Komisioni për Reformën në Drejtësi u mblodh sot me dyer të mbyllura, për të diskutuar projektligjin për “Vetting”-un, atë për SPAK dhe organet e pushtetit gjyqësor.
Anëtarët e komisionit janë njohur me propozimet e ekspertëve lidhur me vërejtjet e EURALIUS dhe OPDAT, për përkufizimet teknike për ligjin e në fjalë.
Janë 4 parime që kanë të bëjnë me afatet, institucionet, rolin e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe rolin e bashkë-punëtorëve të drejtësisë, të cilat ndajnë në qëndrime sërish misionin EURALIUS dhe opozitën, pasi misioni ndërkombëtar u ka bërë një vlerësim vërejtjeve të PD-së.
Për opozitën, këto 4 parime, të cilat do të përkthehen bashkë në një ligj të vetëm, atë të “Vetting”-ut, janë të nevojshme në mënyrë që ky proces të jetë i drejtë, efikas dhe të kthejë besimin te drejtësia. Pjesë e agjendës së diskutimeve do të jetë edhe gjyqësori, por edhe ligji për Prokurorinë Antikorrupsion, në nenin e të cilit nga OPDAT janë parashikuar ndëshkime edhe për median, shtesa këto që janë bërë javën e shkuar.
Komisioni do të diskutojë edhe 47 amendamentet e Partisë Demokratike për gjyqtarët dhe prokurorët, të cilat po shqyrtohen në Komision.
Pas mbledhjes së komisionit, në orën 18.00 do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve, e cila do të vendosë datën kur do të thirret seanca e parë e sesionit të ri brenda gushtit, e cila me shumë gjasë do t”i hapë rrugë miratimit të ligjit të “Vetting”-ut. Duket se palët në tryezë duhet të dëshmojnë edhe një herë vullnetin politik të 21 korrikut për zbatimin e reformës dhe ligji i “Vetting”-ut konsiderohet më i vështiri, por edhe më delikati i saj.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/