Sali Berisha: Mos harroni, jemi 40 mijë në këmbë! Rikthimi im si...

Sali Berisha: Mos harroni, jemi 40 mijë në këmbë! Rikthimi im si i Steve Jobs!*

39
0
Shares

Ish kryemikistri Sali Berisha tha sot gjatë takimit me demokratët e Durrësit se rikthimi i tij ishte si i Steve Jobs, do ndryshonte Shqipërinë sic ai ndryshoi botën.

“Koha tregoi që revolucioni ynë nuk ndalej, tani jemi opozita e vërtetë! Siç ndryshuam veten, duhet të ndryshojmë shoqërinë! Ky është misioni i ri jetik!”, deklaroi Berisha

Më tej ish kryeministri tha se Rama asgjëson portin 3 mijë vjeçar.

Mëmpas Berisha e përshkroi foltoren si një udhëtim idealistësh.

”Vijmë pas një udhëtimi unik në historinë e Europës, jemi një ushtri e vërtetë idealistësh, një ushtri e vërtetë misionarësh. Jam dëshmitar i trysnive, shantazheve dhe presioneve që bëri mafia e George Soros në çdo hap që ne bënim drejt lirisë. Nëse nuk do të ngriheshim, do të ishim thjeshtë një kukull, një lolo, një vegël në duart e qeverisë. Shembullin po e shihni këto ditë në marrëdhënien Rama-Alibasha, më tipike. Ja ku jemi sot, ja ku jemi, të vërtetë shumë, të fuqishëm, të qartë, në një kohë të shkurtër establishmenti po dridhet”, tha Berisha.m.k

Fjala e plotë e Berishës:

Së pari, ju përshëndes përzemërsisht, ju falënderoj me mirënjohje të thellë për mbështetjen jashtëzakonisht të çmuar që i keni dhënë PD-së nga ditët e para të saj e gjer sot, dhe në mënyrë të veçantë për rolin tuaj në rithemelimin e kësaj force politik.

Të dashur miq, ne vijmë sot këtu në Durrës pas një udhëtimi të vështirë, plot pengesa, por e vërteta është pas një udhëtimi unik në historinë e Europës. Në një moment të caktuar ne ndërmorëm udhëtimin tonë për t’u rikthyer te vlerat tona, për t’u rikthyer te parimet tona, për të ngritur në këmbë forcën tonë politike e cila kalonte nga disfata në disfatë.

Në fillim të kësaj lëvizje askush nuk parashikonte se sot ne do ishim një forcë aktive me 40 mijë e më shumë anëtarë, një ushtri e vërtetë idealistësh, një ushtri e vërtetë misionarësh, burra dhe gra, djem dhe vajza të një autoriteti të madh moral, të veçantë, të cilët u përballën me çdo lloj vështirësie. Unë jam dëshmitar i trysnive të pandershme që u ushtruan mbi ju nga institucionet e një shteti që nuk njeh parim dhe ligj. Jam dëshmitar i trysnive, shantazheve, presioneve edhe të një klientele private që është shndërruar organikisht në segmente të mafies shtetërore. Jam dëshmitar edhe i presioneve të jashtëzakonshme që bëri mafia e George Soros në çdo hap që ne bënim drejt lirisë, drejt demokracisë në forcën tonë politike.

Të gjitha këto nuk na penguan dot. Nëse kthemi pak muaj më parë, kam deklaruar dhe deklaroj edhe sot se kjo lëvizje është e pandalshme, nuk ndalet. Kisha shprehur se ky revolucion nuk ndalet më dhe koha provoi se kjo nuk u ndal dhe sot ja ku jemi, opozitë e vërtetë e Shqipërisë. Do të ishim, në rast se nuk do të ngriheshim, thjeshtë një kukull, një lolo, një vegël në duart e një qeverie. Shembullin po e shihni këto ditë në marrëdhënien Rama-Alibasha, më tipike. Por në rast se ne arritëm sot në këtë stad, mbi 40 mijë anëtarë dhe anëtarë të Partisë Demokratike në këmbë, të vendosur për të rikthyer në partinë tonë vlerat më të mira konservatore, tradicionale, arbërore, universale. Si e arritëm ne këtë? Të gjithë ne po rrokulliseshim pas disfatës që pësuam në zgjedhjet e 25 prillit, të gjithë ne moralisht po lëngonim në atmosferën e asaj disfate. Por ne arritëm sepse secili prej jush mori një vendim: Ndal, nuk ecet më kështu! Nuk mund të pranojmë më këtë gjendje! Mjaft është mjaft, duhet të rikthehemi! Dhe kjo ndodhi dhe sot ja ku jemi, të vërtetë shumë, të fuqishëm, të qartë, në një kohë të shkurtër establishmenti po dridhet. E keni konstatuar ju vetë disa herë, më shumë se në diktaturë, çdo ditë është bërë për Partinë Socialiste, kreun e saj, udhëheqjen e saj, Prokuroria Speciale është bërë më i dashur se Komiteti Qendror. A është kështu apo jo?

Pra, ne ia arritëm, por në këtë stacion ku jemi një mision i madh tjetër na pret, i një rëndësie jetike, historike për këtë vend, për interesat e këtyre qytetarëve, për qenien tonë dhe identitetin tonë kombëtar, për të ardhmen tonë, për të ardhmen e këtyre të rinjve dhe të fëmijëve tanë. Ku qëndron ky mision i yni? Ky mision i yni qëndron thjesht në atë që të bindim secilin që kemi në krah, që kemi në lagje, që njohim, që dimë, që edhe ai të thotë ‘ndal tani’, t’i themi ndal kësaj rrokullisje. Para syve tanë çfarë ndodh? Një shkretim i kombit, një vjedhje e paimagjinueshme e pasurive kombëtare, ndodh edhe një poshtërim i tij, ndodhim përçudnime të cilat janë të pabesueshme. Disa prej tyre pasqyrohen direkt në interesin kombëtar, pasurohen direkt në identitetin kombëtar, të tjera janë po të lidhura me të, kurse ne i përcjellim, ose të themi një pjesë e madhe e shoqërisë i përcjell këto me indiferencë. E pyet si je? – Hiç, thotë. Më fjalë të tjera s’është për të jetuar. Dhe kush s’është për të jetuar vendi i mrekullive më të mëdha, i pasurive më të mëdha, i një mjedisi njerëzor të pashoq. Po pse të gjitha këto? Sepse ne si shoqëri vazhdojmë të tolerojmë, vazhdojmë të mos reagojmë, vazhdojmë të mos përgjigjemi. Çfarëdo që del, del problemi i inceneratorëve. Aty është e qartë si drita e diellit se kreu i qeverisë ka firmosur për të vjedhur jo pak por 400 e ca milionë, një procedurë që nuk ekziston në ligjet e vendit, e ka quajtur negociata të mbyllura, e cila është e përjashtuar nga ligjet, se ndryshe nuk mund të vidhte edhe duke i thënë institucioni shtetëror që është e ndaluar.

Vazhdon firma gjer te Lefter Koka dhe me radhë, por ku është reagimi ynë? Kur flas reagimi ynë, reagimi i shoqërisë? Dhe duhet të kemi një gjë të qartë se askush nuk është më përgjegjës për këtë mungesë reagimi dhe mosreagimi se ne demokratët që jemi në këmbë sot si misionarë të vërtetë për të shpëtuar Shqipërinë. Jo, ne jemi përgjegjësit kryesorë, nuk janë përgjegjës ata që që nuk reagojnë, ne jemi. Siç ndryshuam veten, duhet të ndryshojmë edhe të tjerët, e pastaj shohim a do të reagojnë apo jo.

Unë mora një shembull, po i rikthehem prapë, ja ku e kemi portin, ka qenë për Durrësin arterie jete, arterie kryesore jete në shekuj. Nëse Durrësi në kohëra të mira është zmadhuar, ka lulëzuar, Portin ka patur si burimin më të fuqishëm të jetës dhe zhvillimit të tij. Një ditë prej ditësh i vihet syri për të hapur sheshe ndërtimi, do bëjmë Dubain këtu, tha, Edi Rama. S’kemi nevojë të bëjmë Dubai ne, ne kemi Dubain e Europës, Dubai është atje ku është. E merr një Port 3 mijë vjeçar, e çon de facto drejt asgjësimit dhe merr 1 milion m2 tokë për të ndërtuar me kompaninë e tij, ose të klientelës së tij, pallate, çdo cm e asaj toke është e juaja, është e qytetarëve të Durrësit, aty ka djersë, mund, jetë të humbura, jetë të shkrira në shekuj dhe mijëvjeçarë dhe ky vjen e grabit si pa të keq fare.

A mund t’i ndodhë një kombi tjetër kjo? Jo, nuk i ndodh, absolutisht jo. E krijoi ndërmarrjen, tha është e sheikut, sheiku tha pas një viti që nuk është e imja dhe e shiti, ia shiti po këtij. Shembuj të tillë janë të përditshëm. Ç’po ndodh me shqiptarët? Hiç thotë tjetri, hiç se ka frikë të flasë, sepse me arrestime masive për fatura drite, fatura uji, u ka kallur njerëzve frikën dhe kjo është e vërteta. Po ikim, thotë tjetri, ky vend nuk bëhet. A ka goditje më të rëndë, a ka dënim më të rëndë për një vend nëse banorët e tij thonë se nuk bëhet, në një kohë kur është vendi i pasurive përrallore, më mahnitëse. Ka një topitje në shoqërinë tonë dhe mision i vërtetë për të çtopitur këtë shoqëri, ky mision është i PD-së, është i juaji, i anëtarëve, i mbështetësve të kësaj partie.

Ky vend do dalzotës dhe jo indiferentë.

A mund ta imagjinoni ju, një komb që kemi përjetuar gjenocide nga 870 gjer në 1999, të votojë kundër dënimit të gjenocidit serb në Srebrenicë i cili është sanksionuar nga dy gjykata ndërkombëtare. Unë ju them ju se, për secilin prej nesh, edhe ne që votuam, është një njollë e madhe turpi kombëtar. Se një komb i qytetëruar s’mund ta bëjë kurrë këtë. S’mund të shkelë mbi shpirtrat e viktimave të pafajshme në Srebrenicë, por njëkohësisht edhe mbi shpirtrat e viktimave të pafajshme të shqiptarëve nga Molla e Kuqe gjer te Kulla e Lumë, apo në Përbreg dhe zona të tjera. Askush nuk shkel mbi të vdekurit.

Parlamenti shqiptar me urdhër të Edi Ramës e bëri. Nuk duhet të merremi të dashur miq se e lidhi me një marrëveshje, e bleu, e shiti, nuk ka rëndësi, shohim faktet ne, por nuk ka më tragjike se kjo, çnjerëzore në ekstrem, por edhe me pasoja shumë të thella. Serbia është një vend i rëndësishëm në rajon, por siç e keni konstatuar, Serbia lëkundet mes Rusisë, Kinës dhe Perëndimit. Por pse kjo lëkundje? Përveç faktorit gjenetik të tyre që kanë qenë gjithnjë ‘Rusi e Vogël’, ka një faktor tjetër madhor, të lidhur direkt me presidentin e tyre dhe ky faktor është gjenocidi. Serbia nuk pranohet kurrë në Europë. Është tjetër politikë diplomacia, tjetër karota, tjetër përpjekja, por pa njohur gjenocidin ajo nuk mund të fusë këmbët në Europë. Dhe ky është interesi më i madh i Serbisë. Mirëpo, njohja e gjenocidit, një nga arkitektët e gjenocidit serb është Aleksandar Vuçiç, i cili deklaronte se për çdo serb të vrarë duhet të vriten 100 myslimanë. Si ka mundësi ta lidhim ne vendin tonë pas qerres, pas tij? Do t’ju tregoj një moment, në vitin 1996 ishim në hapat e para, në Komisionin Europian filloi të krijohet, të përfshihet edhe Shqipëria me ish-Jugosllavinë dhe filluan të firmosin dokumente. Shkoj unë dhe iu them çfarë bëni kështu? Dhe pas një argumentimi serioz, jo vetëm që e hoqën, por e vërteta në librin e bardhë, e veçuan Shqipërinë si vendin që mund të hapte negociatat dhe të merrte statusin e vendit kandidat. Pastaj, ne pësuam ato që pësuam. Kurse ne sot shkojmë dhe mblidhemi verbërisht, absolutisht duke shkelmuar interesin tonë kombëtar me Beogradin dhe izolojmë Prishtinën. Sot që kombi është i lirë, në vend që të jetë dy herë më i fuqishëm, e pjesëton Edi Rama me aleancën e tij me Beogradin.

Por çfarë bëjmë ne? Cili është reagimi ynë?

Duhet pra, siç thamë vetë, mjaft është mjaft, duhet të bindim çdo shqiptar, dhe besoj se argumentet i kemi të jashtëzakonshëm. Asnjëherë përveçse në diktaturën hoxhiste nuk është vepruar në mënyrën më insistuese kundër qenies dhe identitetit tonë. Nëse ti e merr një komb dhe i programon varfërinë atij, sigurisht varfëria në rrafshin psikologjik është topitje, është dëshpërim, është pesimizëm. A është kjo, do të thoni ju, e qëllimshme? PO ju jap një shembull, pse në vitin 2005-2013 u dyfishuan rrogat dhe pensionet? Pse ua them unë! E qëllimshme, u bë me qëllim të plotë, me vështirësi dhe sakrifica të mëdha, se nuk ishte ky buxhet para 8 vitesh, por o duhej investuar te shqiptarët, tek njeriu, ose asgjë s’ka vlerë pastaj.

Çfarë ka ndodhur këto 9 vite?

Një pensionist nga Luzi më thotë, doktor kur dola në pension në vitin 2007, dola me një pension 160 mijë lekë të vjetra. Por ama para largimit të PD, pensioni im arriti në 250 mijë. Që nga viti 2013 e gjer sot është rritur vetëm 10 mijë lekë. Në të vërtetë, nëse shohim çmimin e ushqimeve, e kam parë këto ditë, janë rritur 100% krahasuar me vitin 2014. Për ato familje me rrogë mesatare dhe të ulët, rritja me 100% e çmimeve do të thotë përgjysmimi i rrogës se ato shpenzojnë të paktën 50% për ushqimet dhe shërbimet bazë.

Çfarë po bëjmë? A mund të ecim kështu? Jo! Duhet të bëjmë gjithçka që kësaj situate t’i themi jo, sepse ne po shpërbehemi, ne po zvogëlohemi çdo ditë e më shumë. Rinia po ikën, po iku rinia ikën e ardhmja. Borxhi po rritet. Mos harroni se jo fëmijët e vegjël, por ata që nuk kanë lindur akoma do të kenë një borxh prej 22 mijë eurosh me atë që ka bërë ky. Nuk ka gjë që i grabit një kombi të ardhmen më shumë se sa largimi i të rinjve dhe rritja e borxhit. Sa është rritur borxhi? Në vitin 2005 ishte 58.4%, në 2013 u rrit gjer në 62.6%, sot është 107%. Dhe ku shkoi ky borxh? U kthye në rroga dhe pensione? U kthye në shkolla dhe spitale në shërbime moderne? Absolutisht që jo, vetëm në konto të qeveritarëve të nomeklaturës të klientelës së tij. Pra, miliarda e miliarda. U përvetësuan, u shpërdoruan dhe del e thotë më thoni kriminel ju mua, me thoni ç’të doni, por hajdut jo se jam 2 m i gjatë dhe nuk mund të vjedh…se ky qenka kriteri, ky është garancia që jep Edi Rama, meqë jam 2 m i gjatë nuk mund të vjedh, e ka fjalën për hajdut xhepi, por s’e kemi fjalën për hajdut xhepi, por për hajdut me kamion, me konteiner.

Jemi në një moment kritik, por unë jam besimplotë dhe unë shoh ju, shoh kudo shqiptarët të vendosur. Mos harroni se jemi 40 mijë në këmbë, kaluam gjithë këto vështirësi, të tjerat nuk janë të pakta por absolutisht të kalueshme. Edi Rama ka gjetur një kukull opozitë që merret me të, por shpirtin s’e ka më të qetë, vendi ka opozitë të vërtetë tani dhe më duhet t’i them, Partia Demokratike e vërtetë dhe në këmbë të ka mundur tre herë dhe do të të mundë në çdo garë, je i pashpresë, ta ketë të qartë. Flet për rikthimin, i fut ata të vetët nëpër media, nëpër televizione, ja si kthimi i Napolonit, si kthimi i këtij e atij, tani do t’i them, kthimi im është kthimi i Steve Jobs. I cili pasi një seri pabesish, qëndrimesh nga më disluajalet e nxorën në rrugë, u kthye dhe me iPhone-n, iPad-in, ndryshoi botën. Ne do të ndryshojmë së bashku Shqipërinë.

Ndaj ju ftoj në datën 22 të votojmë të gjithë!

Mos harroni se ka dy procese, procesin për zgjedhjen e kryetarit të PD, ka një proces tjetër për Presidentin kukull!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY