Krijohet aleanca për Mbrojtjen e Butrintit, për çfarë siguron kreu i fondacionit...

Krijohet aleanca për Mbrojtjen e Butrintit, për çfarë siguron kreu i fondacionit shqiptaro-amerikan

66
0
Shares

Sot në Tiranë një grup veprimtarësh, studiuesish dhe ekspertësh të historisë dhe arkeologjisë zhvilluan një tubim ku shpallën krijimin e Aleancës për Mbrojtjen e Butrintit.

Ata thanë se do të bëjnë çdo përpjekje për të ruajtur të paprekur këtë zonë të rëndësishme të historisë dhe të trashëgimisë kulturore.

Pjesëmarrësit pohuan se qeveria nuk u ka marrë ndonjë mendim profesional për menaxhimin e Parkut të Butrintit, dhe sipas tyre, autoritetet nuk kanë zhvilluar as dëgjesa publike, sic kanë pretenduar.

Aleanca për Mbrojtjen e Butrintit, pohuan organizatorët, është një aleancë qytetare, që synon të nxitë autoritetet që të veprojnë me kujdes dhe profesionalizëm shkencor në një zonë delikate me vlera të mëdha si Parku Kombëtar i Butrintit.

Qeveria miratoi një marrëveshje me Fondacionin Shqiptaro- Amerikan të Zhvillimit për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit në 10 vitet e ardhshme, sipas një plani, që parashikon mbrojtjen e Parkut dhe financimin nga AADF 5 milionë dollarë për këtë qëllim.

Zeri i Amerikës e ka pyetur sot drejtorin e Fondacionit Shqiptaro- Amerikan të Zhvillimit, Michael Granoff, në lidhje me mundësinë e ndërtimeve në Park, gjë të cilën e ka mohuar plotësisht.

Zëri i Amerikës: Plani i Menaxhimit të Butrintit, që u hartua së fundi, propozonte edhe heqjen e një pjese të zonës bredgetare të Ksamilit nga harta e Parkut Kombëtar të Butrintit (rreth 100-150 hektarë sipas Planit). Por qeveria shqiptare në janar vendosi të heqë rreth 800 hektarë nga zona e mbrojtur e Parkut dhe në këtë zonë tashmë është miratuar ndërtimi i një resorti. Sipas raporteve të shtypit shqiptar, qeveria është gati për të miratuar resorte të tjerë. A cënohet integriteti i Parkut Kombëtar nga rreziku që zonat natyrore përreth tij të përfshihen nga ndërtime të vrullshme?

Michael Granoff: Unë mund t’u qetësoj që zona, në të cilën ne do të luajmë një rol, nuk ka asnjë veprimtari tregtare dhe nuk do të ketë kurrë veprimtari tregtare, nuk do të ketë asnjë hotel në atë zonë, pra s’do të ketë veprimtari tregtare të asnjë lloji. E vetmja ndërtesë, që ne po planifikojmë të ndërtojmë, është qendra e vizitorëve. Qendra e vizitorëve është çelësi i çdo zone të trashëgimisë kulturore. Pra mund t’iu siguroj që nuk do të ketë asnjë veprimtari tregtare në asnjë nga zonat që ne do të jemi pjesë. Një pikë interesante që është ngritur nga disa njerëz që e kanë parë zonën është mjedisi, i cili falë efekteve të ngrohjes globale, do të kemi një rritje të nivelit të detit, sidomos rreth e qark Butrintit. Një ekspert i arkeologjisë ka bërë një parashikim që në 50 vitet e ardhshme 1/4 ose 1/3 e Butrintit do të jetë nën ujë. Pra gjëja për të cilën ne duhet të shqetësohemi është rritja e nivelit të detit, që e dëmton këtë zonë. Një nga gjërat që ne mendojmë të bëjmë është t’i sjellim këta ekspertë, që të na ndihmojnë për barrierat natyrale, që mund të ndërtojmë, me qëllim që uji të mos ndikojë në këtë zonë në të ardhmen. Ky është një shembull që tregon se me sa detaje po mendojmë për të ardhmen e Butrintit, dhe duam që kjo zonë të mos ketë prodhim karboni, duam të respektojmë mjedisin rreth Butrintit edhe në të ardhmen. Çfarë ndodh përtej kësaj nuk është pjesë e punës sonë dhe duhet të kujtoni se ne nuk jemi qeveria dhe ne nuk kemi kontroll mbi tokën në këtë vend, siç ne nuk mund të kontrollojmë nëse dikush do të ndërtojë në plazhin e Durrësit. Pra pyetjet që më bëtë për zhvillim tregtar jo në pjesën e Butrintit, ku ne jemi aktivë, është një pyetje shumë e mirë për qeverinë dhe është përgegjësi e qeverisë. Kjo është një pyetje lejitime për zonën e Butrintit, por jo në zonën, në të cilën ne do të jemi aktivë. VOA

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY