Rama sot në Parlament: Unë nuk po them që çmimet këtu janë...

Rama sot në Parlament: Unë nuk po them që çmimet këtu janë ulur, nuk janë rritur, unë po flas për pasqyrën e bazuar mbi faktet!

71
0
Shares

Kryeministri Edi Rama ka folur sot në seancën e sotme parlamentare duke shpjeguar se pse është rritur çmimi i naftës dhe pse rritja e çmimeve në Shqipëri ndryshe nga gjithë bota nuk prek nivelin e jetesës së shqiptarëve.

”Sipas INSTAT-it, inflacioni në Shqipëri është rritur 6,2%, në Serbi 9,6%, në Maqedoninë e Veriut 10,5%, në Kosovë 11,2%, në Mal të Zi 11,2%, në Bosnje dhe Hercegovinë 13,2%. Ky është prilli. Maji në Shqipëri 6,7%, pra në Shqipëri nga 6,2 ka shkuar 6,7%, në Maqedoninë e Veriut jemi në 11,9 nga 10,5 që ishim në prill, të tjerat i publikojnë në ditët në vijim të qershorit, kështu që nuk kam të tjera të dhëna.

A ka vallë ndonjë arsye pse Shqipëria të jetë thuajse sa gjysma e të gjithë vendeve të rajonit kur vjen puna tek rritja e inflacionit? Me siguri ka arsye.

Mbase ka më shumë arsye se ato që duke u përpjekur të mësoj unë mund të them këtu, por së paku janë dy arsye të rëndësishme; e para, fakti që vetëm në Shqipëri, si askund tjetër në rajon dhe si askund tjetër në Europë, çmimi i energjisë vazhdon të mbahet aty ku ishte përpara sesa të shfaqeshin simptomat e krizës.

Ndërkohë që, kudo tjetër, energjia po bën raprezalje mbi ekonominë dhe sot nafta është patjetër komponent, por energjia për të cilën ne vazhdojmë paguajmë nga buxheti i shtetit është arsyeja pse kemi këtë normë inflacioni dhe e dyta, rritja e prodhimit vendas sepse nuk e kemi importuar të gjithë masën e normës së inflacionit nga vendet e tjera dhe për shkak të zëvendësimit.

Dje solla një shifër konkrete atje në Samitin e Ballkanit të Hapur dhe po e përsëris këtu që ta dëgjojnë të gjithë; vetëm për eksportet me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut kemi një rritje shumë domethënëse, thuajse dyfish në aspektin e fondeve. Kjo për inflacionin.

Ndërkohë, ju folët për një shifër 30%, që më kujton atë 430milionëshin, për të cilin kemi pasur edhe një ballafaqim së bashku, ju në rolin e prokurores dhe unë në rolin e dëshmitarit, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin maj është 6,7 thotë INSTAT-i, dhe dëgjojeni pak se janë shifra që unë po i marr dhe po i lexoj siç janë këtu, duke i referuar ekzaktësisht të njëjtit burim që iu referua zonja Tabaku; grupi i ushqimeve dhe pijeve alkoolike rritjen vjetore e ka 11,4, nuk ka asnjë 30% këtu që ta shoh unë ndërkohë që krahasuar me muajin e mëparshëm, ushqimet dhe pije alkoolike ka një ulje 1,6%.

Është INSTAT-i, nuk jam unë që flas. Është i njëjti burim që iu referua zonja Tabaku. Flas për mesatare të nxjerra muaj për muaj dhe 1,6% është  muaji me muaj sepse flasim për një muaj shumë më pranë momentit të shpërthimit të luftës dhe një muaj tjetër ku kanë ndodhur dhe do vazhdojnë të ndodhin lëvizje të brendshme, natyrshëm ekuilibruese. Ky është fakt këtu”, tha Rama në replikë me deputeten Jorida Tabaku.

Me tej Rama tha se çmimet janë ulur duke renditur shifra që sipas tij ia ka dhënë Instat.

”Sigurisht që krahasuar me një vit më parë kemi rritje, patjetër, por flasim muaj për muaj brenda krizës. Çmimet e nëngrupit, fruta, patën një ulje, prej 5,2%. Një vit më parë rritja ishte 7,1% e kështu me radhë. Ku është ky 30%? Unë nuk po them që çmimet këtu janë ulur, nuk janë rritur, unë po flas për pasqyrën e bazuar mbi faktet”, tha Rama.

Në vijim kryeministri ka folur për çmimin e karburantit që sipas tij më shumë duket sikur është rritur se sa është rritur.

Është e vërtetë që ne kemi një çmim karburanti më të lartë se të tjerët në rajon, kjo është e vërtetë. Por ndryshe nga të tjerët në rajon, ne kemi taksat më të ulëta sepse ndryshe nga rajoni, ne biznesit të vogël nuk i marrim asnjë lekë! Zero! Zero taksë dhe zero TVSH deri në 100 milion xhiro, ndërkohë që deri në 140 milion xhiro është zero taksë. Sepse ndryshe nga rajoni, ne vërtetw e kemi më të lartë sesa të tjerët taksën mbi biznesin e madh se e rritëm atë taksën mbasi erdhëm këtu, por ne subvencionojmë 100% energjinë elektrike pa e lejuar të rritet, jo vetëm për të gjitha familjet, por edhe për biznesin e vogël dhe të gjitha këto janë para sepse ndryshe nga rajoni, ne i japim para dhe do vazhdojmë t’ia u japim të gjithë shqiptarëve që nuk lëvizin me fuoristrada apo me veturë, por lëvizin me transportin publik. Ashtu sikundër ndryshe nga rajoni, ne do të vazhdojmë tu japim para për naftën fermerëve dhe jo më larg sesa sot, kemi folur për të shtuar sasinë në mënyrë që fermerët e regjistruar, gjë që është lajm i mirë sepse ka një rritje eksponenciale të formalizimit të fermerëve për shkak të kësaj nevoje, ne do vazhdojmë tua japim sepse ndryshe nga rajoni, i cili nuk ka sektor peshkimi fare, ne kemi një industri peshkimi, e cila është në rritje të vazhdueshme, kujtoj që ju e latë në det të hapur dhe detyronit të shkonin ta merrnin karburantin në Itali dhe në fund të vitit shifra e mbijetesës ishte 22 milion euro, qesharake, për një vend që ka një vijë bregdetare nga koka deri te këmbët, dhe sot ne jemi, deri vjet flas, se sivjet do të jemi edhe më shumë, po deri vjet ne ishim në 130 milion dhe edhe për këtë industri ne do të japim para.

Prandaj nëse i mendojmë të gjitha këto, del e qartë se pse aty te tabela e karburantit ata që kanë më shumë mundësi do paguajnë më shumë sepse do tua u japin të tjerëve se barrën e krizës do ta shpërndajmë në një formë që tu japim mundësi atyre që prodhojnë ta ndjejnë më pak,  nuk ua u heqim dot nga supet, tu japim mundësi atyre që eksportojnë ta ndiejnë më pak, tu japim mundësi atyre që lëvizin për në punë me autobus, jo me vetura që të mos e ndiejnë e kështu me radhë dhe po e përsëris që në fund të ditës në tabelën e rritjes së inflacionit jemi pothuajse sa gjysma e të gjithë vendeve të rajonit, sepse ndryshe nga vendet e rajonit ne subvencionojmë 100% diferencën e energjisë në çdo faturë familjare sepse ende nuk kemi bërë atë ndarjen për ata që konsumojnë energji në 800 e 900 dhe ndryshe nga të gjithë ne subvencionojmë 100% biznesin e vogël.

Ne nuk vëmë tavan çmimin më të lartë kur vjen puna te karburanti. Nuk vihet tavan çmimi më i lartë. Vihet një tavan mbi të cilin askush nuk mund të shkojë. Është komplet koncept tjetër dhe gjithkush është shumë i lutur që të ulet më poshtë”, shpjegoi Rama. z.k

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY