jemi në një pozicion krejt ndryshe dhe është momenti përfundimtar për të kuptuar që nuk duhet që të largohemi që tëmë gropa të zeza në Europë, asnjë gropë te zezë në Europë. Sot është Ukraina, nesër mund të jetë për një shtet tjetër, pasnesër mund të jetë në BallkaninPerëndimor. Kështu që, ideja është që të përpiqemi të ecim përpara për ta mbajtur gjallë procesin e zgjerimit dhe për të nxitur dhe promovuar më shumë solidaritet, për ta bërë familjen europiane gjithnjë e më të madhe. 

Kjo është e rëndësishme per BE-në, që të mbetet tërheqëse si organizatë, që të ketë ende vende, të cilat duan të bëhen pjesë e saj. Për ne është po kështu është e rendësishme që kemi ambicie për të qenë në BE sa më shpejt të jetë e mundur dhe kjo është po ashtu e rëndësishme per ato vende që në këtë moment kanë probleme të mëdha, por e shohin po kështu te ardhmen në familjen e perbashkët europiane.

Kjo është e gjithë historia. Nëse dikush nuk e kupton këtë, mos u çudisni nëse dicka e ngjashme me Ukrainën të ndodhë diku tjetër. 

Pyetja ime është për zotin Zenelnsky.  A prisni veprime vijuese pas deklaratës të perbashkët që shpallët, sidomos nga Mali i Zi, për të nxitur atë cka ju keni analizuar në deklaraten e perbashket dhe po kështu, çfarë ndihme konkrete prisni nga Mali i Zi?

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy: Për këtë pyetje sot kemi nisur bisedimet për përparësitë se ku mund të përfitojmë nga ndihma e miqve këtu, nga kryeministrat këtu. Natyrisht që vendet kanë problemet e tyre. Siç e dini, Mali i Zi nuk është një vend i madh dhe ne i kuptpjmë kufizimet e kapaciteteve të tyre financiare, gjithashtu dhe të pajisjeve ushtarake, të cilat mund të mos i ofrojnë. Gjithashtu dhe kufizimi i ndihmës.

Megjithatë, çdo gjë varet nga vullneti. Ku ka dëshirë, ka rrugëzgjidhje dhe ashtu siç e përmendi kryeministri shqiptar, do të fillojmë me rindërtimin e disa blloqeve dhe kjo është e para.

E dyta, une i drejtohem te gjithë partnerëve tanë, pa asnjë përjashtim sepse po humbasim qindra njerëz, mijëra të plagosur, 3-4-5 mijë të plagosur çdo ditë në lindje të vendit tonë dhe kjo është një situatë shumë e vështirë dhe u drejtohem të gjithëmiqve dhe në këtë aspekt, do donim që Mali i Zi të na mbështeste konkretisht.

Mendoj dhe dialogu që kemi nisur ëahtë shumë i rëndësishëm. Kjo ka të bëjë dhe me Ukrianën se si te komunikojë edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu do të kemi projekte të fuqishme ekonomike për të bërë, por në pjesën e parë të takimit tonë, këto përparësi ekonomike nuk mund të diskutohen sepse siguria është e para, ku miqtë tanë anëtarë të NATO-s mund të na ndihmojnë për t’i diskutuar këto gjëra në takimin me NATO-n. Ukraina është ftuar në Samitin e NATO-s në Madrid dhe për ne kësisoj përparësia jonë më e lartë është siguria. Në fakt, kjo është përparësi për të gjithë kontinentin Evropian. Faleminderit shumë!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY